“Fenomeni Gruevski” pritet të ndodhë edhe në Shqipëri. Shembulli maqedonas shumë shpejt do të trokasë në Tiranë dhe për këtë do të kujdesen ndërkombëtarët. Kryeministri Edi Rama mund të pësojë të njëjtin fat si ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski. Ky i fundit karrierën e tij politike e ndërtoi mbi dy themele: antishqiptarizmin dhe marketingun e mirëorganizuar. Kur jemi të pjesa e dytë, pra tek marrëdhënia me publikun, në këtë pikë mund të themi se Rama e ka kaluar Gruevskin. Në panoramën politike me të cilën ndodhet tani Shqipëria, Rama dhe Gruevski kanë shumë gjëra të ngjashme. Partia Socialiste ka triumfuar në shumicën e bashkive të Shqipërisë në zgjedhjet vendore duke regjistruar një nga fitoret më të thella që një forcë politike ka arritur në zgjedhje. Edi Rama, drejton sot të gjithë pushtetin politik në vendin tonë, më keq se Partia e Punës në vitin 1991, që zotëronte 82% të pushtetit politik. Pra, është e qartë se ky pushtet thuajse absolut që zotëron i vetëm Rama, është një rekord i zi, që nuk ka ndodhur kurrë në historinë pluraliste të Shqipërisë. Kryeministri shqiptar theu rregullin e pashkruar të qëndrimit në pushtet për dy mandate. Por njësoj si Rama edhe Gruevski mblidhte vota dhe dilte para syve të qytetarëve si njeri i besueshëm dhe i pëlqyer, por të gjithë e dimë se si përfundoi në arrati. Pra 14 maji do të jetë gropa e modelit “Rama” si fundi i fenomenit “Gruevski”.
Ngjashmëria e Ramës me Gruevskin
Nikolla Gruevski hyri në politikë gati 25 vjet më parë, ndërsa për herë të parë mori drejtimin e qeverisë së Maqedonisë në vitin 2006. Karriera e tij si kryeministër nisi me shpresën e maqedonasve për një erë të re politikanësh, por shpejt pësoi goditje të njëpasnjëshme nga skandalet e zbuluara nga opozita dhe nga autoritarizmi i Gruevskit. Që prej viti 2006, ai do të fitonte zgjedhjet parlamentare për 4 mandate me radhë, duke qeverisur kështu vendin si kryeministër për shumë vite. Pra njësoj si Rama dhe Gruevski e kishte shumë të lehtë të vishte hartën e Maqedonisë së Veriut me ngjyrën e partisë së tij. Edhe pse qeverisja e tij gjatë 4 mandateve është përballur me shumë kontestime por dhe skandale, ai i rezistoi në mënyrë perfekte. Shpallte edhe zgjedhje të parakohshme dhe i fitonte pasi kishte në duar çdo pushtet të mundshëm njësoj si Edi Rama.
Si qeverisi i pashqetësuar Gruevski njësoj si Rama?
Në maj të 2015-s në Shkup nisën protestat masive kundër Gruevskit dhe qeverisë së tij, të nxitura nga opozitari Zoran Zaev. Lideri I LSDM-së posedonte në atë kohë përgjimet e 20 mijë zyrtarëve të Maqedonisë. Publikimi i tyre ngjalli zemërimin e qytetarëve për aferat korruptive dhe mbulimin e krimeve nga policia dhe skandali shkaktoi dorëheqjen e shumë ministrave dhe deri në rrëzimin e qeverisë Gruevski me 15 janar të 2016. Megjithatë gjatë gjithë kësaj kohe LSDM kishte ngritur shumë çështje ndaj anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, përfshirë ish kryeministrin Nikolla Gruevskin. Dhe ndërsa organet e drejtësisë vijonin me këto çështje, Gruevski shfaqej i pashqetësuar duke mos e ditur fundin tragjik që e priste. Nga ana tjetër dhe pse kryeministri Rama ka në duar pushtetin absolut, SPAK i drejtuar nga amerikanët rrezikon pozitat e tij. Disa dosje të bujshme ndodhen në tryezat e drejtësisë së re, shumica e të cilëve kanë si subjekt hetimi ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetët, kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë, apo drejtorë dhe ish-drejtorë socialistë, të cilën akuzohen për abuzime dhe shkelje ligji. Bëhet fjalë për disa dosje “përvëluese”, çka më të drejtë tregojnë se mazhoranca e Edi Ramës është mbushur me heronj të heshtur, të cilët me apo pa dëshirën e tyre, duhet të sakrifikohen, duke rënë në burg, deri sa SPAK të rrite dhe të guxojë të trokasë tek maja e piramidës, duke i kërkuar llogari dhe kryeministrit shqiptar. Kjo tregon se dhe Ramën mund ta presë i njëjti fat si Gruevski.
Gruevski dhe Rama, armiq të fjalës së lirë
Nikolla Gruevski dhe kryeministri Rama kanë një gjë tjetër të përbashkët, duke u shfaqur si dhunuesit më të mëdhenj të fjalës së lirë. Liria e medias në vendin tonë është pothuajse në nivelet e zeros. Personazhi më i egër në politikën shqiptare me median është kryeministri Rama. Kreu i qeverisë edhe pse një piktor i dështuar, një kryetar bashkie i dështuar, si edhe një kryeministër i dështuar, që në momentin që erdhi në krye të vendit zgjodhi taktikën e tij, ku si kundërshtarë nuk zgjodhi politikanë, por shënjestroi median. Rama shpeshherë është përpjekur të shmangë zërat kritikë ndaj tij. Rama njësoj si Gruevski në periudhën që qeveriste në Maqedoninë e Veriut, ka ndërmarrë nisma ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së shprehjes dhe zyrtarizimin e censurës mbi median, të cilat janë kundërshtuar fuqishëm nga ndërkombëtarët. Kryeministri ka një staf të gjerë që merret me kujdesin për imazhin e tij, duke e shndërruar të vërtetën gati në nivelet e diktaturës. Edhe pse Gruevski, njësoj si Rama u përpoq të zhdukte fjalën e lirë, fundi i tij përfundoi i dhimbshëm.
