E diel, 16 Gusht, 2026

Ja si dështoi “Ballkani i Hapur” si pjellëputiniste, nga “mallkimi” i gjermanëve, te goditja e rëndë e SHBA-BE dhe si e nisi i pari Sali Berisha lojën e projektit ruso-serb që në 2013

Share

“Ballkani i Hapur” i dyshes Rama-Vuçiç u shpërbë plotësisht. Të gjitha planet e dyshimta ruso-serbe në rajon me instalimin e këtij projekti u hodhën në erë. Gazeta “SOT” po sjell për lexuesin të gjithë kronologjinë se si u shemb që nga themelet kjo nismë, duke nisur nga planet e fshehta të Rusisë për Ballkanin duke e përdorur këtë projekt si “Kalë Troje” dhe deri tek roli i fortë që luajtën ndërkombëtarët për të nxjerrë jashtë loje nismën ogurzezë antishqiptare.

“Ballkani i Hapur”, pjellë putiniste

Prej kohësh gazeta “Sot” i ka nxjerrë shijen e hidhur çorbës me termin Ballkani i Hapur. I trumbetuar nga dyshja Vuçiç-Rama, ky projekt ka qenë një shpikje e paaprovuar nga kancelaritë amerikane dhe evropiane. Nëse deri dje, kjo iniciativë është parë si një dëshirë për ti bërë karshillëk BE, për vonesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, vizita e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, i çori maskën kësaj afere të ndyrë antiamerikane. Duhej deklarata e Lavrov që të zbërthente lojën misterioze që po luhej në kurriz të shqiptarëve, duke zbërthyer se pas gjithë kësaj coftire që quhej Ballkan i Hapur fshiheshin interesat ruse dhe serbe.

“Puthja e vdekjes” nga Sergei Lavrov

Pra ishte shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, i cili më 6 qershor të këtij viti e demaskoi këtë projekt, si pjesë e një diversioni për të futur vendet e Ballkanit në sherr me Brukselin, duke i dhënë “Puthjen e Vdekjes”. Kryediplomati rus tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit. “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov. Kjo ishte një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur. Pra u konfirmua skandali i madh, ku Moska nxori zbuluar Ballkanine Hapur, si një skemë anti-Perëndimore, e cila po përdorej si një portë shpëtimi nga Rusia lidhur me sanksionet e forta të SHBA-BE.

Putin përdori “Ballkanin e Hapur” për të thyer embargon e Perëndimit

Por çfarë fshihej në prapaskenë? Kremlini e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet. Aleati kryesor i Putinit në rajon është Aleksandër Vuçiç me të cilin ai ka një marrëdhënie simbiotike. Moska ndihmon Beogradin në ndërtimin e “Botës Serbe”, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar. Në këmbim, Serbia i mundëson Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit dhe këtu hyn në skenë roli i Ballkanit të Hapur.  Bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë, përfaqëson mundësinë më të mirë të Putinit për të shmangur sanksionet e Perëndimit, duke përdorur në mënyrë efektive levat ekonomike në rajon, me Ballkanin e Hapur, pasi projekti i krijuar nga Vuçiç bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, synon të promovojë lidhjet ndërmjet tre vendeve për të krijuar përfundimisht një treg të vetëm për mallrat, shërbimet dhe kapitalet. Ballkani i Hapur i jep mundësitë Rusisë të shfrytëzojë avantazhin e saj më të madh ndaj Ballkanit Perëndimor, atë të ndikimit ekonomik. Rasti ideal i Putinit për të kontrolluar Ballkanin e Hapur është se Serbia dominon tregtinë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këmbimet tregtare midis tre vendeve dominon Serbia si ekonomi më e madhe, me më shumë banorë por edhe me një strukturë industriale solide të trashëguar nga ish shteti jugosllav.

