MALIQ– Efektivi i forcave ‘Shqiponja’ Enea Mekolli 34 vjeç, mbeti i vrarë me plumb në kokë ndërsa kolegu i tij Edison Adri 36 vjeç u plagos si pasojë e shkëmbimi zjarri në një stan në Lozhan të Maliqit. Autor është Violand Braçellari 43 vjeç, i dënuar në mungesë me 10 vite burg për ‘Prodhim e shitje të narkotikëve’.
Braçellari fshihej në stan ndërsa policia kishte rënë në gjurmët e tij dhe shkoi për ta arrestuar. Stani u rrethua ndërsa 43-vjeçari nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për tu dorëzuar, por hapi zjarr me kallashnikov në drejtim të efektivëve ku për pasojë vrau njërin prej tyre dhe plagosi një tjetër. Ky i fundit është dërguar me helikopter të ushtrisë drejt Traumës me plagë në pjesën e nofullës.
Policia iu kundërpërgjigj po me armë duke e plagosur autorin me 1 plumb në bark dhe 2 në dorë. Ai është arrestuar ndërsa fillimisht është dërguar për mjekim në spitalin e Korçës ndërsa do të dërgohet te Trauma për mjekim të specializuar.
Në momentin e arrestimit, autori ka treguar gjakftohtësi të plotë. Pavarësisht tre plumbave të marrë në dorë dhe bark, jashtë kamerave, personat qe e shoqëruan me ambulancë tregojnë se në asnjë moment nuk rënkonte. Po ashtu, ai nuk ka shfaqur në asnjë moment pendesë.
Braçellari rezulton me precendentë të mëparshme kriminale dhe cilësohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2017, ai është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës dhe u shpall fajtor për prodhim dhe trafik narkotikësh. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, Apeli si edhe Gjykata e Lartë me një vendim të marrë në janar 2024.
Mbetet mister se si Braçellari u lirua nga qelia, kur ai ishte arrestuar dhe mori edhe një vendim me 10 vite burg nga Gjykata e Korçës.
Në vitin 2024, Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj shtetasit Valdet Bezhani. Në janar 2026, Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancën gjyqësore, pasi ai nuk ishte gjetur në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.
