Ish-funksionari i Partisë Komuniste Muharrem Xhafa, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka rrëfyer detaje nga 20 shkurti i 1991. 31 vite me parë u rrëzua busti i diktatorit Hoxha dhe ka shumë debate nëse u rrëzua nga Partia Demokratike, apo ishte një lëvizje nga brenda sistemit. Xhafa ka qenë pjesë e PPSH në atë kohë dhe ka rrëfyer ata që ndodhte në Komitetin Qendror. Sipas tij, rrëzimi i bustit ishte një tradhti e Ramiz Alisë ndaj partisë. Po ashtu ka treguar se Berisha ishte i porositur prej tij në të gjitha zhvillimet që ndodhën si me protestën e studentëve, ashtu dhe me rrëzimin bustit.
-Zoti Xhafa, të dielën u shënuan 31 vite nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës. Ju keni pasur rol në Partinë Komuniste. Si e patë atë ngjarje, çfarë menduat?
Më 20 shkurt, duke parë ballistët dhe zogistët, që të tërhiqnin bustin e kryetrimit, Enver Hoxha, unë mendova pikërisht, atë gjë, që mendoj edhe tani. Pra, unë mendova dhe mendoj se këto banda ballistësh, më 20 shkurt, arritën ta rrëzonin bustin prej bronzi dhe çeliku të Enver Hoxhës. Por nuk do të arrinin asnjëherë, ta rrëzonin dot, veprën dhe kryeveprën e tij.
-Po por, demokratët e kanë bazën e tyre rrëzimin e komunizmit. Dje pati shumë reagime prej tyre se ishin ata që rrëzuan bustin. Ju mesa unë kam dijeni, e keni ndjekur situatën dhe nga brenda Partisë, kush e rrëzoi në të vërtetë bustin?
Përrallave të dimrit të shkurtit 1991 dhe dënglave të opozitës, që monumentin e Enver Hoxhës e rrëzuan forcat “demokratike” të popullit, reaksioni e llumit socialist, siç llomotiste Alia nëpër dhëmbë, u doli boja! Se pushteti popullor ato i bënte zap për pesë minuta, në emër të ligjit! Populli e kuptoi qartë se monumenti i Enverit nuk u mbrojt dhe se organet e mbrojtjes, të rendit dhe Partia e Punës u nxorën jashtë loje nga Ramiz Alia dhe vegla e tij, Hekuran Isai, me të tjerë rreth kupolës së tradhtisë. Populli e kuptoi qartë se ato 10 a 15 mijë vetë, të mbledhur në sheshin “Skënderbej” shumica sehirxhinj, nuk përfaqësonin e as nuk mund të përfaqësonin popullin shqiptar, forcën e vullnetin e tij
-Ka shumë zëra që thonë se kjo ishte një lloj tradhtie e Ramiz Alisë, i cili po dorëzonte pak e nga pak pushtetin. Sa të vërteta janë të tilla zëra?
Qenë hequr njëri pas tjetrit monumentet e Stalinit dhe Leninit në Tiranë. President i vendit dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ishte Ramiz Alia. Çdo njeri me “dy pare mend në kokë” e kuptoi se ishte Ramiz Alia me të tijtë, jo opozita, ai që i kishte organizuar e realizuar natën këto dy aksione kriminale me mjetet e shtetit. Se pa lejen e tij askush nuk mund të vinte dorë! Ishte ky një matje pulsi edhe për shumë “palokomunistë e paloudhëheqës” të urryer të PPSH-së, një “trokitje” për monumentin e shokut Enver! Përgatitjet, “kopsitur” me Berishën, për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, kishin filluar. Berisha asgjë nuk bënte e nuk mund të bënte pa dijeninë e pa yzmin e “idhullit” të tij, Ramiz Alia.
-Pra sipas jush ishte Ramiz Alia ai cili përgatiti terrenin për rrëzimin e bustit dhe ishte Berisha ai që mori përsipër procesin?