Dalja kundër ndërkombëtarëve
Përveç sulmeve ndaj medieve dhe arrogancën me qytetarët, Gruevskin dhe Ramën i bashkon dhe linja e tyre anti-perëndim. Rama, duke qenë se kohët e fundit ka dalë kundër SHBA dhe BE, është vënë në syrin e “ciklonit” për linjën pro-ruse, serbe dhe turke që po ndjek. Edhe Gruevski vazhdoi të kultivonte një marrëdhënie më të ngushtë me Rusinë në kohën kur qeveriste. Putin përmes Ministrisë së tij të Jashtme shprehu në atë kohë mbështetje ndaj qeverisë si tij, duke i kërkuar Perëndimit të mos lejojë krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Rusia nga ana e saj mbështeste krijimin e një enklavë të fortë në qendër të Ballkanit, që do të prishte planet e Perëndimit. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Hungarisë dhe Hungarisë dhe Maqedonisë konsiderohen të shkëlqyera, kështu që ka një përgjigje pse Gruevski zgjodhi Budapestin për të kërkuar azil politik. Gjithashtu Gruevski, sot i dënuar për korrupsion, në vitin 2017 u përplas ashpër me SHBA-në. Gruevski nxori njerëzit e partisë së tij të sulmonin Sorosin me teoritë e tyre konspirative, por asnjë ditë nuk foli zyrtarisht kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarëve të saj, apo Forcave të Armatosura të vendit më të fuqishëm të botës. Edhe kryeministri Rama po bën të njëjtën gjë. Si fillim ai nisi lojërat me rusët e serbët. Prej kohësh gazeta “Sot” i ka nxjerrë shijen e hidhur çorbës me termin Ballkani i Hapur. I trumbetuar nga dyshja Vuçiç-Rama, ky projekt ka qenë një shpikje e paaprovuar nga kancelaritë amerikane dhe evropiane. Nëse deri dje, kjo iniciativë është parë si një dëshirë për ti bërë karshillëk BE, për vonesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, Sergei Lavrov, i çori maskën kësaj afere të ndyrë antiamerikane. Duhej deklarata e Lavrov që të zbërthente lojën misterioze që po luhej në kurriz të shqiptarëve, duke zbërthyer se pas gjithë kësaj coftire që quhej Ballkan i Hapur fshiheshin interesat ruse dhe serbe. Nga ana tjetër Rama ka më shumë se gjashtë muaj që nuk shkel në SHBA. Marrëdhëniet midis Ramës dhe shtetit amerikan janë gati prej dy vitesh në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër shqiptar në raport me të vetmin aleat strategjik që ka pasur kombi shqiptar në 30 vitet e fundit. Edi Rama gjatë gjithë kësaj periudhe vizitën më të suksesshme ka pasur dekorimin nga një fondacion i një aktoreje në SHBA për mikpritjen afgane dhe prej dy vitesh nuk ka takuar asnjë drejtor zyre apo burokrat të kësaj strukture. Raportet e tij me SHBA janë të ngrira, ku nuk kanë munguar akuzat e tij ndaj raporteve kritike të shtetit amerikan, të cilat i ka komentuar si copy paste të raporteve të mëparshme. Nuk kanë munguar dhe sulmet e tij ndaj ambasadores amerikane, ku i vendosi dhe epitetin si sekretare partie. Prej kohësh kryeministri shqiptar ka sfiduar partnerët amerikanë, duke filluar me largimin e Gledis Nanos, apo dhe rrëzimin e kandidaturës së Ardian Dvoranit si kampioni i antikorrupsionit për shtetin amerikan. Pika më kulminante e luftës midis SHBA dhe Ramës kapi pikën kulminante gjatë luftës për kapjen e kreut të SPAK, ku deklarata e tij se në emërimin e drejtuesit të ri nuk mund të ndërhyjë askush. Në fund SHBA i tregoi vendin duke i shkatërruar çdo plan për të kapur drejtësinë e re.
Mesazhet e hidhura për Ramën
U bënë 10 dhjetë vjet që Rama drejton Shqipërinë. 10 vjet të mbushura me skandale dhe afera të rënda. Duke parë luftën e kreut të qeverisë me ndërkombëtarët, lajme të hidhura e presin Ramën. Mesazhin e qartë e dha zyrtari i lartë i DASH Gabriel Esocbar një ditë para hapjes së fushatës së 14 majit. Esocbar paralajmëroi fundin e mbështetjes së SHBA ndaj Ramës. Teksa foli për dosjen Mccgonigal ku i përfshirë në hetime është dhe Edi Rama, zyrtari i DASH tha se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individët, duke ja bërë të qartë Ramës dhe kujtdo tjetër se ata janë të zëvendësueshëm. Pra amerikanët nuk pyesin për emra dhe në situatën në të cilën ndodhet kryeministri Rama, fati i Gruevskit mund t’i duket si dhuratë e rënë nga qielli. Në momentin kur filloi hetimi i thelluar i Gruevskit, ish-kryeministri maqedonas priste nga dritarja ndihmën e partisë së Ali Ahmetit që ta mbante në pushtet, po kryeministri Edi Rama kë po pret që ta shpëtojë nga cikloni amerikan që po afrohet më shumë se kurrë drejt tij?
