Peshëngritja është një prej sporteve më efikasë dhe më i suksesshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare. Me dhjetëra medalje europiane e botërore i ka sjellë ky sport në vendin tonë dhe peshëngritja vijon të jetë me pretendime, edhe pse është fakt që një pjesë e sportistëve titullarë dhe medalistë po plaken dhe shumë pak të rinj ka që mund t’i zëvendësojnë në këto nivele. Ndërkohë, Shqipëria do të presë në fund të majit Kampionatin Europian të Peshëngritjes, për të rritur, që shënon një eveniment të madh sportiv për vendin, ndoshta i krahasueshëm me finalen e Conference League në futboll. Ishte një lobim i federatës dhe KOKSH-it për të sjellë Europianin në Tiranë dhe ky është një moment i bukur për Shqipërinë e sidomos për Tiranën që këtë vit ka statusin e kryeqytetit europian të rinisë. Gazeta “SOT”, intervistoi kreun e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili ka pikëpamjen e tij mbi zhvillimet në shtangën shqiptare e njëherësh edhe në raportet mes tij dhe komunitetit të peshëngritjes.
– Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka mundur të sigurojë mandatin për të pritur Kampionatin Europian të Peshëngritjes të këtij viti. Si ia dolët mbanë të siguronit mbështetjen europiane në këtë drejtim dhe cilat janë planet tuaja në lidhje me këtë?
Siç e dini edhe ju, Tirana është kryeqyteti europian i rinisë këtë vit dhe duke shfrytëzuar këtë fakt, ne dëshironim që të kishim në Shqipëri një aktivitet sportiv të madh, sikurse është Europiani për të rritur. A mundej federata jonë të merrte miratimin nga federata europiane? Sigurisht që po, pasi FSHP-ja ka dhënë prova se di të jetë e suksesshme dhe ne kemi një emër të mirë tashmë edhe në federatën europiane, e cila na besoi këtë aktivitet të rëndësishëm, një aktivitet ku shpërthen gara më e lartë e këtij sporti në kontinentin tonë. Momentalisht ndodhem me dy personalitete të federatës europiane, presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të parë kushtet tona dhe do të kenë takime pune në ministri për të firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit. Mos harroni, ky është vetëm fillimi, pasi vitin e ardhshëm, pra në vitin 2023, planifikojmë të presim në Tiranë edhe Kampionatin Botëror për të rinj.
– Më falni, por Shqipëria e vogël nuk ka kushte për të pritur një eveniment kaq të madh të shtangës. Si do ta përballoni këtë fluks, cila është infrastruktura juaj për të pritur një Europian?
Ah jo, më vjen keq, Shqipëria ka korpusin olimpik, aty ku ndodhet një prej palestrave më moderne, pra është një prej palestrave me kushtet më të mira në Europë. Ne ofrojmë risi në këtë drejtim dhe drejtuesit e federatës europiane e dinë këtë. Ne i njohim, por na njohin edhe ata. Mos harroni, do të presim 700 vetë në këtë Europian, sportistë, trajnerë, gjyqtarë e delegatë. Ky është një shans për Shqipërinë të tregojë potencialin e saj në peshëngritje dhe në sport në përgjithësi. Unë do ta cilësoja evenimentin më të madh sportiv në Shqipëri për vitin 2022. Kanë mbërritur në vendin tonë presidenti i Federatës Europiane Antonio Konfliti (moldav) si dhe sekretari i përgjithshëm Milan Mihajloviç (serb), që do të firmosin marrëveshjen me ministren e sportit.
– Akomodimi i një numri kaq të madh njerëzish kërkon kushte hotelerike dhe ndihmëse, e keni marrë parasysh këtë fakt? Kur është planifikuar të mbahet aktiviteti?
Sigurisht që po, para se të na jepnin të drejtën e pritjes së Europianit ne u kishim paraqitur një projekt të detajuar për këtë, një projekt që plotëson të gjitha standardet. Akomodimi do të bëhet tek hotel “FA-FA” i cili ka kapacitet për 800 persona. Aktiviteti do të startojë më 25 maj e do të zgjasë deri më 5 qershor dhe ka një veçanti, pasi regjistrohet si Kampionati i 100-të Europian i Peshëngritjes, domethënë është në një vit jubilar që duhet të marrë vëmendjen e duhur.
– Shqipëria do të ketë ambiciet e veta në garë, cila është gjendja e ekipit kombëtar të peshëngritjes?
Me datë 29 maj do të tundet pallati i sportit, pasi në pedanë do të ngjiten kampionët tanë Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, që kanë pretendime për titullin europian. Natyrisht që ne si federatë kemi ambiciet tona për medaljet dhe do të përgatitemi fort për të qenë fitues.
– Të flasim për një çështje tjetër, mungesën e një medalje olimpike. Edhe pse iu afruam shumë, nuk ia dolëm me Caljen. Specialistë, kritikë e zyrtarë ju kanë akuzuar ju personalisht si përgjegjës pasi, ta themi troç, ju i morët vendin trajnerit të vërtetë. Pra, gara u menaxhua keq dhe për pasojë Shqipëria ngeli pa medalje. A mbani ju përgjegjësi për këtë dështim?
