E mërkurë, 22 Janar, 2025

Gomonia godet për vdekje fëmijën në plazhin e Potamit në Himarë! Shoqërohet drejtuesi, ish-shef policie! Rasti i tretë brenda pak javësh

Share

Një fëmijë rreth 5-vjeç ka humbur jetën pasi është goditur nga një gomone mesditën e kësaj të marte në plazhin e Potamit në Himarë. E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Plazhin e Potamit, një plazh i mbi populluar. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në Polici.

Ai edhe pse pa patentë po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone, me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin “Nëna 154” i cili ka qenë edhe me dy persona të tjerë në bord. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka patur korridor të miratuar për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese. Burime për Report Tv bëjnë me dije se autori kishte shkuar me pushime me Himarë që prej ditës së djeshme.  Ai la familjen në shezlong ka marrë gomonen të cilën mund ta ketë marrë me qira ose mund t’ia ketë marrë një shoku të tij dhe u rikthye sërish në breg të detit për t’i bërë xhiro familjes.

Tase i ka dhënë mbrapsht gomones, helikat e së cilës prekën vogëlushen

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën. 

Ditën e diel, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano doli në një konferencë për mediat ku i dha urdhër Policisë Kriminale që të dalin në terren dhe të patrullojnë vijën bregdetare për të parandaluar çdo manovër të rrezikshme të mjeteve lundruese. Pak orë pas ngjarjes së rëndë, drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka përjashtuar përfundimisht nga policia Arjan Tasen.

 Vetë gazetari i Report Tv nga Vlora, Armand Xhelili e ngriti si shqetësim ku vija bregdetare e plazhit është e mbushur me mjete lundruese me apo pa leje, të cilët janë shndërruar në një problem serioz për pushuesit. 

Te tjera

Lajme te tjera