Skënder Hita është emëruar drejtori i ri i Policisë së Shtetit, pas shkarkimit të Ilir Prodës.
Po kush është drejtues Madhor Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Profili:
Drejtues Madhor Skënder Hita ka lindur më datë 19.06.1980, është banues në Tiranë dhe është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me vendim të Këshillit të Ministrave, më datë 30.03.2026, pas një procesi konkurrimi, gjatë të cilit u vlerësua për integritetin, rezultatet, përvojën dhe vizionin e tij për drejtimin e Policisë së Shtetit.
Me një karrierë të pastër 25-vjeçare në Policinë e Shtetit, Drejtor Hita përfaqëson modelin e drejtuesit profesionist, të ndërtuar mbi ndershmërinë, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë publike. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ka dëshmuar standarde të larta etike dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit, duke fituar besimin e qytetarëve, partnerëve institucionalë dhe agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
Vizioni:
Si Drejtor i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skënder Hita synon një polici shteti moderne, të besueshme, sa më pranë qytetarëve dhe të mbështetur në:
-forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;
-rritjen e standardeve profesionale dhe të integritetit në çdo nivel;
-përdorimin e teknologjisë, metodave bashkëkohore dhe projektit “Smart City”, në hetim dhe parandalim;
-rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut;
-përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të Policisë së Shtetit, nëpërmjet rezultateve konkrete dhe komunikimit të hapur.
Eksperienca drejtuese dhe profesionale:
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, prej datës 16.11.2024 deri më datë 29.03.2026;
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, prej datës 01.10.2022 deri më datë 15.11.2024;
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, prej datës 19.10.2021 deri më datë 30.09.2022;
Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, prej datës 06.07.2021 deri më datë 18.10.2021.
Në këto funksione drejtuese, ka realizuar operacione me impakt në goditjen e kriminalitetit.
Më tej, gjatë karrierës së tij, ka mbajtur funksione kyçe në hetimin e krimit, krimit të organizuar, narkotikëve dhe krimit financiar, si:
Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në disa drejtori vendore, si: Gjirokastër, Shkodër, Lezhë Elbasan dhe Fier;
Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit të Organizuar në Tiranë;
Shef sektori dhe Specialist në strukturat e specializuara kundër kriminalitetit në disa drejtori vendore dhe komisariate, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kontributi i tij është i lidhur drejtpërdrejt me hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale, si dhe rritjen e efektivitetit të Policisë së Shtetit në nivel kombëtar.
Arsimi dhe trajnimet:
Prej datës 01.10.1998 deri më datë 23.07.2001, ka kryer studimet për “Specialist i Lartë Policie”, pranë Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”;
Është diplomuar në Universitetin e Tiranës , Fakulteti i Drejtësisë në programin “EU Business Laë”,“Studimi i të Drejtës së Tregut të Brendshëm, e Drejta e Konkurrencës e BE-së, Krimi i organizuar dhe ekonomia në Evropë.”
Gjithashtu, ka ndjekur një sërë trajnimesh të avancuara brenda dhe jashtë vendit në fusha si:
-hetimi i krimit të organizuar;
-trafikimi i armëve të zjarrit;
-menaxhimi i vendit të ngjarjes;
-teknikat e hetimit special dhe operacionet nën mbulim;
-për rritjen në gradën policore.
Më datë 13 janar 2008 është vlerësuar me Certifikatë Mirënjohjeje “Për kontributin e dhënë në goditjen e 12 grupeve kriminale dhe në realizimin e disa operacioneve, si “Pastrimi”, “Vija e ngjalës”, “Vjosa” etj.
Vlerat:
Drejtues Madhor Skënder Hita identifikohet me një profil drejtuesi që ndërton besim nëpërmjet:
-ndershmërisë dhe integritetit;
-profesionalizmit dhe vendimmarrjes së drejtë;
-përkushtimit ndaj ligjit dhe qytetarëve;
-lidershipit të përgjegjshëm dhe vizionar.
Mesazh përmbyllës i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:
“Policia e Shtetit do të vijojë të jetë një institucion i fortë, i drejtë dhe në shërbim të çdo qytetari. Me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim të palëkundur ndaj ligjit, synimi ynë është rritja e besimit publik dhe garantimi i një sigurie të qëndrueshme për të gjithë. Bashkë, do të ndërtojmë një Polici më të besueshme, më transparente dhe më afër qytetarëve. Na besoni edhe më shumë dhe na mbështesni për të mirën e përgjithshme!”
