Vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme edhe gjatë ditës së mërkurë.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), moti do të jetë i alternuar mes kthjellimeve dhe vranësirave. Në zonat malore priten reshje të izoluara shiu, kryesisht me intensitet të ulët.
Gjatë orëve të paradites, moti do të mbizotërohet nga kthjellimet, ndërsa rreth mesditës do të ketë shtim dhe zhvillim të vranësirave, veçanërisht në zonat malore.
Në relievet malore, vranësirat do të shoqërohen me reshje të izoluara shiu me intensitet të ulët.
Temperaturat do të vijojnë të jenë të larta për këtë periudhë, me vlerat maksimale që pritet të arrijnë deri në 35°C, ndërsa temperaturat minimale do të zbresin deri në rreth 12°C.
Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare deri në 7 m/s. Herë pas here, ajo do të forcohet, duke arritur shpejtësi deri në 10 m/s.
Në det parashikohet valëzim i forcës 1–3 ballë, duke krijuar përgjithësisht kushte të moderuara.
