Deputetja e Partisë Socialiste, Besa Spaho, ka bërë të ditur se në mbledhjet e fundit të Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm janë shqyrtuar disa nisma ligjore me rëndësi për mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Në një prej mbledhjeve, komisioni ka diskutuar:
- Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2020, Për ndryshimet klimatike”;
- Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10304, datë 15.7.2010, Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas Spahos, këto ndryshime synojnë “forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”.
Gjithashtu, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me aktorë të interesuar për projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”.
Qëllimi i diskutimit ishte marrja e mendimeve dhe propozimeve për përmirësimin e nismës, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis dhe në zhvillimin e ekonomisë qarkulluese.
