E martë, 14 Korrik, 2026

Kuvend/ PD e PL bojkotojnë seancën, PS debat me opozitën e re! Muçi: Kujdes kur talleni me protestuesit! Balla: Flamingot fluturuan kur hynë Saliu, Gonia e Qorri

Share

PD e PL e bojkotuan edhe këtë seancë plenare, deri kur sipas tyre mazhoranca të pranojë debatin e të shqyrtojë kërkesat e protestuesve në Parlament.

Socialistët tëvetëm në sallë dhe me numrat e mjaftueshëm, debatin politik e zhvilluan me opozitën e re, dy deputetët e “Lëvizjes Bashkë” e Partisë Mundësia.

Kartonët e kuq që ngritën kundër interpeleancës së kërkuar nga deputeti Erald Kapri për çështjen e Rrjollit e Zvërnecit ishin përplasja e parë që rriti tensionet.

“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne ministrin e Brendshëm. Me ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me Policinë e Shtetit që ka dalë nga shinat. Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodygardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licencat. Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin”, tha Erald Kapri.

Sjellje këto që sipas Kaprit po shënojnë fundin politik të mazhorancës, ndërsa përplasjen e kishte nominale me Taulant Ballën.

Erald Kapri: Për ju zoti Balla janë mbushur koshat me foton tuaj… mund të gjesh vetëm në Bruksel rehat kur shkon e luan bixhoz.

Taulant BallaDuhet të jesh maskara që një lojë me letra mes miqsh ta quash bixhoz. Ti erdhe deputet në këtë sallë falë numëruesve të Partisë Socialiste. Më dërgoje mesazhe që t’u kërkoja numëruesve tanë të mbronin votat e tua, se po t’i vidhte Partia Demokratike. I kam mesazhet dhe mund t’i bëj publike. të kam thënë mos u kruaj me mua.

Ndërsa deputeti i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi debatin e orientoi tek protesta 43 ditore. Ai e akuzoi Ballën se po tallet me protestën, duke i thënë se duhet të ketë kujdes pasi përballë nuk ka protestuesit e Saliut. Në replikë, Balla tha se përfshirja me zor në protestë e Sali Berishës, Agron Shehajt e Arlind Qorit, solli përçarje.

“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde”, tha Redi Muçi.

“Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones. Flamingot janë zog shumë i pastër dhe nuk rri me llumin, prandaj ikën nga ju, llum”, iu përgjigj Balla.

Megjithatë, mazhoranca socialiste kishte edhe një tjetër shqetësim: Atë që e quan sulm të koordinuar ndaj bizneseve me vlerësime negative online.

“Është bërë nën dirigjimin e disa prej opozitave të vogla të Shqipërisë. Nëse nga pjesa më e madhe e mazhorancës bëhet sakrifica maksimale që të arrijmë objektivin e kërkuar nga shqiptarët, mos bëni të kundërtën. Kur humbet turizmi, humbet çdo familje e nderuar dhe e respektuar shqiptare që punon me djersën e ballit”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.

Në nisje të seancës plenare, kryetari i kuvendit njoftoi rrëzimin e dy kërkesave për pyetje-përgjigje, lidhur me ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano dhe për funksionimin e Aeroportit të ri të Vlorës, me argumentin se këto çështje janë trajtuar më herët në parlament.

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e 10 projektrezolutave të institucioneve të pavarura mi veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2025.

Te tjera

Lajme te tjera