Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu tha në Kuvend se gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes. Këto auditime, theksoi ai, janë kryer në 205 subjekte, 97 prej të cilave njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore ndërsa janë 13 institucione të pavarua.
Për këto auditime, janë dhënë 194 opinione, shoqëruar me 4378 rekomandime dhe masa organizative e administrative. Shehu theksoi gjithashtu se niveli i pranueshmërisë të këtyre rekomandimeve ka arritur në masën 90%, nga të cilat 70% janë pranuar plotësisht, pjesërisht ose në proces. Sipas tij, gjatë 2024, kanë bërë 13 kallëzime penale, që përfshijnë rastet kur auditimi ka konstatuar veprime apo mosveprime në shkelje të ligjit. Po ashtu, kanë vënë në dispozicion të Prokurorive edhe 35 materiale për hetime.
“Gjatë 2024, kemi kryer 159 auditime në gjithë nivelet e qeverisjes. Sipas llojit, 45 auditime janë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 të teknologjisë së informacionit, dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Janë kryer në 205 subjekte, 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarua dhe 20 ende publikë.”, tha Shehu.
Duke u ndalur te prokurimet publike, ai theksoi se ka pasur shkelje në vlerësimin e projekteve, parregullsi në kontrata, kufizim të konkurrencës si dhe mungesë të kontrollit të brendshëm. Në kontratat koncesionare, shtoi Shehu, ka pasur mangësi në respektimin e kritereve financiare dhe pagesa për shërbime të pakryera ose pjesërisht, përfshirë raste me tejkalim të buxhetit në sektorin e shëndetësisë.
“Në një pjesë të kontrolleve të institucioneve të audituara, janë evidentuar problematika në regjistrimin e plotë të pasurive të paluajsthme dhe përgatitjen e dokumentacionit pronësor. Procedura e marrjes në dorëzim dhe klasifikimi i pronave publike vazhdojnë të përbëjnë rrezik për tjetërsimin e tyre dhe në detyrimet të papaguara dhe debitorë janë konstatuar diferenca mes shifrave të regjistruara dhe asaj reale dhe pasaktësi në llogaritjen e kamatvonesave. Problematikat në prokurime përfshijnë planifikim jo të harmonizuar me nevojat reale dhe fondet e disponueshme, kufizim të konkurrencës, pa rregulli në kontrata dhe mungesë të kontrollit të brendshëm.”, tha ai.
Shehu konfirmoi se janë në proces auditimi edhe për Bankers Petroleum, rrugën Thumanë-Kashar dhe anijet energjetike në Vlorë. I pyetur se përse vazhdon pagesa për kontratat PPP të Check up Sterilizimit dhe dializës, ku vetë KLSH ka evidentuar pagesa të tepërta për raste që nuk janë kryer, ai tha:
“Duke pasur parasysh vëmendjen e cila është drejtuar institucionit nga deputeti Erion Brace për një vëmendje të veçantë të këtyre koncesioneve në tërësi, KLSH mbas një analize të këtyre ditëve, ka vendosur kryerjen e veprimeve në mënyrë të veçantë për të plotësuar kërkesat. Për veprimet tona audituese do t’ju vendosim në dijeni.”
Për auditimet në dogana dhe të administrimit të të ardhurave tatimore kanë nxjerrë në pah mangësi në klasifikimin tatimor, vlerësimin doganor dhe penalitete të paaplikuara. Në sektorin e shëndetësisë, ai tha se janë evidentuar shumë mangësi në administrimin e pajisejeve dhe personelit mjekësor. Theksoi gjithashtu se sfidë mbeten edhe ndryshimet klimatike, ku përpjekjet institucionale mbeten të kufizuara.
“Në sektorin e shëndetësisë, auditimet evidentuan mangësi në administrimin e pajisjeve edhe personelit mjekësor duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe rritje të kostove. Shpërndarja e tyre nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë, ndërsa përkujdesja ndaj pacientëvee rezulton e pamjaftueshme. Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme, ku mungesa e infrastrukturës së duhur dhe praktikave të sigurta rrezikon shëndetin publik dhe ndikon negativisht në mjedis”, shtoi ai.
