Operacioni i madh i zhvilluar në Kolumbi dhe në disa vende fqinje, ku u arrestuan disa shqiptarë si drejtues të një rrjeti trafiku vajzash, është vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh. Pjesa kryesore e tij ndodhet nën ujë.
Sipas një materiali të gjerë të Europol dhe Eurojust, që “Pamfleti” ka siguruar, ky është rrjeti më i sofistikuar i trafiqeve njerëzore të dekadës së fundit, dhe Shqipëria rezulton e përfshirë në një shkallë alarmante.
Dokumenti zbardh me hollësi shkaqet, mënyrën e funksionimit dhe lidhjet e thella të këtij zinxhiri mafioz që e ka ngritur vendin në nivelin më të lartë të klasifikimit botëror të krimit.
Nga “mishi i bardhë” te kokaina
Në fillim të viteve ’90, Shqipëria u shndërrua në furnizuesin kryesor të tregut europian të prostitucionit. Vajza të rrëmbyera ose të mashtruara nga familje të varfra, përfundonin në rrugët e qyteteve të Europës, nën dhunën e bandave kriminale që i trajtonin si skllave. Paratë e fituara nga kjo skllavëri financuan më vonë trafikun e drogës, të armëve dhe grabitjet e organizuara, duke krijuar bazën për mafien e sotme shqiptare.
Në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, gjatë konflikteve ballkanike, Shqipëria u kthye në një nyje tranziti për trafikun e vajzave nga vendet ish-sovjetike; Moldavia, Rumania, Ukraina, Bullgaria, drejt Europës Perëndimore.
Ky treg i zi funksiononte si një sistem biznesi: disa kishin dy vajza dhe quheshin “biznes i vogël”, të tjerë kishin dhjetëra dhe vepronin si kompani, duke paguar për mbrojtje, transport e territor.
Ky model u transformua me kalimin e viteve. Pasi tregu i prostitucionit u bë më i rrezikshëm, “biznesmenët e mishit të bardhë” kaluan tek tregtia e kokainës, duke përdorur të njëjtat kanale logjistike dhe njerëzit e të njëjtave rrjete.
Rilindja e trafikut përmes “turizmit”
Pas pandemisë, trafiku i vajzave u ringjall në një formë të re. Raporti ndërkombëtar i Europol thekson se që prej vitit 2021, tregu i prostitucionit në Shqipëri është rritur me ritme alarmante, i lidhur drejtpërdrejt me boom-in e turizmit dhe me flukset e investimeve të dyshimta në sektorin e shërbimeve.
Sipas raportit, rrjetet kriminale janë futur në këtë treg për tre arsye kryesore:
1. Kontrolli i tregut: për të siguruar fitimin e një fushe që, nëse nuk do ta bënin ata, do ta merrnin grupe të tjera ndërkombëtare.
2. Shpërndarja e drogës: prostitucioni shërben si rrjet ideal logjistik për shitjen e lëndëve narkotike.
3. Lidhja me Amerikën Latine: përmes këtij tregu krijohen marrëdhënie të qëndrueshme me kartelët kolumbianë dhe ekuadorianë që furnizojnë Europën me kokainë.
Në Kolumbi, thekson raporti, asnjë grup i huaj nuk mund të blejë “mish të bardhë” pa marrëveshjen e grupeve lokale të krimit. Kjo e bën të qartë se nuk kemi të bëjmë me një rrjet thjesht shqiptar, por me një “joint venture” ndërkombëtar të krimit, një korporatë mafioze që operon me të njëjtat rregulla si bizneset legale.
Banka e pastrimit të parave
Raporti i Europol dhe Eurojust thekson se infrastruktura aziatike e “tregut të seksit” po përdoret si model për pastrimin e parave të trafikut. Të ashtuquajturit “call center” të prostitucionit, të ndërtuara sipas modeleve të Tajlandës, Kamboxhas, Vietnamit e Singaporit, po përdoren për të kanalizuar miliona euro nga droga drejt investimeve të reja në kriptomonedha dhe logjistikë tregtare ndërkombëtare.
Rrjetet shqiptare dhe politika
Pjesa më alarmante e raportit është lidhja direkte mes trafikut dhe strukturave shtetërore në Shqipëri. Në Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër dhe Sarandë, mbikëqyrja e prostitucionit dhe trafiqeve bëhet me bekimin e shefave lokalë të policisë, të lidhur me bandat dhe me pushtetin politik.
Vetëm pak ditë më parë, SPAK arrestoi vëllain e një deputeti të ri socialist të Durrësit, i cili, sipas hetimeve, bashkë me bandat e Shijakut kontrollonte trafikun dhe pronat në Gjirin e Lalzit, përfshirë rrjetin e prostitucionit ndërkombëtar.
Ky është vetëm një fragment i piramidës së krimit që ngjitet deri në kupolën e pushtetit. Një sistem ku politika nuk është më e kapur nga krimi, por është vetë kapoja e krimit./Pamfleti
