E premte, 23 Tetor, 2026

Rubio mesazh Evropës: Forconi mbrojtjen, fuqia e NATO-s varet nga secili prej jush!

Share

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një Evropë të fortë dhe aleatë të besueshëm, duke nënvizuar se fuqizimi i secilit vend anëtar të NATO-s ndikon drejtpërdrejt në forcën e përgjithshme të Aleancës.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i diplomacisë amerikane u ndal te rëndësia e forcimit ekonomik, shoqëror dhe ushtarak të partnerëve evropianë.

“Ne duam që aleatët tanë të jenë të fortë. Sa më të fortë të jenë ata, aq më të fortë jemi ne kolektivisht (…) Ne duam një Evropë të fortë. Ne duam partnerë të besueshëm në Evropë”, deklaroi Rubio, sipas agjencisë italiane ANSA.

Ai theksoi se qëndrueshmëria e NATO-s nuk varet vetëm nga fuqia e Shteteve të Bashkuara, por edhe nga aftësia e secilit shtet anëtar për të forcuar kapacitetet e veta.

“Sa më të fortë të jenë anëtarët individualë të NATO-s- socialisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht- aq më e fortë është NATO”, shtoi ai.

Deklaratat e Rubios vijnë në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump ka kërkuar nga vendet anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Duke folur për angazhimin e shteteve evropiane, sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi përpjekjet e ndërmarra nga disa prej tyre, ndërsa veçoi Gjermaninë si një shembull pozitiv.

“Shumë vende kanë shtuar përpjekjet e tyre. Sinqerisht, gjermanët po bëjnë pjesën e tyre për të forcuar veten”, u shpreh Rubio.

Megjithatë, ai pranoi se jo të gjitha vendet po përparojnë me të njëjtin ritëm. Sipas tij, disa qeveri përballen me presione të brendshme që ndikojnë në shpejtësinë e marrjes së masave, por forcimi i aleatëve mbetet në interesin e përbashkët të vendeve të NATO-s.

“Mendoj se ka shenja pozitive në shumë fusha të ndryshme ku kjo po ndodh. Dhe sigurisht që ka disa vende që po ecin më ngadalë, dhe e di që ka shumë presione të brendshme. Por mendoj se kjo është në dobi të të gjithëve”, përfundoi sekretari amerikan i Shtetit.

Te tjera

Lajme te tjera