E shtunë, 18 Prill, 2026

PD shkon në zgjedhje, më 23 maj votohet për kryetarin! Grup pune për rishikimin e statutit, Berisha sulmon Gonzaton

Share

Mes pakënaqësive për humbjet e njëpasnjëshme elektorale dhe në mesin e protestave të vazhdueshme të cilat nuk e kanë arritur objektivin për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, demokratët hyjnë në zgjedhje të brendshme.

Më 23 maj, anëtarësia është thirrur për të zgjedhur kryetarin e ri. I vetmi kandidat që dihet është vetë Sali Berisha, i cili e ka deklaruar shumë më herët që nuk do të heqë dorë nga drejtimi i partisë, të cilën e rimori në 2022-shin.

Përballë tij, ende asnjë rival zyrtar për të drejtuar partinë më të madhe opozitare në vend për 4 vitet e ardhshme.

Në fakt, Sali Berisha nuk duhej të ishte më në krye të PD-së që pas 11 majit të vitit 2025 kur humbi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kështu parashikohej në statutin e PD-së në të ashtuquajturin “Neni Basha”, që e detyron largimin e kryetarit  menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve.

Por, në kushtet kur nuk është respektuar për asnjë moment, me argumentin e ri: se nuk humbi, por u vodh, ky nen tashmë është në pikëpyetje. Kryesia ngriti këtë të hënë grupin e punës të kryesuar nga Gazment Bardhi për të rishkruar statutin e partisë, duke lënë të hapura mundësitë që neni 46 të hiqet, ose të pësojë ndryshime.

Votimi i statutit të rishikuar do të bëhet pas disa muajsh, më 6 Qershor, kur edhe të ketë përfunduar procesi i votimit qoftë në degë, qoftë për kryetarin.

Vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë së PD-së, u komentuan në distancë nga ish anëtari i saj Ervin Salianji që Berisha e ka distancuar nga partia pasi ky i fundit nisi kritikat ndaj lidershpit blu përmes një turi foltoresh me demokratët.

Salianji e quajti uzurpim të partisë, përpjekjen e Berishës për rregulla të reja loje.

“Sot po shohim të njëjtën logjikë që kemi denoncuar tek qeveria: shkatërrim të degëve, përjashtim të demokratëve, sikur Partia Demokratike të ishte pronë private e disa individëve. Nëse opozita fillon të sillet si pushteti që denoncon, lind pyetja: mos vallë loja është e njëjtë dhe palët janë më afër se sa duken?”, shkroi Salianji. 

Ervin Salianji shihej si një nga figurat e vetme që mund të shpallte kandidaturën përballë Sali Berishës, por me listat e reja të anëtarësisë, ai mund të ngelet jashtë Partisë Demokratike përfundimisht.

Ndërkohë, Berisha e përdori mbledhjen e Kryesisë për të sulmuar shefin e delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke e quajtur avokat të kryeministrit Edi Rama në Bruksel, i cili nga ana tjetër sipas tij, mjegullon qëndrimin e PD-së, pro integrimit.

“Ky zotëri, përpiqet të mjegullojë qëndrimet e PD në procesin e integrimit, e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë. Gënjeshtra e dytë është, se axhenda jonë është MAGA. Por, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE”, tha Berisha.

Grupi për Rishikimin e Statutit:

1. Gazment Bardhi – Kryetar

2. Oerd Bylykbashi – Anëtar

3. Ivi Kaso – Anëtar

4. Gent Strazimiri – Anëtar

5. Enno Bozdo – Anëtar

6. Elda Hoti – Anëtar

7. Keltis Kruja – Anëtar

8. Adriana Kalaja – Anëtar

9. Marash Logu – Anëtar

10. Franc Nuri – Anëtar

Te tjera

Lajme te tjera