Monika Kryemadhi ka tërhequr vëmendjen gjatë kohëve të fundit, pikërisht se nuk ka bërë asgjë për të tërhequr vëmendjen. Kryemadhi nuk është shfaqur as në deklarata, as në intervista, dhe aq më pak me forcën dhe energjitë opozitare që shfaqi para zgjedhjeve të 25 Prillit, ku hidhte akuza e sulme vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes. Janë me pikatore daljet e Monika Kryemadhit pas zgjedhjeve ku LSI u fundos si asnjëherë më parë. Në ditët e fundit, ajo ka bërë një kthesë të madhe, pasi po shfaqet në studiot televizive edhe tre herë në ditë, duke thyer rekorde. Por çfarë e ka alarmuar kryetaren e LSI-së sa të fillojë të sulmojë dhe të përsërisë informacione, për inceneratorët që janë konsumuar në politikën shqiptare? Çështja që ka ngjallur tension dhe panik, është me siguri SPAK. Edhe pse dosja e inceneratorëve u zbulua e gjitha në Komisionin Hetimor të drejtuar nga Jorida Tabaku për të cilin Kryemadhi votoi kundër. Ndërkohë kryetarja e LSI, tre ditë rresht vazhdoi të flasë të njëjtat gjëra që u konstatuan që në janar sa i takon Inceneratorëve. Ajo sulmoi, gjithashtu ashpër kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.
Pse është alarmuar Kryemadhi?
Jo më larg se dy ditë më parë është rihapur një tjetër llogari e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit me drejtësinë. Pas nisjes së hetimeve për 1.2 milionë USD të padeklaruara, të hedhura për lobim në SHBA, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal pas kallëzimit të dytë të referuar nga ish deputeti Halit Valteri, për fshehje pasurie, korrupsion dhe pastrim parash. Pjesë e kallëzimit të dytë penal janë Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, i ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, biznesmeni pranë LSI-së Muharrem Berisha, si dhe Iris Zajmi, Elena Gace, Jori Prifti dhe Agron Xhafa. Në kallëzimin penal thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike, ku në krye të kësaj skeme qëndron si zakonisht çifti Meta-Kryemadhi.
Del në “dritë” korrupsioni i vëllait të Kryemadhit
Një çështje tjetër shumë e nxehtë që është zbuluar së fundmi ka të bëjë dhe me vëllain e saj. Disa dokumente publikohen për herë të parë dhe ngrenë dyshime të forta për një tjetër skemë korrupsioni dhe përfitimi të paligjshëm nga Drini Kryemadhi, vëllai i Monika Kryemadhit, kunati i Ilir Metës, për të cilin dyshohet se së fundmi i janë zbuluar dhe aferat me lobime jashtë vendit me para të padeklaruara. Skandali këtë herë qëndron, në raport me kompaninë koncesionare SGS të kolaudimit të automjeteve, ku vëllai i Monikës, inxhinieri Drini Kryemadhi ishte me pagë tek SGS më të lartë se sa CEO i kompanisë dhe disa fish më të lartë se sa inxhinierët e tjerë. Dyshime të forta janë se gjatë 7 viteve ai shkoi vetëm disa herë në punë.
Kryemadhi sulmon Ramën dhe Veliajn
Gjithashtu Kryemadhi gjatë daljeve të saj për mediat, ka sulmuar dhe kryeministrin Rama dhe Erion Veliajn. Ajo tha se amnistia fiskale qëllimin e vetëm që ka është për të pastruar paratë e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanive që janë të lidhura me inceneratorët. Kryemadhi tha se shumë shpejt ka gati materialin për evazionin fiskal të inceneratorëve. “Rama do të bëjë sikur po flet për një amnisti fiskale për ata që janë emigrantë apo biznese të tjera unë jam e bindur që biznese të tjera shqiptare nuk i kanë mundësitë të kenë 2 milionë euro të fshehura që t’i deklarojnë. Me këtë përfitojnë vetëm ata që kanë bërë evazionin fiskal. Vetëm në rastin e inceneratorëve në dosjen që ne kemi përgatitur dhe që shumë shpejt do t’ia bashkangjisim prokurorisë së posaçme, për çështjen e inceneratorit të Tiranës janë 170 milionë dollarë para të fryra me fatura fiktive përveç faturave të fryra mungon dhe detyrimi i paguar në zyrat e tatim taksave shqiptare. Po të ndjekësh skemën dhe shumë kompani të tjera që fitojnë punë publike kanë fatura fiktive me fatura të fryra dhe përveç kësaj nuk është derdhur as TVSH”, tha Kryemadhi.