Alia nuk “guxoi” ta shtronte për diskutim në popull çështjen e monumentit të Enver Hoxhës, siç kishte premtuar publikisht në televizionin shtetëror shqiptar. Mjeshtër i kurtheve të errëta, më 20 shkurt 1991, ai thirri dhe mbylli në Sallën e Madhe të KQ të PPSH-së anëtarë të KQ dhe sekretarë të parë të KP të rretheve, ministra e anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, i rrethoi me forcat besnike të tij, që të mos kishin mundësi të reagonin në kohën e beftë, kur ky të jepte lajmin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Hekuran Isai me shokët e tij s’ishte në sallën e mbledhjes, sepse ishte i ngarkuar në krye të operacionit për rrëzimin e monumentit të Enverit, pa i hyrë kujt “gjemb në këmbë”. Në sallë, të pranishmit e kuptuan se ishte ministri i Brendshëm, ai që njoftoi Ramiz Alinë për zbatimin e detyrës, po Alia nuk e njoftoi në çast mbledhjen për çfarë i tha Hekurani, ia la ta sillte lajmin (ai e dinte), pak më vonë, një nëpunësi të stafit të tij. Mjeshtri i kulisave të errëta, ndërsa komunikoi lajmin “tori” ca pallavra për mbrojtjen me çdo kusht të monumentit të Enver Hoxhës, po kjo ishte sa për të kaluar “lumin”! E tradhtoi fytyra e tij e verdhë. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës ishte dëshmia më e qartë që Alia i kishte dhënë fund mbrojtjes së mësimeve të Enver Hoxhës, LANÇ-it dhe socializmit.
-Nëse i lidhim gjërat, rrëzimi i bustit erdhi pas grevës dhe protestës së studentëve. Edhe ato ishin të orkestruara nga Alia?
Lëvizja studentore ’90 nuk erdhi si diçka e beftë, ajo është paraprirë nga të tjera ngjarje, të cilat nisën pas rënies së Murit të Berlinit në fund të vitit 1989. Jam i sigurt që shumë njerëz, intelektualë sidomos, nuk i kanë harruar artikujt e botuar në “Zërin e Popullit”, intervistat në “Zërin e Amerikës”, debatet për idetë e shprehura në to dhe bartësit e tyre, etj. Pse, a nuk i dinte këto zhvillime “të reja” udhëheqja e lartë e Partisë dhe Ramiz Alia, të cilat binin ndesh me vijën politike zyrtare të socializmit?! Të gjitha diheshin, po Ramizi i toleronte dhe i nxiste sa mundej “duke hedhur gurin e fshehur dorën”! Padyshim, ajo që po ndodhte ishte një tatim pulsi dhe njëherësh përgatitje për veprime të tjera në formën e protestave, demonstratave e konflikteve politiko-shoqërore, të cilat, pas futjes së familjes Popa në ambasadën e Italisë, ngjarjes së ambasadave më 2 korrik 1990, eksodit të shqiptarëve drejt vendeve perëndimore e të tjera, nuk do të vononin të dilnin në forma më të ashpra, në dhjetor të vitit 1990 e më pas. Saktë, ato nisën pasditen e 8 dhjetorit të atij viti me demonstratën e studentëve në “Qytet Studenti”. Ndaj them se lëvizja e dhjetorit ‘90 nuk u shfaq “një ditë të bukur” të atij muaji, po erdhi si pasojë e një vargu ngjarjesh të mëparshme, ishte e ideuar dhe e drejtuar me kujdes e nën rrogoz nga agjenturat e huaja, me dijeninë e Ramiz Alisë e të asaj pjese të udhëheqjes, e cila mbështeste Ramizin. Unë nuk dua të hamendësoj, siç dëgjoj të thuhet, se Ramiz Alia ka qenë agjent i vjetër dhe ka punuar kundër socializmit, PPSH-së dhe Enver Hoxhës, qysh kur Enveri ishte në krye të Partisë e të popullit. Po i sigurt jam se, që nga Kongresi i 9-të i PPSH-së e deri në Kongresin e 10-të të saj, në krye të Partisë së Punës e të shtetit shqiptar, Ramiz Alia ka punuar fort për të rrëzuar e për të ç’kurorëzuar Enver Hoxhën, për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri, nën udhëzimet e drejtimin e agjenturave të huaja euroatlantike. