Kur vjen fjala për të mbrojtur Sali Berishën, ithtarët e tij as nuk e kanë fare problem që të sulmojnë dy prej vendeve më aleate të kombit shqiptar siç është Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besnikët kanë marrë në bllok në mbrojtje Sali Berishën, pas goditjes së dytë më të madhe politike nga Perëndimi, ku përveçse po tregojnë se janë në panik, iu kanë bërë thirrje shqiptarëve për rrezikun anglo-amerikan që i kanoset kryefoltoristit. Kështu, fillimisht ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili ka reaguar me një postim në faqen e tij në “Facebook” pas publikimit të lajmit për vendimin në Britanisë për shpalljen “Non Grata” të Berishës. “Të gjithë demokratët dhe të djathtët kanë vendosur që PD të mos zhduket dhe e vërteta të triumfojë. Do të vazhdojmë betejën krah Berishës edhe më të vendosur për të rrëzuar bandën e Edi Ramës dhe Sorosit”, shkruan Spaho.
Paloka: Kot i harxhoni milionat për lobime
Ndërkohë edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka ka reaguar me qesëndi në rrjetet sociale ndaj një vendimi të marrë së fundi nga Britania e Madhe kundër liderit historik të PD-së, Sali Berishës, duke e shpallur “Non Grata”, ndërsa shprehet se po harxhojnë kot miliona për lobimin ndaj tij, referuar kryeministrit Edi Rama. “Deri sa të vazhdoni t’u thoni shqiptarëve se ”i korruptuari dhe i lidhuri me krimin” në këtë vend qenka Sali Berisha, pas 10 vitesh në opozitë dhe këtë ua thoni duke mbajtur në krah Ramën – kot i harxhoni milionat për lobime! Ky do të jetë qëndrimi edhe kur të njëjtin vendim ta shpallë Zelanda e Re…E nëse dikush mendon se shqiptarët që reaguan me qëndrimin e tyre më 11 dhjetor, 6 mars dhe 7 korrik, pasi Berisha ishte shpallur “non grata” nga DASH, do të impresionohen kur këtë ta bëjë Zelanda e Re, thjesht jeton në realitet tjetër”, shkruan Paloka.
Gent Strazimiri: Vendimi i Britanisë, qokë
Po ashtu, edhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka reaguar dje me një shënim në faqen e tij në “Facebook” pas deklaratës së Sali Berishës se i është ndaluar hyrja në Britani, ndërsa e cilëson qokë që dëshmon se Londra është kthyer në koloni të Sorosit. “Vendimi i një kabineti qeveritar të shkarkuar nga parlamenti britanik prej ditësh, është një “qokë” që dëshmon vetëm se: * Ish-kolonizatori i 2/3 të botës, sot është kthyer në koloni të 1 individi, spekulantit ndërkombëtar George Soros. Amerika e Britania këtu nuk hyjnë fare, po fare fare! Kur kujtoj “misionin britanik” dhe atë që na bënë me Enver Hoxhën, a e dini që nuk ndjej hiç, po hiç keqardhje…?! “Zoti nuk është mace me të grric”, thotë populli. KAQ”, shkruan Strazimiri.
Reagon Kasmi dhe Enno Bozdo
Nga ana tjetër, edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, gazetari, Bledi Kasmi ka reaguar dje me një postim në rrjetet sociale, pasi Sali Berisha publikoi lajmin e ndalimit të udhëtimit të tij në Britani. “Non grata” e parë e riktheu Berishën lider opozite, e dyta për Kryeministër”, shkruan Kasmi në shënimin e tij në faqen e tij në “Facebook”. Ndërsa anëtari i Kryesisë së PD, Enno Bozdo e ka cilësuar si “absurde” shpalljen “Non Grata” të Sali Berishës nga Britania e Madhe, teksa shtoi se kjo i ka motivuar më tepër për të vazhduar luftën kundër mafias në Tiranë. “Sa më absurde të jetë “non-grata”, sa më pa sens dhe pa vlerë ajo të jetë, aq më e fortë ndjenja e padrejtësisë dhe motivimi për të vazhduar luftën kundër mafias së Tiranës!”, shkruan Bozdo në Bozdo.
Kokalari reagon ashpër
Ndërkaq, edhe aktivistja Evi Kokalari ka reaguar dje në rrjetet sociale, pasi ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “Non Grata” edhe nga Britania e Madhe. “Një pyetje kam – vazhdon Tony Blair të marrë rrogë nga Edi Rama si këshilltar? Jo për gjë, por këto lloj kontratash zakonisht janë më shumë pagesa për favore shumë më të mëdha në të ardhmen sesa konsultime reformash. Dhe di njëri sa para ka marrë Blair nga Edi këto 10 vjetët e fundit?”, shkruan Kokalari.
Vendimi i Britanisë, Hoxha: Ramës i janë prangosur ministra
Sekretari për Diasporën në Partinë Demokratike, Indrit Hoxha ka reaguar me një postim në faqen e tij në “Facebook”, pasi kryetari demokrat, Sali Berisha publikoi lajmin e ndalimit të udhëtimit të tij në Britani. “Edi Ramës i janë arrestuar, ministra, deputet, kryetar bashkish, ka mbushur Anglinë me shtëpi bari dhe dërgon Gjiknurin u thotë hajde legalizojini paret e drogës në Shqipëri, ndërkohë Britania thotë Sali Berisha ka lidhje të ngushta ne krimin e organizuar. Ne 2005-2007 Sali Berisha dërgoi para drejtësisë 128 banda të krimit të organizuar, sot këto banda janë kthyer në oligarkë dhe biznesmenë të qeverisë dhe Edi Ramës. Sot Edi Rama duhet të ishte në burg. Gjithsesi si gjithmonë, fajin e ka Saliu”, shkruan Hoxha.