Si u mallkua “Ballkani i Hapur” nga gjermanët

Por të gjitha planet ruso-serbe të mbështetura nga kryeministri Rama  u  “treteën si kala rëre”, për shkak se Gjermania po i jep përparësi procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet nismës Procesi i Berlinit, duke anashkaluar plotësisht Ballkanin e Hapur si “pjellë Putiniste”. Në shumë takime politike të niveleve të larta, lidershipi gjerman ka konfirmuar qartëse për ta prioritet ka integrimi evropian dhe procesi i Berlin, por në asnjë rast nisa “Ballkan i Hapur”, i cili ka lënë jashtë Kosovën. Vëmendja e madhe e kancelarit gjerman Olaf Sholc për Ballkanin Perëndimor po sinjalizon qartë fundin e kohës së Merkelit, duke sjellë një dimension të ri në qasjen e Gjermanisë ndaj politikës rajonale dhe botërore. Kancelari gjerman ka qenë më i qartë se çdo lider evropian, apo zyrtar amerikan për politikat ballkanike në kuadër të Procesit të Berlinit. Qëndrimi i tij ndaj dyshes Rama-Vuçiç po tregon se koha e eksperimenteve të Merkelit me Ballkanin ka përfunduar. Gjatë gjithë turneut të tij, kancelari gjerman përplasi në brigjet e tij projektin e pistë të Ballkanit të Hapur, duke “hedhur në erë” projektin ogurzi antishqiptar. Nëse Lavrov e demaskoi këtë projekt, si pjesë e një diversioni për të futur vendet e Ballkanit në sherr me Brukselin, duke i dhënë “Puthjen e Vdekjes”, kancelari gjerman ishte ekzekutuesi i pazareve Vuçiç-Rama.

Scholz “ringjall” Procesin e Berlinit pranverën e ardhshme në Tiranë

Por goditja përfundimtare erdhi para pak javësh sërish nga Gjermania. Shqipëria do të mbajë vitin e ardhshëm Samitin e Procesit të Berlinit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij, shefi i qeverisë bëri me dije se vetë Gjermania (kancelari gjerman Olaf Scholz) i kishte kërkuar që takimi i përbashkët mes drejtuesve të Bashkimit të Europian, shteteve anëtare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbahet pranverën e vitit 2023 në kryeqytetin shqiptar. Një deklaratë e tillë lë të kuptohet se Rama po stepet përpara Procesit të Berlinit, i inicuar nga Gjermania prej vitesh me qëllim lehtësimin e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

Rëndësia e Procesit të Berlinit

Procesi i Berlinit do të riaktivizohet sërish nga Gjermania. Por çfarë  rëndësie ka projekti gjerman për rajonin? Së pari, ky projekt tregon angazhimin e BE ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre. Gjithashtu, procesi i Berlinit ndihmon vendet e rajonit tonë të cilat vuajnë ende nga problemet e njohura ekonomike dhe politike, por edhe nga një traditë jo shumë pozitive bashkëpunimi rajonal. Më e rëndësishmja e këtij projekti është se Bashkimi Evropian ofron asistencë dhe mbështetje të shtuar për vendet e rajonit për sa i përket konsolidimit të financave publike, forcimin e rritje ekonomike dhe punësimit të të rinjve si dhe rritjen e investimeve. Pra, e përgjithshmja është se procesi i Berlinit nuk zgjidh problemet e secilit vend të Ballkanit Perëndimor apo problemet që këto vende kanë ndërmjet tyre, por ky projekt hedh bazat për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe infrastrukturore dhe bashkëpunimi në këto fusha jetike i bën vendet më të përgjegjshme dhe më të predispozuara t’i tejkalojnë problemet që kanë mes tyre.

Goditja e rëndë nga Parlamenti Evropian

Përveç Gjermanisë që ka dalë totalisht kundër, nisma nuk ka marrë kurrë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Edhe Parlamenti Evropian nxorri zyrtarisht jashtë loje “Ballkanine Hapur”. Në rezolutën që u miratua pak javë më parë, PE i dha një shuplakë këtij projekti, pasi kërkohet mbështetje e “Procesit të Berlinit”. Në dokumenti prej 15 faqesh i hartuar, nga eurodeputeti socialdemokrat kroat Tonino Picula, ecuria e deritanishme e nismës “Ballkani i Hapur” vlerësohet me rezerva nga pasi nuk përfshin të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pasi shteti i Kosovës e ka refuzuar, kurse Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina luajnë rolin e vëzhguesit. Sipas rezolutës, kjo nismë nuk është bazuar në rregullat e përcaktuara të bashkëpunimit ekonomik rajonal të përcaktuara nga Brukseli. “Shprehim rezerva të forta për çdo bashkëpunim ekonomik rajonal, apo iniciativë që nuk përfshin të 6-të vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma e ‘Ballkanit të Hapur’, thuhet në rezolutën e miratuar së fundmi në PE. Ky vendim konkret dhe i qartë i jep një tronditje të madhe përpjekjeve të president serb Aleksandër Vuçiç, kryeministrit tonë Edi Rama dhe homologut të tij maqedonas Dimitar Kovaçevski, që prej muajsh të tërë po përparojnë e propagandojnë me shpejtësi krijimin e një zone të re rajonale të bashkëpunimit ekonomik.

