E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Nën frymën e atdhedashurisë promovohet libri “Zëri im për ty Medvegjë”, avokat Idajet Beqiri dhe intelektualët shqiptarë ngrejnë zërin për të drejtat kombëtare në Luginën e Preshevës

Share

Sot në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua një nga veprimtaritë më kuptimplote për çështjen kombëtare shqiptare. Promovimi i librit “Zëri im për ty Medvegjë” të autores Linda Shaqiri u shndërrua në një tribunë të denjë ku intelektualë, artistë, studiues dhe veprimtarë të shquar ngritën zërin për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ndër figurat kryesore, roli i Avokat Idajet Beqirit u veçua për angazhimin e tij atdhetar dhe mbështetjen e kauzës së Medvegjës shqiptare. Pjesëmarrja e personaliteteve të shquara si Presidenti Alfred Moisiu, Natasha Lako, Ilir Yzeiri dhe shumë të tjerë i dha aktivitetit peshë mbarëkombëtare. Fjala e autores Linda Shaqiri, e sinqertë dhe e dhimbshme, solli me realizëm dramën e përditshme të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Ky promovim u kthye në një thirrje të bashkuar që institucionet shqiptare dhe ajo ndërkombëtare të marrin masa konkrete për mbrojtjen e të drejtave kombëtare në trojet tona etnike.

Ja reagimi i avokat Beqirit në rrjetet sociale:

Sot në datën 27 nëntor 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, me nismën e Shoqatës Atdhetare Kulturore Mallakastra, si dhe me mbështetjen e Shoqatave Atdhetare  “Tirana” OVP e LANÇ-it, “Dibra”,  “Labëria”, “Tafil Buzi”, “Lunxhëria”, “Devolli”,  “Mokra”, “Gramshi”, “Myzeqeja”, “Sofra Pukjane”, Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile etj, në kuadrin e ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizuan promovimin e Librit “Zëri im për ty Medvegjë”, të autores Linda Shaqiri,  Magjistre në Filiologji, zyrtare e lartë në Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal të Kosovës, bijë nga Medvegja e Luginës së Preshevës.

Linda Shaqiri është autore e disa librave me poezi etj, fituese e disa çmimve si dhe një intelektuale atdhetare e spikatur me veprimtari të rëndësishme për çështjen kombëtare shqiptare.

Intelektualë, poetë, shkrimtarë, artistë, politikanë, historianë dhe diplomatë të mirënjohur të Shqipërisë, morën pjesë dhe e mbështetën këtë simbolikë të bukur dhe kuptimplote për Medvegjën tonë shqiptare, si dhe dhanë mesazhet e duhura për çështjen kombëtare shqiptare.

Fjala e poetes, shkrimtares dhe intelektuales Natasha Lako, e cila analizoi në të gjitha dimensionet librin poetik të Linda Shaqirit  si dhe gjithë krijimtarinë e saj, si dhe vlerat si krijuese dhe intelektuale të Linda Shaqirit, e cila nga çdo pikëpamje dhe këndvështrim e solli në Tiranë me gjithë problematikat e saj Medvegjën, këtë pjesë të Kosovës Lindore, e cila ndodhet nën sundimin e Serbisë, ishte vërtetë brilante, posaçërisht për mesazhet që dha.

Një fjalë të ndjerë mbajti rreth librit poetik dhe autores së tij Prof. Ilir Yzeiri, poet, publicist, analist dhe moderator emisioni në RTVSH.

Aktori i mirënjohur Xhelil Aliu dhe shkrimtari, publicisti dhe gazetari Albert Xholi interpretuan poezi nga Libri “Zëri im për ty Medvegjë”.

Me një interesim të veçantë u prit dhe u përcollë fjala e ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë  Gjeneral Alfred Moisiut, i cili dha mesazhe shumë të vlefshme për vëmëndjen dhe punën konkrete që duhet të bëjnë gjithë institucionet e shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe të gjithë faktorët e tjerë, me qëllim që shqiptarët në trojet e tyre, jashtë kufijëve shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë, t’i gëzojnë realisht të gjitha liritë dhe të drejtat që u njihen pakicave kombëtare sipas Konventave Ndërkombëtare.

Me propozim të Kryetarit të Këshillit të Shoqatës Atdhetare “Tirana”, Shkëlqim Hajdari, u vendos që një grupë pune, i përbërë nga intelektualë pjestarë në këtë veprimtari si Prof. Ksenofon Krisafi, Presidenti Alfred Moisiu, shkrimtare e mirënjohur Helena Kadare, Av. Idajet Beqiri, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Neritan Ceka, Prof. Zydi Dervishi,  Prof. Fatos Klosi,  dr. Fatmir Zani, Prof. Ilir Yzeiraj, Poetët e shquar Natasha Lako, Xhevahir Spahiu, Rudolf Marku dhe shkrimtare Flutura Açka,  si dhe kryetarët e të 14 shoqatave atdhetare pjesmarrëse në këtë veprimtari, të përgatisin një dokument mbi gjëndjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në të gjitha trevat e tjera shqiptare që janë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës, i cili do t’i dërgohet gjithë institucioneve të rëndësishme të Europës, Departamentit të SHBA si dhe gjithë institucioneve të shtetit në Kosovë dhe në Shqipëri.

Fjala shumë e ndjerë e poetes dhe intelektuales nga Medvegja, Linda Shaqiri, ishte vërtetë emocionuese, mbresëlënëse dhe me plotë të vërteta të hidhura për jetën e shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, si dhe çfarë kërkojnë ata prej qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe prej gjithë faktorëve të tjerë politikë, intekektualë, të bisnesit dhe shoqëror në të gjitha hapësirat shqiptare.

Te tjera

Lajme te tjera