Muharrem Xhafa, Shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, rrëfen ngjarjet e 2 Prillit të vitit 1991, ku gjatë një proteste në qytetin e Shkodrës, mbeti i vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka. Asokohe zoti Xhafa, me urdhër të ish-presidentit Ramiz Alia, ka shkuar në Shkodër për të qetësuar situatën 2 ditë pas manifestimit të Partisë Demokratike kundër zgjedhjeve të 31 marsit të vitit 1991, që i fitoi Partia e Punës së Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën “Sot”, ish-funksionari i lartë i PPSH zbuloi se Sali Berisha me ndihmën e UDB organizoi revoltën e 2 Prillit dhe vrasjen e Arben Brocit dhe të tre të rinjve të tjerë, ndërsa sipas tij, tentoi të shpallte Shkodrën Republikë. Madje zoti Xhafa theksoi se, pasi PD erdhi në pushtet, organizoi gjyqin e 2 Prillit, ku sipas tij, arrestoi shumë të pafajshëm për vrasjet, të cilat i kishte organizuar vetë.
-Zoti Xhafa, sot shënohen plot 31 vite nga masakra e 2 prillit e vitit 1991, ku gjatë një proteste masive të organizuar në qytetin e Shkodrës mbetën të vrarë 4 qytetarë. Si e kujtoni ngjarjen e 2 prillit ’91, në një kohë që ende ishit Shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës?
Padyshim që 2 prilli i vitit 1991 në Shkodër ka qenë një ngjarje e rëndë dhe krejt e padëshirueshme, që ndodhi dy ditë pas fitores së thellë të zgjedhjeve të para të përgjithshme pluraliste të 31 marsit 1991 të organizuara e të fituara nga Partia e Punës e Shqipërisë. Ishte e qartë se kjo fitore e merituar e PPSH nuk mund t’i vinte për mbarë Partisë Demokratike, ndonëse në rrethin e Shkodrës kishin fituar në zgjedhje të gjithë kandidatët e saj për deputetë. PD-ja agresive, duke pretenduar me të padrejtë që zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 31 marsit 1991 nuk kishin qenë të rregullta (në fakt ato kishin qenë krejt të rregullta), gjatë natës së 1 prillit 1991, organizoi një manifestim kundër Partisë së Punës, që, ndonëse kaotik, në përgjithësi, u zhvillua i qetë, si të thuash paqësor, po dora-dorës doli nga “shinat”, sepse nisën të hidheshin deri parulla për ndarjen e Shkodrës nga Shqipëria, për Shkodrën Republikë etj. Gjithsesi, pavarësisht akuzave të PD-së, forcat e rendit të Shkodrës u përmbajtën dhe nuk kundërvepruan mbi manifestuesit, mbasi deri këtu një ndërhyrje e tyre ishte e panevojshme.
-Ky manifestim vijoi edhe më 2 prill, ku humbën jetën aktivisti i PD, Arben Broci dhe disa të rinj të tjerë. Kush qëlloi mbi turmën?
Duke qenë i tillë, PD-ja nuk u kënaq me këtë manifestim dhe mori vendim ta përsëriste manifestimin, të bënte një manifestim tjetër, të dytë, të nesërmen, më 2 prill, veçse ky duhej të ishte i dhunshëm! Dhe kështu ndodhi, kësaj radhe turma e njerëzve qe e madhe, e acaruar. Frymëzuar me egërsi nga PD-ja, ajo iu drejtua godinës së Komitetit të Partisë së Punës të Shkodrës jo vetëm me parulla separatiste, po edhe me gurë e duke thyer xhamat e saj. Si të mos mjaftonin këto, një grup i organizuar protestuesish tentoi edhe të futej me forcë në godinën e Partisë, i vuri zjarrin asaj dhe ata bënë gjithçka mundën tjetër! Ishte në detyrën e