BE kundër “Ballkanit të Hapur”

Edhe Bashkimi Evropianështë totalisht kundër kësaj nisme, pasi nuk përfshin të gjashtë shtetet. Ishte shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili tha prerë se Ballkani i Hapur nuk mund të vazhdojë përpara nëse nuk është vendet nuk janë të gjitha të bashkuara. “Angazhimi i liderëve për bashkëpunimin rajonal është një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim Asociimit. E kuptoj plotësisht dëshirën për të ecur përpara”, u përgjigj Borell. “Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që është një angazhim politik i bërë nga gjashtë liderët e rajonit në samitin në Sofje. Nëpërmjet Planit Ekonomik dhe Investimeve, ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon”. “Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke realizuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, tha mes tjerash Josep Borell.

SHBA “djeg” ëndrrën Rama-Vuçiç për “Ballkanin e Hapur”

Pas Bashkimit Evropian edhe SHBA dogji ëndrrën Rama-Vuçiç për “Ballkanin e Hapur”. Ky projekt nuk e plotëson kushtin kryesor, atë të gjithëpërfshirjes që i kanë vendosur ndërkombëtarët. Zv/ndihmës-sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar  ka thënë se janë 2 kushtet e panegociueshme të shtetit që përfaqëson lidhur me ecurinë nismës së përbashkët rajonale Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut e quajtur “Ballkani i Hapur” (Open Balkan). Në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, diplomati amerikan kërkoi para disa javësh që kjo iniciativë e “Minishengenit Ballkanit” të mos kundërshtojë nismat e tjera politike të integrimit të këtij rajoni në BE si Procesi i Berlinit dhe së dyti, të realizohet me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve të rajonit. Ky qëndrim i përsëritur i tij konfirmon kundërshtimin e SHBA ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për të vazhduar këtë nismë pa pjesëmarrjen e Kosovës, e cila e ka kundërshtuar që në fillim me pretendimin se po tentohet të krijohet “Jugosllavia e re”.

Me çeljen e negociatave me BE, bie poshtë nisma e Ballkanit të Hapur

Gjithashtu, me çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian bie automatikisht poshtë nisma e “Ballkanit të Hapur”. Hapja e negociatave për Tiranën zyrtare do të sjellin një shpërbërje të këtij projekti, pasi nuk plotëson kushtet që Bashkimi Evropian apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që nisma të funksionojë, duhet të jetë ekonomik, por më e rëndësishmja është që të përfshijë të gjitha vendet e Ballkanit. Goditja përfundimtare vjen nga negociatat, pasi për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra.

Ballkani i Hapur thelloi ndarjet e Shqipërisë me Kosovën

Edhe pse ndërkombëtarët nuk ishin dakord me këtë nismë, Rama dhe Vuçiç vazhdonin ta mbronin me gjithë shpirt. Madje kryeministri shkoi deri aty sa “ka shitur” tek serbët pavarësinë e Kosovës.  Mungesa e Prishtinës, e cila është lënë qëllimisht nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të cilët prej ditës kur kanë prodhuar këtë proces, kanë mbajtur një retorikë të ashpër ndaj liderishpit kosovar, thelloi edhe më shumë ndarjet e Shqipërisë me Prishtinën. Rama u përplas shpesh herë me kryeministrin Kurti për këtë nismë. Kosova është në një linjë me ndërkombëtarët, totalisht kundër Ballkanit të Hapur dhe një mbështetëse e fortë e Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur” fut në sherr rajonin

Në muajt e fundit “Ballkani i Hapur” ka futur në sherr Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë  Veriut, e cila është pjesë e kësaj nisme. Politikanë të lartë janë renditur pro dhe kundër nismës. Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka thënë pak kohë më parëse “Procesi i Berlinit” është i duhuri për Ballkanin Perëndimor pasi mbështetet nga Evropa. Ai tha se qëndrimi i KE-së është se të gjithë duhet të jenë pjesë e nismës gjermane. Qëndrim të njëjtë mbandhe presidentja Vjosa Osmani. Pro kësaj nisme është Dritan Abazoviçi, por ai ka kundër presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili parashikon zhdukjen e Kosovës nëse “Ballkani i Hapur” merr jetë.

