Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi komentoi zhvillimet brenda selisë rozë pas ceremonisë së 31-vjetorit të PS-së. Gjatë një prononcimi për media, ai e konsideroi si normale dhe sjellje të civilizuar politike praninë e disa eksponentëve të LSI-së në ceremoni. Koçi e konsideroi si përgjegjësi personale faktin që disa figura lokale të socialistëve kanë përfunduar para drejtësisë. “Mendoj që ishte ceremoni dinjitoze. Bashkohem me atë që nuk është jubile i plotë. Mendoj që ishte ceremoni e zakonshme, nuk ishte marrë përsipër të jepej ndonjë mesazh. Përgjithësisht kanë ardhur në festa të tilla, dikur ka ardhur edhe PD, z.Shehu ka qenë, z.Kosova ka qenë. Është një sjellje e civilizuar politike. Mos harrojmë që pjesa kryesore e LSI vjen nga PS. Ndryshe nga PD, PS është një parti e vuajtur. Ka vuajtur për t’u formësuar, për të ecur. PD sa u formua fitoi pushtetin pa qenë parti e mirëfilltë. PD s’ka qenë asnjëherë parti e mirëfilltë, ka qenë një frymë, lëvizje”, deklaroi ai. Deputeti i PS-së tha se ata që kanë keqadministruar apo janë përfshirë në raste korrupsioni duhet të shporren nga zyrat e shtetit. Ndër të tjera Koçi hodhi idenë që lista e abuzuesve në detyrë duhet të bëhet publike dhe të ashpërsohet kodi penal.
“Në rastin e Fierit, të hipotekës, shoh që është ndryshuar drejtuesi. Prandaj kam këmbëngulur që përtej ndryshimit të një drejtori, të shohim më thellë. Sikur fillin e një ankimimi të shohësh, e gjen ku çalon puna. Dikush që ka keqadministruar duhet të shporret nga zyrat e shtetit. Raste të tilla duhen kapur dhe duhen bërë publike. Është rasti për të bërë një listë me abuzuesit në detyrë, që mos kenë më shans të rikthehen në zyrat e shtetit. Edhe kodi penal duhet rënduar”, u shpreh deputeti socialist. Më tej Koçi vuri në dukje se sot është e vështirë që PS të konsiderohet një parti-shtet. “Ne jemi djegur nga qulli dhe i fryjmë kosit sa i takon partisë-shtet. Mund të bëhet diçka më mirë për të strukturuar disa komitete apo komisione. Nuk është gjë që qëndron, është e vështirë t’i thuash sot PS-së, parti-shtet”, nënvizoi Koçi.
Shperndaje lajmin