20 persona kanë mbetur të plagosur nga era e fortë dhe shiu në Tiranë. Ata janë paraqitur në Spitalin e Traumës duke kërkuar ndihmë mjekësore.
Bëhet me dije se pas mjekimit 10 prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa 10 të tjerët po marrin aktualisht mjekim.
Këta persona janë dëmtuar nga stuhia, duke u goditur nga sende të forta, të cilat kanë fluturuar në ajër ditën e sotme për shkak të erës së fortë.
Ndërkohë kujtojmë se disa qytete u ‘zhytën’ totalisht nën ujë, nga reshjet e dendura të shiut që shoqëruan stuhinë e erës.
Institucionet e ndryshme u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesve të automjeteve që të rrisin vigjilencën.
Si pasojë e erës në të gjithë kryeqytetin ka dëme të shumta, nga rrëzimi i pemëve, te shkatërrimi i objekteve të ndryshme metalike e llamarine. Probleme u hasën pranë ish-stacioni i Trenit, Shkolla e Bashkuar, Komuna e Parisit, “5 Maji”, Kombinat, apo te zona e Oxhakut, duke bllokuar dhe qarkullimin.
Ndryshimi i papritur i motit solli probleme edhe në aeroportin e Rinasit. Gjithashtu pati vonesa me 14 fluturime në mbërritje dhe 7 në nisje. Ndërkohë 5 fluturime të tjera janë anuluar: Hamburg-Tiranë, Tiranë-Hamburg, Pescara-Tiranë, Tiranë-Pescara dhe Tiranë- Verona.
Instituti i Gjeoshkencave ka bërë me dije se sot dhe nesër priten reshje intensive shiu në qarqet: Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Reshje mesatare deri intensive do të ketë në: Shkodër, Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa reshje mesatare në Kukës dhe Fier. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata, të cilat mund të shkaktojnë probleme si vërshime në zona urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.
