Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të kësaj periudhe në Ligën A të Ligës së Kombeve, me Spanjën dhe Anglinë që kanë marrë pikët e plota.
Spanja vuajti deri në minutat e fundit përballë Kroacisë, por doli nga Spliti me fitoren 2-1.
Kroatët zhbllokuan ndeshjen në minutën e 17-të. Pas goditjes së Igor Matanovic dhe pritjes së Unai Simon, Ivan Perisic përfitoi nga topi i kthyer dhe e dërgoi me kokë në rrjetë.
Spanja reagoi dhe barazoi shifrat në minutën e 60-të. Dani Olmo asistoi për Mikel Merinon, i cili mposhti portierin kroat dhe riktheu baraspeshën.
Situata u komplikua për Kroacinë në minutën e 80-të, kur Perisic mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 lojtarë.
Spanja shfrytëzoi epërsinë numerike dhe goditi në minutën e 89-të. Martin Zubimendi dhe Mikel Merino kombinuan në aksionin vendimtar, me këtë të fundit që shënoi golin e dytë personal dhe vulosi fitoren 2-1.
Në ndeshjen tjetër, Anglia nuk hasi probleme ndaj Republikës Çeke dhe fitoi 3-0 në “Wembley”.
Anglezët kaluan në avantazh në minutën e 27-të, kur Vladimir Coufal devijoi në portën e tij topin e futur në zonë nga Harry Kane.
Kapiteni i Anglisë mori më pas skenën. Në minutën e 40-të, Kane shënoi për 2-0 pas asistit të Morgan Rogers, ndërsa në minutën e 57-të realizoi edhe golin e dytë personal.
Sulmuesi përfitoi nga krosimi i Lewis Hall pas një goditjeje këndi dhe vulosi rezultatin 3-0 për Anglinë.
