E premte, 23 Tetor, 2026

Sara Mila mban premtimin dhe rikthehet në Katund të Ri, deputetja zbret sërish në terren me ARRSH-në: Çdo familje duhet të ndihet e dëgjuar dhe e respektuar

Share

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është rikthyer në Katund të Ri, Bradashesh, për të diskutuar nga afër me banorët shqetësimet e tyre lidhur me shpronësimet dhe gjurmën e bypass-it Tiranë–Elbasan.

Në një reagim të publikuar pas takimit, Mila bën me dije se ka zhvilluar një takim me banorët së bashku me përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, me qëllim sqarimin e pyetjeve mbi pronat, procedurat e shpronësimit dhe vijimin e projektit.

Sipas deputetes, shqetësimet e ngritura më herët nga banorët në takimet e Pranisë Besnike janë përcjellë drejtpërdrejt te institucioni përgjegjës. Mila thekson se bëhet fjalë për çështje që prekin shtëpitë, tokën dhe punën e familjeve ndër vite, ndaj çdo paqartësi duhet të marrë një përgjigje të qartë.

Deputetja falënderoi Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe titullarin e tij, Ami Kozeli, për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë në terren, pranë banorëve.

“E dua Elbasanin të ecë përpara. Por dua edhe që çdo familje e prekur nga ky investim të ndihet e dëgjuar, e respektuar dhe e informuar për çdo hap që lidhet me pronën e saj”, shprehet Mila.

Në fund të reagimit, deputetja e PS-së përcjell mesazhin e saj për bashkëpunim dhe angazhim, duke u shprehur e bindur se dialogu me banorët do të çojë drejt zgjidhjeve më të mira.

Postimi i deputetes Mila

Një përmbledhje e vogël pas një pasditeje të gjatë në Katund të Ri, Bradashesh.

Sot u ktheva te banorët, siç premtova, së bashku me përfaqësues të ARRSH-së, për të sqaruar pyetjet mbi shpronësimet, gjurmën e bypass-it Tiranë–Elbasan dhe vijimin e procedurave.

Shqetësimet e ngritura në takimet e Pranisë Besnike i diskutuam drejtpërdrejt me institucionin përgjegjës. Bëhet fjalë për shtëpinë, tokën dhe mundin e familjeve ndër vite, ndaj çdo pyetje meriton vëmendje dhe një përgjigje të qartë.

Falënderoj përzemërsisht Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe titullarin e saj Ami Kozeli për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë në terren, pranë banorëve, për t’i dëgjuar e sqaruar.

E dua Elbasanin të ecë përpara. Por dua edhe që çdo familje e prekur nga ky investim të ndihet e dëgjuar, e respektuar dhe e informuar për çdo hap që lidhet me pronën e saj. Të gjithë bashkë, e bindur që do të shkojmë drejt zgjidhjeve më të mira🙏

BESIM EMPATI SHËRBIM ANGAZHIM

Te tjera

Lajme te tjera