ligjshme të organeve të rendit që qyteti e rendi ligjor të mos liheshin si peng i disa njerëzve me ndërgjegje të turbulluar e të padenjë si qytetarë të Shkodrës. Kështu, të gjendur para një situate të tillë kërcënuese e destabilizuese, që u shërbente vetëm armiqve të Shqipërisë, erdhi edhe reagimi i forcave të rendit, të cilat ndërhynë për t’i shpërndarë pjesëmarrësit e këtij manifestimi të paligjshëm. Në rrëmujën e krijuar qëllimshëm janë dëgjuar deri thirrje fashiste, të shtëna me armë, u vranë katër të rinj të pafajshëm, ndër ta Arben Broci, një aktivist i njohur i PD-së. PD-ja, së cilës i ishte lënë nga Ramiz Alia terren i gjerë për të vepruar, u përpoq dhe e shfrytëzoi politikisht fort në interes të saj këtë ngjarje të hidhur. Ajo mori në mbrojtje dhunuesit e rendit publik duke përcaktuar edhe “fajtorët” e ngjarjes, u hodh në sulm kundër shtetit, Partisë së Punës, forcave të rendit, Presidentit të Republikës, ndërmori një fushatë të egër propagandistike antikomuniste, që edhe më parë kishte shpërthyer gjerë në atë kohë, për të sajuar e krijuar një opinion të gënjeshtërt dhe për t’ia faturuar përgjegjësinë e ngjarjes e krimin e 2 prillit Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila s’ishte e interesuar aspak për të nxitur provokacione e ngjarje të tilla! Se ajo (PPSH) kishte fituar me zgjedhje, të cilat u vlerësuan të drejta e të lira edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, dy të tretat e vendeve të Kuvendit dhe pra kërkonte që të kishte qetësi e stabilitet të vërtetë, gjë që e vërtetonte si veprimtaria e saj para e gjatë zgjedhjeve, po ashtu edhe pas fitores së merituar të 31 marsit.
-Pasi PD mori pushtetin u zhvillua gjyqi për 2 prillin. Pse ende nuk janë gjetur autorët e vrasjes së Arben Brocit dhe tre të rinjve të tjerë?
Shiko, pavarësisht se çfarë pretendohet, shkruhet e thuhet pas 31 vitesh, pas ngjarjes së 2 prillit, koha ka vërtetuar se nuk kishte ndodhur kurrgjë kriminale më 2 prill, që të mund të përziente e të inkriminonte organet shtetërore e Partinë e Punës, tjetër që PD-ja kërkonte t’i bënte ato përgjegjës me çdo kusht! Hapur, ky qëndrim hakmarrës, u vërejt pasi PD-ja e Berisha morën pushtetin dhe organizuan një gjyq farsë, të njohur si gjyqi i 2 prillit, pa fakte konkrete, duke dënuar disa nga drejtuesit kryesorë të organeve të rendit të Shkodrës e të qendrës, si edhe Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të Shkodrës, Xhemal Dymylen. Populli që ka ndjekur gjyqin e 2 prillit të Shkodrës është bindur se dënimi që atëherë iu dha njerëzve të pafajshëm ishte thjeshtë një dënim politik, i cili synonte goditjen e Partisë së Punës dhe të pushtetit të asaj kohe, siç tregoi edhe që Berisha me PD-në e tij nuk ndalen në hakmarrjen patologjike të tyre përpara asnjë veprimi, kur u duhet për të realizuar qëllimin e urrejtjen ndaj të tjerëve. Ata u dënuan padrejtësisht, por asgjë nuk u gjet e nuk u provua as në gjyq e as më vonë, që të mund të vërtetonte inkriminimin e organeve shtetërore, të PPSH e të drejtuesve të tyre.
-Përse Ramiz Alia vendosi t’ju dërgojë pikërisht ju në Shkodër dhe jo një tjetër në atë kohë?
