Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Rama për dhunën ndaj protestuesve dhe studentëve, ndërsa ka paralajmëruar një protestë kombëtare të PD-së për ditën e nesërme, në mbështetje të studentëve dhe revoltës së tyre. Berisha kundërshtoi deklaratat e Ramës për numrin e efektivëve të policisë dhe protestuesve të plagosur, duke theksuar se shifrat e paraqitura nga kryeministri nuk pasqyrojnë realitetin. Sipas tij, shumë protestues të lënduar shmangin paraqitjen në spitale nga frika e arrestimit.
Lideri demokrat u ndal edhe te përfshirja e të miturve në protesta, duke theksuar se të rinjtë kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre. Ai akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës dhe për dhunë ndaj protestuesve, ndërsa solli si shembull edhe ngjarje nga protestat e viteve 1990.
Një moment kyc i deklaratës së kreut të PD-së ishte rasti i studentit të mjekësisë të cilin Rama e përmendi gjatë konferencës së sotme, duke e lidhur me pretendime për përfshirje në veprimtari kriminale. Berisha tha se studenti doli publikisht në protestë, duke identifikuar veten si personin për të cilin kishte folur kryeministri dhe duke kundërshtuar pretendimet e bëra ndaj tij. Sipas kreut të PD-së, studenti ka rezultate të shkëlqyera akademike.
“Doli studenti, unë jam”, deklaroi Berisha, duke akuzuar Ramën se po përdor deklaratat publike për të njollosur studentët që kanë dalë në protestë.
Gjatë konferencës, kryedemokrati riktheu edhe akuzat për korrupsion ndaj disa ish-ministrave dhe zyrtarëve të qeverisë, mes tyre Saimir Tahiri, Lefter Koka, Alqi Bllako, Belinda Balluku dhe Ilir Beqaj, etj. Ai përmendi gjithashtu çështjet e inceneratorëve, koncesioneve në shëndetësi dhe hetimet që lidhen me zyrtarë të tjerë. Këto akuza u paraqitën nga Berisha gjatë deklaratës së tij.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Berisha sqaroi se protesta e nesërme është thirrur nga Partia Demokratike dhe ka si qëllim mbështetjen e studentëve dhe revoltës së tyre.
Ai deklaroi se anëtarët e Forumit Rinor të PD-së, drejtuesit dhe deputetët demokratë do të vijojnë të jenë pranë studentëve, duke theksuar se PD do të marrë pjesë në çdo protestë kundër qeverisë.
Berisha paralajmëroi se dhuna ndaj studentëve nuk do të tolerohet dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës të bashkohen në protestën e paralajmëruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në orën 12:00.
Në konferencë, kreu i PD-së komentoi edhe takimin e Edi Ramës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Budva. Berisha i cilësoi të dy liderët si rrezik për stabilitetin rajonal dhe kritikoi deklaratat e tyre lidhur me protestat në Shqipëri.
Sipas tij, qëndrimet e shprehura në këtë takim përbëjnë një mbështetje për vijimin e qëndrimit të ashpër të qeverisë ndaj protestuesve.
Në përfundim, Berisha i bëri thirrje kryeministrit të shmangë përshkallëzimin e situatës dhe të heqë dorë nga dhuna ndaj studentëve, duke paralajmëruar se përplasjet mund të sjellin pasoja të rënda politike dhe sociale.
