Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka ngritur në Komision çështjen e shqetësimeve të fermerëve shqiptarë lidhur me procesin e integrimit europian dhe kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë në fushën e bujqësisë. Në fjalën e saj, Mila u ndal te Kapitulli 11, që lidhet me bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke theksuar se përmbushja e standardeve të Bashkimit Europian nuk duhet parë si kërcënim për fermerët shqiptarë.
Mila tha se gjatë takimeve të saj në njësitë administrative që përfaqëson në Kuvend, ku bujqësia është një prej aktiviteteve kryesore ekonomike, ka dëgjuar shqetësimet dhe pyetjet e fermerëve për të ardhmen e punës së tyre.
Sipas saj, një pjesë e pasigurisë së krijuar te fermerët ushqehet nga informacionet e pasakta se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të sjellë vështirësi apo kufizime për aktivitetin e tyre.
“Kjo nuk është e vërtetë!”, deklaroi Mila, duke argumentuar se Bashkimi Europian kërkon standarde më të larta, por njëkohësisht parashikon edhe mekanizma financiarë dhe mbështetës për sektorin bujqësor.
Deputetja theksoi se mbështetja financiare, trajnimet dhe mekanizmat e zhvillimit rural synojnë pikërisht forcimin e prodhimit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshtatjen e fermerëve me kërkesat europiane.
Kapitulli 11 parashikon përafrimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së dhe përfshin rregulla për mbështetjen e fermerëve, zhvillimin rural, sistemet e menaxhimit dhe kontrollit, si edhe zbatimin e skemave të mbështetjes direkte.
Ndërkohë, Shqipëria përfiton edhe nga programet e asistencës para-anëtarësimit, përfshirë IPARD III, i cili synon rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit agro-ushqimor dhe përafrimin gradual me standardet e BE-së.
Në këtë kuadër, Sara Mila u ka përcjellë fermerëve mesazhin se integrimi europian nuk duhet të shihet si një kërcënim për bujqësinë shqiptare, por si një proces që kërkon përshtatje me standardet dhe krijon njëkohësisht mundësi të reja për investime, financim, trajnim dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Postimi i deputetes së PS, Sara Mila
NJË SQARIM I DOMOSDOSHËM NË LIDHJE ME KRITERET DHE RREGULLAT STRIKTE TË BE-së PËRSA I PËRKET BUJQËSISË (KAPITULLI 11).
Në takimet e shpeshta në njësitë administrative që përfaqësoj në Kuvend, ku bujqësia është aktiviteti kryesor ekonomik, kam dëgjuar shqetësimet e fermerëve dhe pyetjet e tyre të drejta për të ardhmen e punës së tyre. Kjo pasiguri shpesh ushqehet nga dezinformimi se, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, aktiviteti i tyre do të ketë probleme.
Kjo nuk është e vërtetë!
BE-ja kërkon përmbushjen e standardeve, por parashikon edhe mekanizma mbështetës për bujqësinë, të cilët vijojnë edhe pas anëtarësimit. Përvoja e vendeve që tashmë janë pjesë e Unionit e dëshmon këtë. Mbështetja financiare dhe trajnimet janë pikërisht në funksion të forcimit të prodhimit dhe të përshtatjes së fermerëve me kërkesat e reja.
