Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar nga Brukseli se dobësimi i sektorit prodhues dhe investimet e pamjaftueshme në produktivitet po kufizojnë mundësitë e bizneseve shqiptare për të shfrytëzuar tregun e përbashkët europian.
Sipas saj, për të përfituar realisht nga integrimi ekonomik në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të rishikojë politikat e taksimit dhe të krijojë kushte më të favorshme për bizneset që investojnë dhe prodhojnë.
Përmes një videoje të publikuar nga ambientet e Parlamentit Europian, ku ndodhet për takime me eurodeputetë dhe për të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Punëve të Jashtme (AFET), Tabaku theksoi se procesi i integrimit nuk duhet të mbetet vetëm në nivel institucional dhe burokratik, por të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.
“Sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, po edhe sipas Progres Raportit, Shqipëria ka gjithë mundësinë që të shfrytëzojë tregun e përbashkët europian”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se mundësitë për integrim ekonomik ekzistojnë në dokumente, por ende nuk janë konkretizuar në praktikë.
Për të mbështetur argumentin e saj, deputetja demokrate iu referua disa treguesve ekonomikë, sipas të cilëve sektori i prodhimit përfaqëson 10,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, industria përpunuese 6,5%, ndërsa sektori i ndërtimit ka arritur në 12,6%.
Sipas Tabakut, kjo shpërndarje e aktivitetit ekonomik dëshmon dobësinë e sektorëve prodhues dhe kufizon aftësinë e Shqipërisë për të rritur eksportet dhe për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.
“Tani, çfarë të eksportojë Shqipëria kur nuk ka prodhim, kur nuk ka produktivitet, kur nuk investon as tek inovacioni, nuk investon as tek produktet e reja?”, pyeti deputetja.
Tabaku theksoi se integrimi europian duhet të shoqërohet me politika që mbështesin sipërmarrjen, fermerët dhe familjet shqiptare, në mënyrë që përfitimet ekonomike të mos mbeten të kufizuara vetëm në nivel teorik.
Ajo kërkoi shtimin e investimeve, vendosjen e një sistemi të drejtë taksash dhe krijimin e një modeli ekonomik që nxit prodhimin, inovacionin dhe rritjen e produktivitetit.
“Integrimi ekonomik kërkon investime. Integrimi ekonomik kërkon biznese që prodhojnë. Integrimi ekonomik kërkon një ekonomi që punon për shumicën”, deklaroi ajo.
Në përfundim, deputetja e PD-së nënvizoi se përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me zhvillim ekonomik dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.
Sipas saj, vetëm përmes një ekonomie më konkurruese dhe produktive, procesi i integrimit europian mund të sjellë përfitime të prekshme për shumicën e bizneseve, fermerëve dhe qytetarëve shqiptarë.