Si e nisi Sali Berisha lojën e “Ballkanit të Hapur”

Por ky skandal i ka rrënjët shumë më herët dhe gazeta po risjell në vëmendje marrëveshjet e errëta që janë përgatitur vite më parë, ku Ballkani i Hapur thjesht ka ndërruar emër, por qëllimet i ka të njëjta. Planet që nisi Sali Berisha në vitin 2013 u rijetëzuan dhe u sollën për herë të parë për publikun në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku dyshja Rama-Vuçiç prezantuan projektin si një nismë për të bashkuar rajonin. Gjithçka e njëjtë me nismën e quajtur “Unioni Ballkaniko-perëndimor”, ndryshe Jugosllavia e Re, ku si projekt ishte një lojë e Beogradit dhe e Rusisë si sfidë ndaj NATO dhe Bashkimit Evropian. Projekti shumë qartë shfaqet si minues për të ardhmen e Shqipërisë, pasi nostalgjikët e Millosheviçit dhe Jugosllavisë, vazhdojnë të tentojnë të tërheqin në vallen e tyre edhe Kosovën e cila tani është shfaqur totalisht kundër me manovrat e dyshes Rama-Vuçiç për të ngjallur kohën e Millosheviçit.

Ja si e nisi Sali Berisha lojën e “Ballkanit të Hapur”

Pak javë para largimit nga pushteti në vitin 2013, Sali Berisha nisi i pari lojën, duke u futur në projektin më anti-shqiptar. Pra ai ishte nismëtari i skandalit dhe tradhtisë më të rëndë kombëtare, skandal i cili për nga përmasat e tejkalon shitjen e Shën-Naumit nga Zogu, shitjen e Shkodrës nga Esat Pashë Toptani dhe shitjen e detit Greqisë. Bëhet fjalë për ringjalljen e Jugosllavisë famëkeqe dhe kalimin e Shqipërisë si pjesë e saj. Në një takim sekret në Malin e Zi, të mbajtur në 16 korrik të 2013 në Përzhno, kryeministri i asaj kohe Sali Berisha ka pranuar hyrjen e Shqipërisë në Federatën e Jugosllavisë se re. Ideja ogurzezë u gatua në Beograd, por u hodh për diskutim nga ministri i Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili propozoi në atë kohë formimin dhe ngritjen e një “Unioni Ballkaniko-perëndimor”, i ngjashëm me Federatën Jugosllave në vitin 1991. Pjesë e Federatës në atë kohë, siç është Ballkani i Hapur tani, ishte pjesë Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, është koka e federatës së re, siç ishte edhe e federatës së vjetër, e cila u shkatërrua nga luftëra të përgjakshme. Serbia kërkon të ketë një rol kyç në këtë federatë, siç edhe e ka pasur më parë.

Marrëveshja sekrete e Berishës

Ndërkaq, Sali Berisha, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë shpjegim mbi përmbajtjen dhe parashikimet e nismës, dërgoi një përfaqësues të Ministrisë së Jashtme në takimin e Malit të Zi, duke shprehur pëlqimin zyrtar për ta bërë Shqipërinë pjesë të Federatës së re Jugosllave. Pra, Berisha ka pasur një strategji të qartë për ta kthyer Shqipërinë në Republikë të gjashtë të Jugosllavisë. Berisha kishte planifikuar që të firmoste kalimin e Shqipërisë nën ombrellën e Jugosllavisë së re, duke shfrytëzuar punimet e Asamblesë së OKB në Nju Jork që në vitin 2013. Gjithçka do të kryhej në fshehtësi ashtu siç edhe u veprua ne marrëveshjen e detit. Por, për fatin e mirë, projekti i Berishës u rrëzua në zgjedhjet e 23 Qershorit, nga 1 milionë shuplaka të qytetarëve shqiptarë. Por si projekt nuk u zhduk, pasi atë e vazhdoi sot kryeministri Edi Rama, por që këtë herëështë bllokuar fuqishëm nga ndërkombëtarët.

Te tjera

Lajme te tjera