E mërkurë, 29 Prill, 2026

Nga humbja e nënës te sëmundja e bashkëshortit dhe atentati ndaj të atit, Ivanka Trump rrëfen periudhat më të vështira

Share

Ivanka Trump ka ndarë një rrëfim të sinqertë dhe emocional mbi disa nga periudhat më të vështira të jetës së saj, gjatë një interviste në podcastin “Ditari i një CEO”.

44-vjeçarja u përlot teksa kujtoi nënën e saj, Ivana Trump, duke theksuar ndikimin e madh që ajo ka pasur në jetën e saj.

“Nëna ime më mësoi të jap maksimumin në çdo gjë që bëj”, u shpreh Ivanka, duke shtuar se ajo kishte jetuar një jetë të lumtur.

Ajo u ndal edhe te dhimbja e humbjes së një prindi, sidomos kur kjo ndodh papritur, duke e lidhur këtë përvojë me periudhën e pandemisë COVID-19, e cila sipas saj u ka mohuar familjeve shumë momente të rëndësishme. Ivanka përmendi gjithashtu gjyshen e saj, Marie Zelníčková, me të cilën jeton aktualisht në Florida, duke e cilësuar si një figurë të dashur dhe të pazëvendësueshme.

Në intervistë, Ivanka Trump foli edhe për sfidat shëndetësore të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, i cili është përballur dy herë me kancer në tiroide. Ajo tregoi se kjo periudhë e vështirë, së bashku me humbjen e nënës, e shtyu të kërkonte ndihmë përmes psikoterapisë.

“Sapo isha larguar nga Uashingtoni. Jaredit iu diagnostikua për herë të dytë kanceri i tiroides dhe më pas nëna ime vdiq”, tregoi ajo mes emocionesh.

Një tjetër moment i fortë ishte edhe kujtimi i atentatit ndaj të atit, Donald Trump, në Butler, Pennsylvania, në korrik 2023. Ivanka rrëfeu se e ndoqi ngjarjen në kohë reale nga një klub golfi në New Jersey, duke përjetuar ankth dhe frikë për jetën e tij, por duke pasur një ndjenjë të menjëhershme se ai do të ishte mirë.

Ajo zbuloi gjithashtu se ka zgjedhur të falë autorin e sulmit, Thomas Crooks, duke theksuar se falja është e vështirë, por e domosdoshme.

Në përfundim, Ivanka Trump theksoi se këto përvoja i kanë mësuar të mos marrë asgjë si të mirëqenë dhe të vlerësojë çdo moment me familjen dhe njerëzit e dashur.

Te tjera

Lajme te tjera