Dinamo është shpallur dje kampione e Superkupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Egnatian me rezultatin 1-3 në finalen e zhvilluar në “Arenën Kombëtare”. “Nëndetësja” përmbysi gjithçka në pjesën e dytë të takimit, duke siguruar trofeun e parë të sezonit.
Sfida nisi më mirë për skuadrën rrogozhinase, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 9-të. Ruçi përfitoi nga një gabim i mbrojtjes dinamovite dhe nuk gaboi përballë portierit Teqja, duke i dhënë epërsinë Egnatias.
Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi fuqishëm. Brenda pesë minutash, nga 54’ deri në 59’, Bregu dhe Nani përmbysën rezultatin, duke zhvendosur festën në anën blu të tribunave. Pas golave, të dyja skuadrat tentuan të gjenin rrjetën, por ishte Dinamo ajo që dha goditjen përfundimtare.
Në minutat shtesë, Qefalija (90+6’) shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren dhe suksesin e plotë të skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja.
Me këtë triumf, Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë dhe e mbyll vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme.
