
Kandidati i Partisë Demorkatike për Bashkinë e Dibrës, Luan Haka shprehet i bindur se ka ardhur koha që bashkia e Dibrës t’iu kthehet dibranëve dhe se sipas tij, ky premtim do të përmbushet këtë të dielë, ku vota plebishitare e demokratëve do të rrëzojë nga pushteti mjerimin që qeveria “Rama” ka mbjell në qytetin Veri-Lindor. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, zoti Hoti ka shpalosur disa nga prioritet e tij kryesore që do të marrin jetë sapo ai të zgjidhet kreu i ri i Bashkisë Dibër, ndërsa premtoi se ai do të jetë zëri i qytetarëve. Sipas tij, Dibra nuk do qëndrojë peng i interesave të pushtetit, duke thumbuar kështu Partinë Socialiste dhe koalicionin “Shtëpia e Lirisë”.
-Cili është kandidati i Partisë Demorkatike për bashkinë e Dibrës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit? Z. Luan Haka, pse u zgjodhët pikërisht ju në këtë garë që edhe pse e pjesshme, ka rëndësinë e vet simbolike në politikë, aq me tepër në këtë stad të zhvillimeve në PD
Jam bir Dibre me breza të tërë, lindur në fshatin Cerjan dhe banoj familjarisht në Peshkopi me bashkëshorten dhe dy djemtë. Zotëroj bizneset e mia por kam patur përvoja dhe në institucione të administrimit të politikave lokale. Kam një eksperiencë të gjatë të përfshirjes politike ne degën e PD, të mbështetjes së shumë aksioneve dh e fushatave të opozitës dhe kam stazh të vjetër partiak që nga anëtar i Partisë Demokratike, sekretar, kryetar seksioni dhe aktualisht Sekretar i Degës së Partisë Demokratike, dega Dibër. Në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 ishte kandidat për Deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pra kam një mbështetje të gjerë në radhët e degës së partisë, por edhe komunitetit dibran në tërësi në Tiranë. Them se jam përzgjedhur nga forumet dhe kryetari i partisë edhe për faktin se në Dibër më respektojnë shumë për faktin se përpiqem shumë t’i gjendem njerëzve në halle e probleme. E dua shumë Dibrën dhe mundohem gjithmonë të sjell një kontribut për të, përmes punësimit, mbështetjes së të rinjve, nismave për bamirësi, ndonjë investimi simbolik etj. Unë përkushtohem shumë për Dibrën , dua ti shërbej dibranëve dhe këtë qasje e kam dhe si slogan fushate. Jam një njeri me shumë vullnet, punëtor dhe kokëfortë për të. arritur rezultatin që dua. Do punoj me përkushtim transparencë dhe përgjegjësi maksimale pas fitores pasi dua që Dibrës ti kthehet krenaria, rinia e ikur dhe besimi i njerëzve që jeta mund të zhvillohet dhe këtu.
-Cilat do të jenë prioritetet e punës suaj sapo të merrni drejtimin e bashkisë , pra dhe një përmbledhje të programit?
Dibra është bashkia me buxhetin e investimeve më të ulëta dhe kjo braktisje e vëmendjes së pushtetit pasqyrohet kudo në njësitë vendore dhe në qytet. Por me duhet të theksoj se, Dibra duhet të hyjë tek ndërgjegje e rënduar e politikës shqiptare pra e pushteteve në tërësi në këto 32 vjet pluralizëm, për një lënie në harresë dhe mungesë serioze të investimeve. Mungon tërësisht një sistem funksional Ujësjellësi të furnizojë qytet e fshat me ujë të pijshëm ndërkohë që jemi një zonë plot me burime ujore. Nuk funksionojnë lidhjet elektrike, mungon energjia për ditë të tjera në fshatra veçanërisht kur është dimër. Rrugët janë të pakalueshme nga mungesa e asfaltimeve, pa ndriçim të rregullt, pa trotuare, pa fasada të mirëmbajtura dhe Peshkopia është një qytet me ndotje të konsiderueshme mjedisore. Dibra vuan nga një varfëri e madhe ekonomike me papunësi të lartë, ku dhe qindra familje nuk marrin mbështetje ekonomike, ndërsa dhjetra biznese familjare mbyllen çdo ditë. Të rinjtë dhe shumë familje ikin me shumicë. Në këtë kuadër prioritet e mia do të jenë një masë reformash të parashikuara dhe në programin e PD që do të sjellin një zhbllokimit të sistemit më jetik atë të bujqësisë ku fermerë e blegtorë po falimentojnë nga kriza e thellë. Do punojmë që të krijojmë kushte për tregje shitjesh, liberalizim të çmimeve aktualisht shumë të larta të imputeve, karburantit. Do ndërhyjmë për zhbllokim të subvencioneve ndaj fermerëve dhe blegtorëve përmes edhe bashkëpunim me grante ndërkombëtare. Sot kur tregjet janë të hapura dhe flitet për Open Balkan ,fermerëve dibranë u kalben prodhimet sepse nuk ka infrastrukturë ndërlidhëse as me qytetin e as me kryeqytetin në një kohe evidente, nuk ka mjedise grumbullimi e konservimi, nuk ka lobim për marrëveshje me kompanitë e mëdha të eksportit, pra shteti i ka lënë jetimë fermerët. Kryeministri dhe ministrja e bujqësie bëjnë vetëm propagandën fallco në televizione dhe rrjete sociale dhe nuk kanë guxim të përballen me dibranët këtu në fshatra. Të gjitha këto shqetësime janë ne axhendën time si qytetar Dibre dhe si politikan. Prioritet do të jenë bizneset e vogla përmes rishikimit të taksave lokale dhe mbështetjes ekonomike të shtresave në nevojë.