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Partia e Punës nuk ishte më Partia që udhëhoqi LANÇ-in dhe ndërtimin e socializmit dhe Shqipëria nuk ecte më në rrugën e revolucionit e të ndërtimit socialist. S’kam qenë anëtar i Byrosë Politike e Sekretar i KQ të Partisë së Punës, domethënë atje ku vendoseshin gjërat në sekret të plotë, por, si shef sektori dhe anëtar i Partisë në një organizatë-bazë me Ramiz Alinë (“çudi” del sot një instruktor më i informuar), nuk kam dëgjuar të flitej prej tij për gabime të Enver Hoxhës dhe për kthim të Shqipërisë në kapitalizëm, përkundrazi. Prandaj them se lëvizja e studentëve të dhjetorit e as ngjarjet para kësaj, nuk janë ideuar e orkestruar nga Partia e Punës. Se komunistëve, organizatave bazë e forumeve të Parisë në rrethe nuk u është shtruar kurrë për diskutim çështja e kthimit në kapitalizëm, as problemi i pluralizmit politik, përkundrazi! Po, koha vërtetoi se në dijeni të asaj ç’ka po ndodhte e dakord për të ecur në rrugën e borgjezisë kishte qenë Ramiz Alia me ndopak të tjerë rrotull tij. Pra, nuk e orkestroi lëvizjen e dhjetorit e kthimin e Shqipërisë në kapitalizëm Partia, po Ramiz Alia, domethënë tradhtia me besnikët e vet në “ilegalitet” të thellë! Duke i bërë gjërat fakt të kryer, Ramiz Alia, për fundin e socializmit dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e kapitalizmit, ka folur hapur pas 9 dhjetorit, pas pranimit e zyrtarizimit të pluripartizmit dhe krijimit të Partisë Demokratike e asaj Republikane. Pa dyshim, dukuritë që po ndodhnin ishin qartazi kapitaliste, të imponuara nga jashtë, nga presioni i kapitalizmit. Po komunistët mendonin se gjërat do të ndryshonin përsëri në favor të socializmit dhe se Ramiz Alia nuk i kishte tradhtuar, prandaj ndaj tyre veprohej me maturi, për të mos shkuar drejt dhunës. Po kjo nuk do të thotë se ishte Partia e Punës ajo që e solli kapitalizmin, që orkestronte lëvizjen studentore të dhjetorit ose dukuritë e tjera kapitaliste, jo! Partia e Punës u tradhtua! Këtu ka të tjera gjëra për të thënë në lidhje me përgjegjësitë e saj, po kjo nuk i përket kësaj interviste.
-Thënë më troç, a ishte Sali Berisha ndër personat më besnikë të Ramiz Alisë?
Pa nxitjen, mbështetjen, udhëzimet, takimet e Ramiz Alisë nuk do të ishte krijuar as PD-ja, as Partia Republikane. Se jo kot ai thërriste në shtëpi e në zyrën e tij dhe ngarkonte me detyra specifike për “mbarëvajtjen” e protestave të studentëve, Sali Berishën, Sabri Godon e të tjerë. Sidoqoftë, kjo nuk ka qenë veprimtari e Partisë së Punës, po punë e fshehtë e Ramiz Alisë kundër Partisë. Pa idhullin e tij, Ramiz Alinë, pa tradhtinë e Ramiz Alisë, Sali Berisha kurrë nuk do të kishte ardhur në pushtet! Ai do të kishte ndenjur gjatë nën gurë po të mos e nxirrte prej andej, t’i jepte zemër e ta çonte te studentët Ramiz Alia me Rajersonin e CIA-s! Madje, unë e kam thënë edhe më herët për gazetën tuaj se Ramiz Alia i dha dorën Berishës që në 8 dhjetor, më pas bashkëpunimi i tyre kulmoi në “20 Shkurt” të vitit 1991 dhe në 22 mars të vitit 1992.
Intervisoti: Rigels Seliman