E hënë, 13 Janar, 2025

Thellohet sherri tek “Foltorja”, Kokalari paralajmëron provat që do të fundosin shumë shpejt Belind Këlliçin, ja si gjykata do e zhysë “kokë e këmbë” deputetin

Share

Ka plasur një luftë brenda “Foltores”, ku dy “besnikët” e Sali Berishës, deputeti Belind Këlliçi dhe aktivistja Evi Kokalari vijojnë sherrin. Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, së fundmi e ka paditur në Gjykatën e Tiranës Evis Kokalarin. Ai e akuzon atë për shpifje dhe kërkon dëmshpërblim prej 1 milion lekësh. Sipas padisë ky dëmshpërblim kërkohet për shpifjet dhe fyerjet e publikuara në rrjetet sociale dhe mesazhe telefonike të shpërndara. Por në reagimin e Kokalarit ditën e djeshme, kjo padi do të fundosë Këlliçin. Ajo shkruan se akuzat e tij nuk qëndrojnë.  “Kam qeshur me lot, sepse mbasi lexova “faktet” (që janë thjeshtë postimet e mia në Facebook), që  paskan dëmtuar “personalitetin e tij politik”, dolëm në përfundimin se sipas Belindit, kur ti kërkon transparencë për manipulim votash/listash në politikë, hidhesh në gjyq!! Dmth, Edi Rama duhet ta hedh Berishën në gjyq sa herë ky i fundit e akuzon për vjedhje votash. Ndryshimi është se: 1-unë kam fakte, 2-i dhashë një javë kohë përpara zgjedhjeve qe ti kundërshtonte “akuzat” dhe t’ju përgjigjej atyre që do e votonin, por ai hesht”, shkruan Kokalari. Sipas saj, kjo padi do të përfshijë edhe personalitete të tjera nga PD. Për Kokalarin, Këlliçi ka dalë zbuluar, duke treguar se me këtë lëvizje po kërkon të heqë vëmendjen nga problemi kryesor, atë të manipulimit të listës së fituesve të Këshillit Kombëtar.

Kokalari: Këlliçi do të humbë

“Bazat ligjore të padis janë pa ekzagjerim kaq të dobëta sa vështirë se mund ta fitoj, gjë që do të jetë shumë e turpshme për të, por mbi të gjitha vërteton çfarë kam thënë më parë – që kjo padi është për të hequr vëmendjen nga problemi kryesor, manipulimi që ai i ka bërë listës së fituesve të Këshillit Kombëtar dhe asgjë më shumë. Fatkeqësia është se bashkë me mua, do duhet të paraqiten përpara gjykatës dhe dëshmitar, duke filluar me dy anëtarët e tjerë të komisionit zgjedhor, Albana Vokshi dhe Edmond Spaho, por dhe disa emra të tjerë. Normalisht dëshmitar duhet të jetë dhe Sali Berisha, i cili e di shqetësimin real që kam pasur gjatë gjithë kohës që isha në Tiranë dhe përpjekjet e mia për transparencë dhe verifikim të dyshimeve që u ngritën nga shumë individë mbas daljes së tabelës së lobimit në grup”, vijon me shkrimin e saj Kokalari.  Aktivistja shprehet se do përpiqet ta evitojë thirrjen e Berishës në gjykatë, si edhe ka zbuluar prapaskenat e bisedave me Këlliçin para se të bëjë publik rastin.  “Ato që Kelliçi i quan thjeshtë “akuza për të dëmtuar karakterin e tij”, bien ndesh me faktin që jam munduar ta zgjidh këtë situatë njëherë privatisht, nëpërmjet strukturave të PD-së, si e tillë qëllimi nuk ishte dëmtimi i karakterit por ekspozimi i fakteve. Sigurisht që Berishën si dëshmitar do mundohem ta evitoj, por ne të tjerët e kemi taksirat të merremi dhe me këto Bashallëqet e fundit e të shkojmë në gjykatë”, shkruan aktivistja.

Aktivistja paralajmëron fundin e Këlliçit

Aktivistja shkruan se me këtë padi në të vërtetë Këlliçi po ‘fundos’ veten e vet, pasi sipas saj mbi të gjitha gjykata do t’i kërkoj të verifikojë të ardhurat financiare. “Si përfundim, kjo padi do ta zhysë kokë e këmbë te “riun premtues”, sepse mbi të gjitha do t’i kërkoj të verifikojë para gjykatës të ardhurat financiare dhe faktet se si i paguan shoferët dhe udhëtimet e shpeshta në SHBA, dhe pse jo dhe parfumet e shtrenjta francez për të cilat akuzonte politikanët e tjerë para ca kohësh, hipokrizi e mirëfilltë politikanësh. Një gjë është e qartë, më shumë kohë kalon, më shumë më mbushet mendja që i kam bërë një nder shumë të madh PD-së me ekspozimin që i bëra Belind Këlliçit”, përfundon shkrimin e saj Kokalari.

Te tjera

Lajme te tjera