-Tashmë që rruga e Arbit do të përfundojë dhe bën Dibrën më të aksesueshme. Keni një plan për ta kthyer atë në destinacion turistik…
Dibra dhe malësitë e saj kanë resurse të pafundme natyrore mrekulli të Zotit por që po shkatërrohen nga ambiciet dhe grabitjet e individëve me pushtet por dhe njerëzve të papërgjegjshëm. Rasti i pyjeve të dëmtuara rëndë veçanërisht në Lurë me 7 liqenet e famshme është dëshmi e mosndërhyrjes në kohë të shtetit. Unë kam një program të detajuar dhe të realizueshme për zhvillimin e turizmit në Dibër. Në mënyrë të përmbledhur do të theksoja liqenet akullnajorë të Lurës dhe të Kacnisë, perlat e natyrës së Dibrës që qëndrojnë të fshehura, do të lidhen me akse rrugore për të qenë të aksesueshme nga vizitorët. Promovim i gjerë brenda dhe jashtë i këtyre destinacioneve të veçanta. Hartimin e një plani fizibiliteti për kthimin si të lundrueshëm të Drinit në gjatësinë e tij prej 15 km duke e kthyer Luginën në një destinacion kyç të turizmit. Korabi, mali më i lartë në Shqipëri, i pa arritshëm për shumicën e njerëzve të interesuar, do të bëhet i vizitueshëm përmes hapjes së shtigjeve dhe rrugëve të fshatrave që janë poshtë tij.
zhvillim i bujtinave dhe resurseve njerëzore në shërbim të turistëve dhe pushuesve nga trevat jashtë kufirit, në Lurë, Radomirë, Rabdisht, Kërçishtë etj;
nxitja e shërbimeve turistike si kulinaria, veshjet, produktet artizanale;
njohja me eposin, etnografinë dhe pasuritë e kulturë shpirtërore, mikpritja historike e orës së Dibrës
Plani ynë është të ngrejmë sektorin e turizmit dinamik në çdo stinë të vitit në Dibrën e bukurisë natyrore , mikpritjes dhe traditave të shkëlqyera.
-Çfarë vlerësimi keni për kundërshtarët tuaj në këtë garë? Keni edhe kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” që drejtohet nga ish-kryeministri Berisha, z. Kryemadhi?
Unë jam njeri që i përkas më së shumti botë së biznesit dhe tempi im politik lidhet me një qëllim, fitoren e PD. Ne kemi vetëm një kundërshtar dhe ai është kundërshtari jo vetë m i dibranëve por i gjithë shqiptarëve. Është Edi Rama. Më këtë pikë nuk kam asnjë koment për kandidatët e tjerë sepse jam i përqendruar tek fitorja e gjithë demokratëve. Kam vetëm një apel që lidhet me pjesëmarrje masive në këto zgjedhje të çdo dibrani, me dhe pa lidhje partiake. Ne duhet të ndryshojmë gjendjen e mbajtjes peng të zhvillimit të Dibrës dhe data 6 Mars drejtë të hapë rrugën e mundësive dhe rimëkëmbjes. Nuk duhet lejuar më bashkia të jetë vegël e interesave të pushtetit të Ranës. Institucioni dhe shërbime i duhen kthyer qytetarëve.
– Cili është opinioni juaj për çështjen e ndërtimit të Skavicës meqenëse ka shumë rezistencë nga komuniteti?
Tek kjo çështje dua të theksoj dy momente. Asnjë dibran nuk është kundër investimeve madhore energjitike kombëtare. Por rasti i ndërtimit të Skavicës duhet të përfshijë më shumë konsulenca me banorët dhe transparencë të planit të fisibilitetit. Pika e dytë lidhet me shqetësimet që ata kanë për përmbytjen e tokave bujqësore dhe investimeve që kanë ngritur si dhe pasojat në ekosistem. Edhe këtu banorët kërkojnë shpjegime dhe sqarime nga ekspertët e fushës dhe jo nga euforia apo interesat e politikanëve
Intervistoi: Rigels Seliman