Qeveria ukrainase ka kundërshtuar kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për zgjedhjen e një presidenti të ri në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, deklaroi në platformën X se presidenti Volodymyr Zelensky gëzon mbështetjen e popullit ukrainas dhe se vetëm qytetarët e Ukrainës kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e udhëheqjes së tyre.
“Deklaratat që vijnë nga jashtë vetëm konfirmojnë se ai po e përmbush mirë detyrën e tij. Ai meriton mbështetje”, shkroi Sybiha.
Të shtunën, Trump kërkoi që Ukraina të ketë një president të ri, duke pretenduar se Zelensky kishte pasur disa mundësi për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por nuk i kishte shfrytëzuar ato. “Mendoj se ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”, deklaroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, ukrainasit duhet të zgjedhin një udhëheqës që mund të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës. Ai pretendoi se Zelensky kishte pasur disa mundësi për një marrëveshje, por “për ndonjë arsye nuk e kishte bërë kurrë këtë”.
Më vonë, Trump shtoi: “Mendoj se ai duhet të organizojë zgjedhje”.
Ndërkohë, gazeta gjermane “Bild” raportoi se deklaratat e fundit nga Uashingtoni kanë shkaktuar shqetësim të madh në rrethin e ngushtë të këshilltarëve të Zelenskyt.
Sipas gazetarit Paul Ronzheimer, i cili publikoi informacionin në platformën X, një këshilltar i afërt i presidentit ukrainas deklaroi se autoritetet në Kiev prisnin që çështja e Ukrainës të rikthehej në qendër të debatit politik amerikan gjatë fushatës për zgjedhjet e Kongresit në nëntor.
Megjithatë, sipas tij, këshilltarët nuk e kishin parashikuar që Trump të kërkonte publikisht zëvendësimin e Zelenskyt, pas marrëveshjes për naftën me presidentin rus Vladimir Putin, të cilës i referohet raportimi.
Sipas “Bild”, shqetësimi kryesor i udhëheqjes ukrainase mbetet mundësia që administrata Trump të ndërpresë bashkëpunimin me Kievin në fushën e inteligjencës, një element i rëndësishëm për përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës gjatë luftës me Rusinë.
