E premte, 23 Tetor, 2026

Përgjimet e fshehta që tronditin drejtësinë, si u survejuan Altin Dumani dhe familjarët e prokurorëve të SPAK nga Shërbimi Informativ, avokati denoncon skandalin e rëndë të kapjes së institucioneve të shtetit nga krimi i organizuar

Share

Përgjimet e fshehta që tronditin drejtësinë, si u survejuan Altin Dumani dhe familjarët e prokurorëve të SPAK nga Shërbimi Informativ, avokati denoncon skandalin e rëndë të kapjes së institucioneve të shtetit nga krimi i organizuar

Avokati Arben Llangozi shprehet se SHISH dhe institucione kyçe të sigurisë digjitale si AKSHI janë vendosur plotësisht në dispozicion të strukturave kriminale, me bekimin dhe ndërmjetësimin e drejtpërdrejtë të kupolës më të lartë ekzekutive. “Rënia e Shërbimit Informativ në dorën e krimit të organizuar, është e patolerueshme. Për interesat e shtetit, Shërbimi Informativ mund të bëjë çdo gjë: Të mbrojë shtetin nga korrupsioni, të mbrojë shtetin nga krimi, të mbrojë shtetin nga terrorizmi. Pra, i ka të gjitha të drejtat që të bëjë përgjime parandaluese. Por kurrsesi nuk ka të drejtë të bëjë përgjime për të favorizuar krimin e organizuar”, tha ai.

Lidhur me pyetjen nëse kryeministri Edi Rama kishte dijeni për këtë skandal, avokati lëshoi akuza të drejtpërdrejtë duke e cilësuar atë si “lajmësin” që njohu krerët e SHISH-it me botën e krimit: “Vetë kryeministri është lajmësi i të dy personave të krimit të organizuar edhe Shërbimit Informativ… Se nga u njoh Vlora Hyseni me Ergys Agasin? Lajmësi ka qenë Edi Rama, pra ai i ka prezantuar këta dy aktorë të botës së krimit dhe Shërbimit Informativ, duke bërë edhe këtë mblesëri domethënë. Pra, unë e shoh që për të mbrojtur skandalin më të madh të shtetit tonë në të gjithë funksionimin e tij nga momenti i krijimit deri tani, që mendoj është rënia e Shërbimit Informativ, atëherë dolën dhe video të aktorëve.

E kuptoni se sa i thjeshtë ka qenë për t’u thyer Shërbimi Informativ? Ka qenë aq i thjeshtë saqë këtu një anëtar i një organizate kriminale e ka marrë drejtoreshën peng, në kuptimin e mirë të fjalës, që ai e ka përdorur për qëllimet e krimit të organizuar. Po si mundet të mos mendojmë ne që shërbimet e huaja, që janë shumë herë më të fuqishme, që nuk i kanë përgjuar, nuk e kanë shantazhuar drejtoreshën e Shërbimit Informativ? Sepse ne këtu nuk kemi Shërbim Informativ si Vlora Hyseni që s’dihet kujt i ka anëtarët e saj në Google, pra bashkëpunëtorët e saj në Google.”

Nga rrjedhja e të dhënave te serverat e AKSH-it dhe e-mail-et e SPAK-ut

Më tej, Llangozi ngre alarmizmin për shantazhimin e mundshëm të drejtueses së SHISH-it dhe nxjerrjen e sekreteve shtetërore në dispozicion të bandave, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me dosjen e AKSH-it: “Kemi shërbime informative shumë të fuqishme që nuk bëhet fjalë që janë kapur edhe video dhe problematika të tjera të Vlora Hysenit dhe është shantazhuar duke nxjerrë dhe sekrete të tjera shtetërore, dhe kjo është shumë e rëndë.

Padyshim që dosja AKSHI solli këtë problematikë. E dimë të gjithë dhe kemi trajtuar që AKSHI është një ndër problematikat më të mëdha të shtetit, sepse të gjitha të dhënat personale u vunë në dispozicion të krimit të organizuar. E morën vesh të gjithë identitetin, numrin e llogarisë, të tëra numrat e telefonit dolën në Google, dolën bashkëpunëtorët e Shërbimit Informativ, që është gjëja më e rëndë që ekziston. Dhe këtu çdo lloj skandali legalizohet dhe quhet normale, dhe vetëm një nuk paska dijeni: kush? Kryeministri. Si mundet mor të mendosh që të dhënat personale të gjithë qytetarëve janë në Google e mos shqetësohet një kryeministër e ta quajë si normale dhe s’paska përgjegjësi? Po si është e mundur që AKSHI, ku janë të gjitha të dhënat personale të gjithë shtetit, të dalin dhe të vihen në dispozicion të krimit të organizuar? Sepse email-et e Prokurorisë së Posaçme, të gjithë email-et e Prokurorisë së Posaçme ku kalonin? Te AKSHI”, tha ai.

I pyetur mbi faktin nëse SPAK-u kishte një sistem të brendshëm apo varej plotësisht nga AKSHI, avokati konfirmoi mungesën e sigurisë dhe kritikoi reagimin e Presidencës: “Kështu që për këtë arsye unë vlerësoj që këtu kemi të bëjmë me një skandal shumë të madh dhe këtu ka përgjegjësi edhe ai që keni nxjerrë më tej, një president kukull. Ç’është ky president mo, që në vend të marrë të tundë themelet e shtetit, na del e na bën show duke bërë mbledhje të sigurisë? Ç’sigurie mo, çfarë rezultate?”, tha ai.

