E hënë, 20 Janar, 2025

Numri 2 i DASH për çështjen e narkotikëve zbarkon në Shqipëri, diplomatja Johnson takon drejtuesin e SPAK dhe kreun e BKH dhe përshëndet arrestimin e ministrave, shtohet ankthi tek të korruptuarit

Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura për të çmontuar korrupsionin dhe krimin e organizuara në Shqipëri. Vitet e fundit Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm institucionet shqiptare me fonde dhe mjete logjistike, shumica e të cilëve shkoi për reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj, sikundër janë Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por me ngitje e institucione të drejtësisë dhe pastrimin e sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, SHBA është tejet e interesuara që në vendin tonë të instalohet shtetit ligjor, teksa kushdo që ka abuzuar me ligjin dhe detyrën, duhet të japë llogari. Një sinjal i kësaj natyre se të paprekshmit tashmë i kanë ditët e numëruara ka ardhur nga Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Lisa Johnson. Kjo ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, ndërkohë që dje ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja si dhe me drejtoreshën e BKH, Aida Hajnaj. Këtë gjë e ka bërë të ditur dje ambasada amerikane me anë të një postimi në Facebook, ku shkruan se SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar. “Jemi krenarë për bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion. SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar, etj. Përgëzime Kreut të SPAK Arben Kraja dhe Drejtoreshës së BKH-së Aida Hajnaj”, shkruan ambasada. Pra përmes këtij mesazhi, amerikanët u kanë dërguar një mesazh të fortë të korruptuarve në Shqipëri,m duke ua bërë të qartë se i kanë ditët e numëruara.

SHBA mbështete BKH dhe SPAK

Më tej në statusin e saj, ambasada amerikane në Tiranë, bë me dije se diplomatja Lisa Johnson është takuar edhe me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët i ka përgëzuar për trajnimin që kanë bërë pranë FBI, ndërsa i ka inkurajuar ata që të punojnë me përkushtimi, duke çuar përpara çdo personazh që është përfshirë në korrupsion apo krimin e organizuar. “U takova me hetuesit e BKH-së. Gjysma e tyre kanë përfunduar trajnimin disa javë më parë – përfshirë edhe trajnim një mujor të specializuar me FBI-në. Ata janë patriotë të përkushtuar dhe plot energji të cilët do ta ndjekin krimin në çdo vend dhe do ti bëjnë shqiptarët krenarë. SHBA ka mbështetur nga afër SPAK në çdo hap të saj, nga ngritja tek rekrutimi dhe fillimi i punës. Presim me kënaqësi të takohemi sërish muajin tjetër gjatë vizitës së tyre në Uashington dhe Akademinë e FBI-së në Quantico, Virginia”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Diplomatja Johnson mbështet reformën në drejtësi

Megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë edhe të mbështesin reformën në drejtësi në Shqipëri. Një premtim të kësaj natyre e ka bërë ditën e djeshme zv/ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadorja Lisa Johnson, gjatë një takim që zhvilloi me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ku sipas njoftimit të ambasadës, u bisedua mbi vijimin e  mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi. “Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadorja Lisa Johnson është në një vizitë zyrtare në Tiranë. Sot ajo u takua me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të biseduar mbi mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi që vijon. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi dhe luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Ndërsa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë”, njoftoi dje ambasada e SHBA në Tiranë.

Johnson takon Nanon: SHBA, rritje të mbështetjes për Policinë e Shtetit

Zëvendësndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadorja Lisa Johnson gjatë vizitës së saj në Shqipëri zhvilloi dje një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, i diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Ambasada amerikane në Tiranë si dhe Policia e Shtetit njoftuan për takimin. “Ne mbështesim fuqimisht angazhimin e drejtorit të përgjithshëm Nano për një Polici të Shtetit të pastër dhe efektive, të aftë për të trajtuar krimin më të rëndë dhe për të shërbyer si një partner i fortë për homologët e saj ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit. Qeveria e SHBA-së do të rrisë ndihmën për Policinë e Shtetit të Shqipërisë për të përmbushur këtë mision”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane. Ndërkaq, Policia e Shtetit në njoftimin e saj theksoi se në fokus të takimit ishin mbështetja dhe besimi që agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë për Policinë e Shtetit shqiptar, për të punuar bashkërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Znj. Johnson vlerësoi angazhimin dhe vendosmërinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së, për të pasur një polici të pastër dhe të aftë në luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Po ashtu sipas njoftimit, Gledis Nano e ka falënderuar znj. Johnson, për vlerësimin, besimin dhe mbështetjen e fuqishme që ajo dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese amerikane po i japin Policisë së Shtetit, duke e garantuar se Policia e Shtetit shqiptar tashmë është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të punuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Te tjera

Lajme te tjera