Nuk mund ta marr përsipër një përgjegjësi të tillë, pasi nuk ndihem fajtor. Dhe, me modesti po e them, unë kam qenë vetë sportist i mirë e jam vetë trajner në peshëngritje, pra jam profesionist në këtë punë. Por, trajneri i Brikenit dha dorëheqje për problemet e tij e mua më ftoi KOKSH-i me propozimin e sportistit. Këtë qëndrim e kanë mbajtur edhe ata dhe nuk ka këtu historira nën rrogoz. Madje, për mua ka qenë strapacim pasi më duhej të ndiqja sportistin në përgatitje. Dua të them që erdhën rrethanat e tilla, padiskutim, jo se ishte një dëshirë e imja. Sa i takon garës, bëmë maksimumin, madje barazuam rekordin olimpik, gjë për të cilën këtu nuk flitet fare dhe ky është një sukses shumë i madh. Për 1 kg nuk e thyem rekordin, por në sport ka fair-play, ka suksese, ka dhe dështime, fundja prandaj sporti është i bukur dhe emocionues.
– Është edhe problemi i vetë komunitetit të mundjes. Rikthimi juaj si president i federatës ka shkaktuar jo pak pakënaqësi. Dua t’ju kujtoj se nuk kanë munguar akuzat ndaj jush si përçarës i komunitetit të peshëngritjes. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
Kjo që po thoni ju nuk qëndron, e kundërta është plotësisht e vërtetë. Më parë kemi pasur ndonjë përplasje me ndonjë specialist apo trajner, por situata është krejt ndryshe. Në këtë moment që po flasim komuniteti është i bashkuar dhe po punon për më të mirën. Unë kam pasur përplasje me trajnerin Leonard Toska, por tani kemi gjetur mirëkuptim. Edhe me zonjën Kalemi i kemi sheshuar gjërat dhe me të dy këta teknikë jemi pajtuar e shohim përpara. Që të kesh sukses në një punë duhet bashkëpunuar e punuar për interesin e përbashkët dhe është fakt që Toska është një trajner që pa prodhuar talente. Ai ka një sportist 17 vjeçar, Ertjan Kofshën, me të cilin synojmë titullin botëror për këtë moshë në Brazil. Pra kërkohet solidaritet dhe unë besoj se komuniteti i peshëngritjes është solidar.
– Komuniteti nuk janë vetëm sportistët e trajnerët, janë dhe figurat e tij dhe ky sport ka pasur gjithmonë kampionë të mëdhenj. Federata i ka harruar kampionët….
Më ndjeni por nuk është aspak kështu, ne i respektojmë figurat dhe përpiqemi t’i angazhojmë sa më shumë. Po ju jap një shembull: Ilir Suli është një emër i madh në këtë sport. Ai sot është trajner me ekipin e Kamzës dhe presidenti i federatës e ka propozuar të përfshihet si teknik në ekipin kombëtar të të rinjve. Ju kujtoj që federata është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë, në të mirë të rezultateve dhe të ardhmes së këtij sporti. Unë u them faleminderit kujtdo që ka kontribuuar për të mirën e shtangës, por misioni i së ardhmes na nxit të gjejmë e motivojmë elementë të rinj.
– Dakord, por mos harroni se jeni president i larguar më parë për shkak të skandalit të dopingut. Më falni për ashpërsinë e ndërhyrjes, por ju akuzoheni nga kritikët tuaj si presidenti i dopingut… Si do të mund ta “pastroni” veten nga kjo?
Dopingu nuk ishte dhe nuk është vetëm fenomen shqiptar, ai është sot një fenomen botëror. Ne si federatë dhe unë si drejtues i saj kemi mbajtur përgjegjësitë tona dhe kemi nxjerrë mësimet tona. Por më lejoni t’ju them se kemi 5 vjet që nuk kemi më raste dopingu të regjistruar. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që dopingu është një damkë e rëndë, që medaljet njollosen, prandaj ky fenomen duhet luftuar pa ndërprerje. Dhe, ju siguroj, federata ka bërë punë të madhe në këtë drejtim.
– Si në shumë federata të tjera me siguri që edhe ju vuani për sportistë. Vihet re një rënie e numrit të sportistëve në çdo federatë. Cila është gjendja juaj?
Qeveria ka miratuar një ligj të ri për sportin, që është shumë motivues, dhe sikurse e dini dhe ju i jep frymëmarrje federatave dhe klubeve, pasi afron në palestra shumë të rinj dhe ne kemi të rinj plot që e duan këtë sport. Nga ana tjetër, do të bëjmë një tur në shkollat 9-vjeçare për të seleksionuar elementë për peshëngritjen, pa harruar përzgjedhjet e vazhdueshme të të rinjve të federuar.
– Gjithë sekreti i zhvillimit lidhet me fondin, i cili aq sa janë shifrat tek ne nuk i zgjidh hallet e sportit. Si paraqitet gjendja në buxhetin e federatës për këtë vit?
Po, keni të drejtë, fondi nuk garanton zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive, madje ne vitin e kaluar i realizuam planet tona për aktivitetet vjetore falë ndihmës që na dha ministria, një premio që na motivoi të shkojmë tek medaljet në Botëror. Për këto suksese, por edhe për shkak se kemi Europianin këtë vit dhe ngjarje të rëndësishme sportive, shpresoj të kemi një fond më të lartë. Ju kujtoj, ndërkohë, që ne jemi e vetmja federatë që japim trajtim ushqimor nga fondi, sepse ligji jep vetëm për aktivitetet. Por e kemi bërë këtë pasi kemi sportistë të nivelit të lartë që duhen motivuar. Është e vërtetë që disa titullarë po plaken, por ata kanë rezultate të larta që premtojnë për të qenë në Olimpiadën e Parisit më 2024. Këtë vit ne do të bëjmë grumbullime edhe të të rinjve, sepse filozofia jonë është të nxjerrim në skenë talente të rinj që do ta mbajnë lart flamurin e sukseseve të shtangës shqiptare.
Intervistoi: Adriatik Balla