E diel, 20 Prill, 2025

Ja kush janë kryebashkiakët që ka konfirmuar Rama për një mandatë të dytë në zgjedhjet vendore të 2023, zbardhen kulisat dhe emrat më të lakuar

Share

Kur duhen dhe më shumë se 6 muaj nga afati zyrtar për publikimin e emrave të kandidatëve për kryetar bashkie sa i takon zgjedhjeve lokale të vitit 2023, gazeta “SOT” ka mësuar disa prej emrave të kandidatëve që ka projektuar Partia Socialiste dhe që lakohen në korridorët e selisë rozë. Ditët e fundit PS duket se “ka ndezur para kohe motorët e fushtës elektorale”, për shkak se kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime në disa qytetet të ndryshme të vendit, nga ku dhe indirekt ka konfirmuar disa emra që do të jenë sërish pjesë e garës për zgjedhjet vendore të vitit që vjen. Një pjesë e mirë e tyre, janë aktualisht kryetar bashkie dhe garojnë për një mandat të tretë; si Erion Veliaj në Tiranë apo Sotiraq Filo në Korçë. Pikëpyetje për Edi Ramën mbetet bashkia e Shkodrës, teksa mësohet se aty ka një “luftë” të fortë në prapaskenë, për shkak se socialistë dëshirojnë të dalin me kandidatë të tyre në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që këtë bashki e synon edhe Tom Doshi, i cili ka shfaqur ambicien për të hedhur në fushën e betejës elektorale një emër të dalë nga Partia Social Demokrate e drejtuar prej tij.

Konfirmohet Golemi dhe Ndreu

Sipas gazetës “ SOT”, në Lezhë pritet të garojë në siglën e PS për zgjedhjet vendore të vitit 2023, kryebashkiaku aktual Pjerin Ndreu, i cili është konfirmuar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, për shkak se ka folur gjithmonë me superlativa për të. Ndërsa kryebashkiaku aktual i Gjirokastrës, Flamur Golemi gjithashtu pritet të konfirmohet dhe të jetë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme lokale. Edhe zoti Golemi është konfirmuar nga Rama javën që shkoi, pasi për të ai foli fjalët më të mira. Ndërsa në Pogradec pritet që PS të ketë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme kryebashkiakun aktual, Ilir Xhakolli. Ndërkohë deri më tani emri i përfolur për Bashkinë e Beratit është Ervin Demo, i cili drejton këtë bashki prej vitit 2019, ndërsa kryebashkiakja Alma Hoxhën në Përmet. Kurse Gledian Llatjen pritet te jetë kandidat i Partisë Socialiste në Bashkinë e Elbasanit. Zoti Llatja është kryetar aktual i kësaj bashkie. Po ashtu, drejt mandatit të dytë, pra që do të rikonfirmohet si kandidate për Bashkinë e Durrësit, është edhe Emirjana Sako, e cila drejton aktualisht këtë bashki. Po kështu, Adrian Gurma, kryetari aktual i Bashkisë së Sarandës, pritet të marrë sërish besimin e kryesocialistit Edi Rama për të qenë kandidat i PD për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2023. Gjithashtu, mund të rikonfirmohen për një tjetër mandat: Kastriot Gurra në Librazhd, Ndrec Dedaj në Mirditë dhe Arif Tafani në Belsh. Ndërkohë Termet Peçi në Tepelenë, si kryebashkiaku me jetëgjatë, pritet të kandidojë sërish për një mandat të katërt, duke thyer kështu edhe rekordin si kryebashkiaku që pritet të dalë në pension, duke ushtruar këtë detyrë. Ndërkohë mësohet se në pikëpyetja janë Safet Gjici, i cili drejton Bashkinë e Kukësit, Rakip Suli që drejton Kamzën prej vitit 2019, si dhe Armando Subashi në Bashkinë e Fierit. Ky i fundit është në diskutim për shkak se është përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe si duket Partia Socialiste do të mendohet mirë përpara se t’i japë atij mundësinë për të qenë sërish kandidat i saj në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Këto janë emrat që mësohen deri tani, ndërsa në ditët në vijim lista e PS do pasurohet apo përditësohet me kandidatë të tjerë, pasi siç thonë burime impakt në përzgjedhje ka edhe një botues mediash, i cili lart e poshtë deklaron se disa ministra dhe bashkitë e jugut, varen nga ai dhe se është pikërisht ai që dikton kush do jetë kandidat ose jo, apo kush do të qëndrojë në detyrë apo jo.

Ja çfarë tha Rama për Flamur Golemin javën që shkoi

Kryeministri Edi Rama ishte javën që shkoi në Gjirokastër, ku ka zhvilluar një sërë takimesh. Rama gjatë fjalës së tij në takim me operatorët turistik nuk ka kursyer lavdëratat për kreun e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi. Rama e përgëzoi për punën e bërë, duke rikonfirmuar se Golemi do të jetë në garë për një mandat të dytë për kryetar të bashkisë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në 2023. “Ky doktori juaj këtu është gjirokastrit në mënyrën e plotë të fjalës. Më tha më fal se të jam qepur. Jo më është qepur, po shyqyr që nuk më qepet vetëm mua. Dua ta përgëzoj. Bashkia e Gjirokastër, Flamuri janë shembull për të marr fonde alternative nga donatorët. Bashkia e Gjirokastrës buxhetin që merr nga shteti e ka për shpenzimet, kurse shpenzimet kapitale… e patë sesa punë janë bërë edhe kjo këtu është merita ime që shtyva këtë, por meritë e Flamur që mori fonde nga donatorët”, deklaroi Rama ndër të tjera.
/Rigels Seliman/

Te tjera

Lajme te tjera