E hënë, 27 Prill, 2026

16 mijë punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Burgjeve do të kenë rritje page me 30%, ja kategoritë që përfitojnë dhe kur pritet të hyjë në fuqi vendimi

Share

Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të sistemit të Burgjeve do të kenë paga më të larta prej datës 1 Korrik. Kjo rritje do të jetë në masën 30% dhe do të realizohen në dy etapa. Për televizionin “SCAN TV”, kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta si dhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj, kanë folur mbi numrin e përfituesve ku sipas tyre janë mbi 12 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe 3560 punonjës të sistemit të policisë së Burgjeve. Sipas zotit Fishta nga 1 Korrik do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. “Qeveria ka në vëmendje dhe pagat e punonjësve të policisë, është një ndër objektivat politikë të saj. Projekti është bërë gati për të përfituar këtë shtesë më 1 Korrik, ku do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. Kështu që kjo është një rritje e konsiderueshme me 30%, të mbledhura bashkë. Pothuajse të gjithë punonjësit e policisë janë përfitues pra mbi 12 mijë persona”, deklaroi Fishta. Ndërkohë zoti Sadetin Fishta zbulon se zgjidhje i është dhënë dhe përfitimit të pagesave të orëve shtesë të mbaruara, si dhe disa problematikave të tjera që shqetësojnë punonjësit e Policisë së Shtetit. “Kemi kërkuar heqjen e fashës për mbi 16 orë punë, e cila është bërë pengesë edhe pse ligji për këtë nuk e pengon institucionin e policisë t’jua paguajë mbi 16 orë pune. Ligji shprehet në mënyrë taksative që nuk duhet që punonjësit e policisë të punojnë mbi 16 orë, sigurisht që duhet të ketë dhe marrjen e diferencës financiare”, nënvizoi Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë.

Macaj jep detajet për efektivët e Policisë së Burgjeve

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj zbulon se rritja për efektivët e “Burgjeve” do të jetë tek 30%-shi. “Rritja do të jetë tek 30%-shi. Nga shtesat që priten, janë përfitues 3660 punonjës të burgjeve nga grada më e ulët deri në gradën më madhore. Janë 2 projekte për rritjen e pagës”, deklaroi ai. Më tej kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj zbulon se janë edhe disa benefite të tjera që përfitojnë efektivët e Policisë së Burgjeve. “Ligji 39 i 2023 riktheu ato të drejta të mohuara dhe shtoi dhe disa të tjera, si çështjen e strehimit, e ushqimit që në projektvendim, është sanksionuar dhe vakti ushqimor”, nënvizoi Valentin Macaj, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve.

Te tjera

Lajme te tjera