Unë këtë përgjigje nuk mund ta jap tamam të saktë, sepse, që atëherë, kanë qarkulluar zëra e hamendje të ndryshme! Po, një herë tjetër mund t’ju them diçka më shumë, sepse zbërthimi i pyetjes suaj kërkon një reflektim e analize më të gjerë. Ramiz Alia më thirri më 4 prill 1991 në mëngjes dhe, ndonëse unë isha njohur profesionalisht me ngjarjen, ai më bëri një paraqitje edhe më të plotë, pastaj më komunikoi vendimin e udhëheqjes për të shkuar në Shkodër. Shiko, biseda me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH nuk u zhvillua krejt e qetë për shkak të marrëdhënieve jo të ngrohta që unë kisha me të kohët e fundit. Ama, ai më dha kompetenca të plota për të vepruar duke më këshilluar që primare të ishte qetësimi i situatës, organizimi i partisë, që kishte dalë jashtë dorë, vendosja e rendit dhe rivendosja e besimit të komunistëve dhe masave të popullit te Partia e Punës e pushteti popullor. Në atë takim ishte edhe Tereze Marubi, ish-kryetare e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës dhe Gëzim Podgorica. Kur unë shkova në Shkodër në detyrën e drejtuesit të parë të KP të rrethit të Shkodrës flitej se viktimat e ngjarjes së 2 prillit u vranë nga shteti i asaj kohe me dashje dhe për qëllime politike, por kjo nuk mbështetej në asnjë fakt real e ligjor dhe as është e vërtetë. Bëhej fjale edhe, madje më shumë “garanci”, se vrasjet u bënë nga vetë opozita e kohës, d.m.th nga Partia Demokratike, në bashkëpunim agjenturor me agjenturat e huaja. Në gjyqin për viktimat e 2 prillit, që u zhvillua pas disa vitesh, organet e drejtësisë, që atëherë komandoheshin nga PD-ja, e cila erdhi në pushtet më 22 mars 1992, konkluduan “se personat e akuzuar dhe që u dënuan” ishin urdhëruar” prej pushtetit të kohës”, por ata, ndonëse as kanë vrarë e as kanë pasur dëshirë të kishte pasoja tragjike, i kanë lejuar ato të ndodhin”! Familjarëve të viktimave kjo gjë nuk u duhet. Atyre u duhet e vërteta, e cila nuk është zbardhur. Dhe nuk është zbardhur siç ka ndodhur edhe për raste të tjera, për shumë shkaqe me natyrë objektive e subjektive, po që duhet të zbardhet! Se kur do të zbardhet e vërteta, kjo nuk është lehtë të thuhet, po bindja ime është se vrasjet janë organizuar nga opozita e kohës, sepse dihet se kujt i interesonte ngjarja e 2 prillit e kush do të përfitonte prej saj, doemos duke pasur gisht a më shumë se gisht shërbimet e huaja.
-Komunistët akuzojnë PD dhe Berishën se ka ardhur në pushtet me ndihmën e qarqeve të jashtme antishqiptare. Sa e vërtetë është?
Sot, përfituesit e ngjarjes së Shkodrës, për të ngritur “vlerat” e veta antikomuniste, përpiqen t’ia shesin shqiptarëve 2 prillin si ditën kur u përmbys “diktatura komuniste”. Është krejt e qartë tashmë se për ngjarjen tragjike të 2 prillit të vitit 1991 e për destabilizimin e vendit me anë të saj nuk ishin të interesuar as Partia e Punës e as organet e pushtetit, as populli i Shkodrës. Se, siç thamë, zgjedhjet e 31 marsit u zhvilluan normalisht, në qetësi e në përputhje me ligjet në fuqi, çka nuk e dëshironin në mënyrë të veçantë jugosllavët, federata e të cilëve kishte nisur të shpërbëhej dhe Kosova kërkonte pavarësinë e saj. Për të ardhur në pushtet, për të destabilizuar vendin, mbështetur edhe prej forcave të reaksionit brenda e jashtë vendit, të interesuar ishin PD-ja me Sali Berishën dhe forcat e jashtme armiqësore ndaj Shqipërisë, ku rol të dorës së parë ka pasur ndërhyrja e jashtme, në veçanti ajo e Serbisë dhe e Greqisë. Se ngjarja e Shkodrës nuk mund të ndodhte e të përfundonte në mënyrë tragjike pa ndërhyrjen e jashtme, të cilat kërkonin me çdo kusht që edhe Shqipëria të kishte Timishuarën e saj. Në veçanti UDB-ja jugosllave gjeti rastin e shumëpritur për të ngritur Shkodrën në këmbë, dëshmi që tregon se ajo ka pasur atje një mbështetje jo të paktë. Ngjarja e 2 prillit 1991 në Shkodër ka qenë një kombinim tragjik i interesave të fqinjëve tanë të Veriut, e “fqinjëve” më të largët, që kërkonin shpagim, mbasi pushteti popullor ua kishte thyer turinjtë dekada të tëra dhe i sharlatanëve politikë vendës të kryesuar nga Berisha në krye të PD-së, që donin të merrnin pushtetin me çdo kusht, nxitur e mbështetur prej “fqinjëve” të largët e të afërt të Shqipërisë Popullore e Socialiste. Viktimat e 2 prillit të Shkodrës dihen, po kriminelët që i vranë e përfituan prej tyre, të cilët, më 22 mars 1992, morën pushtetin, as janë deklaruar as janë ndëshkuar! 2 prilli i vitit 1991 bën apel edhe pas 25 vitesh për vigjilence!
Intervistoi: Rigels Seliman