Një valë krimesh të rënda ka tronditur vendin këtë të martë (dje), duke lënë pas tre të vrarë dhe disa të plagosur brenda pak orësh. Ngjarjet nisën në Shkodër, ku një sasi tritoli shpërtheu në makinën e 38-vjeçarit Enea Busukja, punonjës i Tatimeve, i cili mbeti i plagosur. Vetëm pak orë më vonë, në Durrës, 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë babanë e tij, Pjetër Kodheli, në banesë, ngjarje që dyshohet të ketë lidhje me probleme të shëndetit mendor. Tronditje edhe në Tiranë, ku në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit”, kuzhinieri Filip Shehu vrau me thikë kamerierin Indrit Ismaillari pas një sherri për punën. Por krimi më makabër ndodhi në Berat, ku 63-vjeçari Kristo Mema, i njohur edhe si Kastriot Hoxha, vrau me thikë turistin nga Tirana, Keli Hoxha, pasi ky i fundit nuk pranoi të paguante për një foto me kalin e autorit. Vrasja ndodhi në sy të familjarëve të viktimës, duke shkaktuar tronditje të madhe publike. Pas disa orësh ndjekjeje, autori u kap i fshehur në një shpellë pranë kalasë së Beratit. Pra kjo panoramë tregon se brenda një dite, Shqipëria përjetoi një bilanc të rëndë tragjedish, një atentat me tritol dhe tre vrasje që ngjallin alarm për valën e dhunës dhe mungesën e kontrollit në rendin publik. Policia po vijon hetimet për secilën prej ngjarjeve, ndërsa autorët janë vënë në pranga ose identifikuar.
Vrasja në Berat
“Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi dje Policia e Beratit gjatë një reagimi për mediat. Më pas policia njoftoi se arrestoi autorin.
Vrasja në Tiranë
“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, menjëherë pas ngjarjes. Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit”, njoftoi dje Policia e Tiranës gjatë një reagimi për mediat.
Vrasja në Durrës
“Vrau me mjet prerës (thikë) babanë e tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes, pas dy orësh ndjekjeje nga Policia, u kap dhe u vu në pranga 25-vjeçari. Në vijim të informacionit të dhënë mbi vrasjen me mjet prerës (thikë) të shtetasit P. K., informojmë se, si rezultat i kontrollit intensiv, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës mundësuan lokalizimin në lagjen nr. 13 dhe kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit M. K., 25 vjeç (dyshohet me probleme të shëndetit mendor), djalit të shtetasit P. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan 25-vjeçarit, me cilësinë e provës materiale, një mjet prerës (thikë). Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, dje Policia e Durrësit gjatë një reagimi për mediat.
Tritol në Shkodër
“Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njoftoi dje Policia e Shkodrës gjatë një reagimi për mediat.