Shantazhi ndaj Dumanit dhe prokurorëve të SPAK 

Eksperti i ligjit konfirmon gjithashtu dyshimet për shantazh ndaj Altin Dumanit dhe përgjime ndaj familjarëve të SPAK, si dhe zbulon detaje tronditëse se si eksponentë të kërkuar të krimit lëviznin me automjetet zyrtare të SHISH-it: “Mendoj që Dumani edhe prokurorët e tjerë kanë pasur shantazhe, sepse filluan u publikuan ca video ku ishte Dumani duke kënduar diku apo videot personale… jo, ka qenë në dasmë etj. Pra këto janë të Shërbimit Informativ, ata i kanë publikuar. Pra Dumani shkoi në Shtetet e Bashkuara në një ceremoni të një dasme të një të afërmi të vet dhe u publikuan foto nga dasma, dhe kjo tregon që Shërbimi Informativ ka qenë vigjilent në kontrollin e Dumanit. Kështu që kjo mua më bën të dyshoj që do ketë përplasje.

Nuk e mendoj Shërbimin Informativ në një nivel kaq të lartë që të ketë kontroll mbi prokurorët e posaçëm. Por ajo që mua më bën të besoj dhe që unë mendoj e shpresoj që të arrihet, është që ne të kemi një Shërbim Informativ që i vlen shtetit, na vlen ne. Një person nga brenda Shërbimit Informativ më ka dhënë një material që Ergys Agasi udhëtonte me makinën e SHISH-it në kohën kur ka qenë në kërkim. Pra në muajin shkurt, Agasi ka qenë gjatë gjithë kohës me makinën e Shërbimit Informativ, Audi A8, dhe ky informacion më ka ardhur nga brenda Shërbimit Informativ, ku ai denoncon drejtpërdrejt titullaren Vlora Hyseni dhe thotë që mbrohet nga ajo. Atëherë mendoj që në qoftë se një punonjës i Shërbimit Informativ gjen mbështetje te një avokat, unë mendoj që këtu s’ekziston shërbimi. Ai me të vërtetë mund të jetë një njeri shumë i ndershëm dhe s’ka pasur rrugë tjetër, dhe e vetmja rrugë ka qenë që ta bënte publike, por ai mesazh tregon se sa rëndë dhe çfarë disfate është Shërbimi Informativ.

Unë mendoj që ky është një institucion që ose duhet të shkrihet, ose duhet një reformim total. Sepse unë po e deklaroj përpara jush, persona të cilët janë me precedentë penalë dhe të dënuar penalisht aktualisht drejtojnë Shërbimin Informativ. Jo më lart, por që e kanë ndalim në mënyrë absolute që ata të kenë të bëjnë me Shërbimin Informativ dhe aktualisht janë në role drejtuese dhe ndodhen në qytetin e Vlorës ku kriminaliteti është më i theksuar. Kështu që unë e shoh një problem, sepse nuk është problemi i kapjes së Shërbimit Informativ vetëm te koka. Po kjo Vlora Hyseni a ka pasur bashkëpunëtorë në atë institucion që i ka kryer të gjitha këto veprime, qoftë përgjimet, qoftë edhe veprime të tjera? Patjetër! Po pse nuk janë përpara përgjegjësisë? Pse nuk janë hetuar? Si janë vendosur drejtorët e Shërbimit Informativ në rrethe? Pse nuk hetohet kjo gjë? Pra këtu kemi një kapje të shërbimit jo vetëm te maja, por edhe në rrethe janë persona të vendosur nga krimi i organizuar dhe persona të shantazhueshëm. Sepse në qoftë se ti vendos në krye të Shërbimit Informativ një person i cili ka probleme të theksuara ligjore dhe kontakte të papërshtatshme, atëherë ai do shantazhohet nga krimi sepse s’ka rrugë tjetër.

Sepse pse mos të harrojmë se krimi i organizuar, edhe në seminare që bëjnë prokurorë shumë të famshëm botërorë, krimi i organizuar është gjithmonë një hap përpara shtetit, qoftë me teknologji, qoftë me informacione. Pra si nuk mendohet që krimi i organizuar merr informacion për drejtorin e Shërbimit Informativ dhe mund ta shantazhojë e ta vendosë përpara kushteve që ai të kryejë veprime përgjimi njëlloj siç ka vepruar Vlora Hyseni? Padyshim po! Prandaj mendoj që duhet një reformim. Ne kemi parë edhe një opozitë shumë të dobët, sepse këtu ne flasim vetëm me deklarata politike, por askush nuk prek plagën, askush nuk prek problemet. Ne kemi dëgjuar në parlament që shajnë njëri-tjetrin nga mëngjesi e nuk dëgjojmë ngritjen e një problemi shumë serioz, dhe janë bërë të pabesueshëm, janë bërë qesharakë edhe në sy të njerëzve. Si mund t’i besosh një personi ku shajnë njëri-tjetrin vetëm në marrëdhënie familjare, nga nëna e familja janë sharë?

Nuk merren me problemet e qytetarëve, me problemet në institucione, dhe kështu e shoh një mangësi shumë të madhe te shërbimi ynë. Ne kemi parë filma, kemi studiuar që shërbimet informative quhen me nam në Europë edhe në botë. Kemi shërbime të cilat parandalojnë terrorizmin, akte të rënda që janë vlera për vendin e tyre, kurse shërbimi ynë është për tokë. Shërbim i krimit, se s’është shërbim informativ, është shërbim krimi!”. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera