E shtunë, 2 Maj, 2026

“Planifikuam t’i vrisnim të atin që djali të vinte në varrim”, Henrik Hoxhaj rrëfen atentatin ndaj Lulzim Mashës

Share

Vijon në GJKKO dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Henrik Hoxhaj, në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”.

Hoxhaj ka zbuluar me dëshminë e tij të tjera detaje nga atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha, ku tregoi se vrasjen e ka kryer Skerdi Tase.

Hoxha deklaron se biznesmenin e kanë monitoruar për rreth një vit, ndërsa për lokalizimin e djalit të tij, kanë angazhuar “Sakatin”, i cili do u jepte informacione nëse ai do futej në Shqipëri, pasi ndodhej në Maqedoni.

Henrik Hoxhaj ka thënë se shënjestër e tyre ishte i biri i biznesmenit dhe për ta sjellë atë në pritë kishin planifikuar t’i vrisnin fillimisht të atin që ai më pas të vinte në varrim dhe ta ekzekutonin atje.

“Mbikëqyrja e Lulzimit zgjati gati 1 vit, se e lamë cikë pas dore ne. Djalin nuk e gjenim dot. Prandaj u angazhua Sakati, që do na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri. Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni.

Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa që të vrisnim të atin, që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim. Bashkë me Skerdin e kemi ndjekur Mashan disa herë me motor. E kemi ndjekur në rrugën që bënte.”, dëshmon ai.

Hoxhaj tregon se për atentatin përdorën një “Golf 4” që ua kishte siguruar Nuredin Dumani dhe se qitësi në vrasjen e biznesmenit ka qenë Skerdi Tase.

“Për ngjarjen përdorëm një “Golf 4” të lodhur. Nuredini na e gjeti. Kjo sepse me motor mund të binim në sy. Për ngjarjen unë përdora një menaxher që kisha tek lokali në Tiranë. I thashë do më lajmërosh kur të shohësh këtë person, sepse më ka lekë borxh.

Na njoftoi. Unë shkova atje bashkë me Skerdi Tasin. E lashë Skerdin dhe vetë u vendosa diku ku nuk kishte kamera. Pastaj lëviza. Goditjen nuk e dëgjova, se arma qe me silenciator.”, tha Hoxhaj.

Te tjera

Lajme te tjera