Gjatë dëgjesës me kandidatët për ambasadorë të Shqipërisë, z. Denion Meidani (për Kosovën) dhe z. Petrit Malaj (për Maqedoninë e Veriut), deputetja Sara Mila ka propozuar thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, me fokus të veçantë te politikat dhe çështjet që prekin të rinjtë.
Në fjalën e saj, Mila theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave pozitive mes vendeve të rajonit, duke nëvizuar se modele të suksesshme mund të zbatohen lehtësisht te njëri-tjetri.
“Kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri dhe jo gjithmonë duhet të nisim nga e para. Një nismë që funksionon për të rinjtë në Shqipëri mund të vlejë edhe në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut, e anasjelltas,” u shpreh deputetja.
Më tej, Sara Mila nënvizoi se integruarimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi i përbashkët i rajonit dhe se kjo rrugë duhet të përshkohet me bashkëpunim më të afërt, duke u dhënë të rinjve rolin kryesor në ndërtimin e të ardhmes europiane.
Postimi i deputetes Sara Mila
Në dëgjesën me z.Denion Meidani dhe z.Petrit Malaj, kandidatë për ambasadorë të Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, propozova të bëhen ura lidhëse për një bashkëpunim më të afërt mes parlamenteve tona, veçanërisht për çështjet e të rinjve.
Kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri dhe jo gjithmonë duhet të nisim nga e para. Një nismë që funksionon për të rinjtë në Shqipëri mund të vlejë edhe në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut, e anasjelltas.
BE-ja është shtëpia ku duam të bëjmë pjesë të gjithë. Dhe rrugën drejt saj kemi çdo arsye ta bëjmë më pranë njëri-tjetrit, duke u dhënë të rinjve hapësirë ta ndërtojnë edhe vetë të ardhmen e tyre europiane.
