Paolo Zampolli nuk është produkt i diplomacisë klasike amerikane. I dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për Partneritetet Globale vjen në Tiranë me një profil krejt të veçantë, të ndërtuar ndër vite në biznes, modë, pasuri të paluajtshme dhe diplomaci ndërkombëtare.
Ajo që e veçon mbi të gjitha është marrëdhënia e gjatë personale me Donald Trump, një lidhje që daton shumë përpara se Zampolli të merrte një post zyrtar në administratën amerikane.
I lindur në Milano në vitin 1970, Zampolli u rrit në një familje sipërmarrësish. Babai i tij, Giovanni, kishte krijuar kompaninë Harbert, e cila merrej me shpërndarjen në Itali të produkteve të Hasbro-s, përfshirë marka të njohura si Star Wars dhe Marvel.
Jeta e tij mori një kthesë të fortë pas vdekjes së të atit në një aksident me ski, kur Paolo ishte vetëm 18 vjeç. Ai ndërpreu studimet dhe më vonë u shkëput edhe nga biznesi familjar.
Në vitet ’90 u afrua me industrinë e modës. Në vitin 1994, ndërsa organizonte konkursin Look of the Year në Ibiza, njohu John Casablancas, themeluesin e Elite Model Management. Ky takim do t’i hapte rrugën drejt New York-ut.
Në SHBA themeloi agjencinë ID Models, përmes së cilës hyri në një botë ku kryqëzoheshin moda, biznesi, personazhet e famshëm dhe elitat financiare.
Pikërisht në rrethin e modës do të ndodhte edhe një nga episodet më të rëndësishme të jetës së tij publike.Zampolli konsiderohet personi që prezantoi Donald Trump me modelen sllovene Melania Knauss, e cila më vonë do të bëhej bashkëshortja e Presidentit amerikan, Melania Trump.
Takimi ndodhi në fund të viteve ’90, gjatë një eventi të Fashion Week në New York.
Por njohja me Trump nuk mbeti vetëm një histori nga jeta mondane e New York-ut. Me kalimin e viteve, marrëdhënia mes tyre u shndërrua në një lidhje të rëndësishme personale dhe profesionale.
Në vitin 2004, me rekomandimin e Trumpit, Zampolli u zhvendos nga bota e modës drejt sektorit të pasurive të paluajtshme.
Ai iu bashkua Trump Organization si drejtues për zhvillimin ndërkombëtar dhe qëndroi për disa vite në këtë rol, përpara se të vijonte aktivitetin e tij në fushën e real estate.
Paralelisht, Zampolli nisi të ndërtonte edhe profilin e tij diplomatik.
Ai shërbeu pranë Kombeve të Bashkuara si përfaqësues i Commonwealth of Dominica-s dhe u përfshi në iniciativa ndërkombëtare që lidhen me mbrojtjen e oqeaneve.
Profili i tij nuk mbeti i lidhur vetëm me kampin republikan. Në vitin 2021, gjatë administratës së Joe Biden, Zampolli u emërua në President’s Council on Sports, Fitness & Nutrition.
Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i dha një tjetër dimension karrierës së Zampollit.
Në mars 2025, Trump e emëroi si të dërguar të posaçëm presidencial për Partneritetet Globale.Ky pozicion e vendos atë në një pikë ku ndërthuren diplomacia, marrëdhëniet ndërkombëtare, biznesi dhe investimet.
Rasti i Zampollit pasqyron edhe një element të rëndësishëm të mënyrës së funksionimit të administratës Trump, njerëzit që gëzojnë besimin personal të Presidentit mund të marrin role me peshë në politikën e jashtme, edhe nëse nuk vijnë nga karriera tradicionale diplomatike.
Tani Zampolli ndodhet në Shqipëri në cilësinë e përfaqësuesit të Presidentit Trump për Partneritetet Globale.Prania e tij në Tiranë pritet të shoqërohet me takime me përfaqësues të politikës shqiptare, qeverisë dhe aktorëve të tjerë.
Përtej CV-së së pazakontë, lidhjes me botën e biznesit dhe historisë së tij personale me Donald Trump, interesi kryesor lidhet me një pyetje: çfarë mesazhi të administratës Trump ka sjellë në Tiranë miku i vjetër i Presidentit amerikan?
