E hënë, 13 Janar, 2025

Historike/ Shqipëria çel negociatat! BE: Me Tiranën bëhemi më të plotë! Rama: Evropa fati ynë, vijmë sot këtu pas një pune të gjatë! Integrimi e bën Ballkanin më të mirë

Share

16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, 8 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat dhe disa vite pritje, ndonjëherë edhe pa meritë, Shqipëria ndërmerr sot hapin e madh! Më në fund nisin bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian, vrapi i fundit drejt anëtarësimit të plotë. Ka nisur tashmë në Bruksel Konferenca e Parë Ndërqeveritare. 

Me duartrokitje u përcoll momenti historik i çeljes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas pritjes disa vjeçare. kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.

Në konferencën e parë ndërqeveritare me vendet anëtare, mbajtur në Bruksel, kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Evropian është fati i shqiptarëve, teksa këtë moment, e cilësoi fillimin për transformimin e vendit.  Hapjen e negociatave e quan tërësisht të merituar, e për ta vërtetuar këtë, bëri një paralelizëm mes drejtësisë së vjetër e asaj të re. Komisioneri për Politikën e jashtme në Bashkimin Evropian, Joseph Borrel tha se me Shqipërinë, Europa do të plotësojë vetveten.

Për Komisionerin e Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi me hapjen e negociatave, do të nisë një proces i gjatë transformues ku do të kërkohet konsensus politik.  Përfaqësimit të Shqipërisë në konferencën e parë ndërqeveritare i mungoi opozita. Rama tha ai ‘nuk e di kush është kush’.

Delegacioni i Shqipërisë në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE përbehet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit. Delegacioni kryesohet Kryeministri Edi Rama, dhe përbëhet nga figura kryesore shefja e diplomacisë Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zv.min. e drejtorët që merren me çështjen e negociatave. Kryeministri Rama në një shënim në rrjetet sociale shkruan se është krenari për vendin që sot Shqipëria të ulet në tryezën e madhe të Evropës së Bashkuar. Ndërsa delegacioni i BE do të kryesohet nga Kryeministri i Çekisë, si vendi që ka presidencën e radhës së BE, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin Varhelyi.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera