E diel, 20 Prill, 2025

Betohet Presidenti Bajram Begaj, merr detyrën: Interesi i vendit udhërrëfyesi im i vetëm, duhet unitet! Siguria kombëtare, një prioritet gjatë mandatit tim. Nga 21 të shtëna me top, te 500 të ftuarit “VIP” në ceremoninë shtetërore, ja çfarë ndodhi dje

Share

“Uniteti politik dhe njerëzor, siguria kombëtare, rrugëtimi drejt BE dhe roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.” Presidenti i 8-të i Shqipërisë, Bajram Begaj që mori dje detyrën theksoi se këto janë prioritetet e tij në mandatin 5-vjeçar si kreu i ri i shtetit. Si në Kuvend, ashtu edhe në ceremoninë zyrtare pas betimit, Begaj theksoi se po e merr këtë përgjegjësi në një moment historik dhe misionin e ri që i është besuar do ta kryejë mbi palët e nuk do të qëndrojë neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit.

Begaj betohet si President

Rreth orës 18:00, Bajram Begaj mbërriti në sallën e seancave plenare të Kuvendit, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, dhe është pritur nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Atje bëri betimin para ligjvënësve ndërsa të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe krerët e komuniteteve fetare. Ndërkohë pas betimit në Parlament, shkoi në ceremoninë e dytë, në ambientet e Presidencës, aty ku u bë dorëzimi i detyrës nga Presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri Begaj. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm diplomatë, kryeministri Rama, ministra, deputetë, krerë institucionesh si dhe politikanë nga Kosova dhe rajoni, ku në total shkonte rreth 500 numri i të ftuarve “VIP”. Në mënyrë simbolike kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj, i dorëzoi Presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit dhe ceremonia u shoqërua me 21 të shtëna topi. Ndërkohë, në rrugën që lidh sheshin “Skënderbej’” me atë “Nënë Tereza’ ishin vendosur flamujt e Shqipërisë. Edhe në betimin e Presidentit të ri Partia Demokratike ishte e përçarë. Në seancën parlamentare morën pjesë të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të Sali Berishës. Vendimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së, për të qenë të pranishëm, sipas burimeve nga PD, është marrë për të respektuar institucionin e presidencës, megjithëse bojkotuan votimin e tij më datë 4 qershor. Sipas Alibeajt, qëndrimi i tyre për Bajram Begajn është i qartë, ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorancës, jo gjysmën e shqiptarëve.

Begaj mban fjalim në Presidencë: Do jem shërbëtor i popullit tim

Ndërkohë Bajram Begaj mbajti një fjalim edhe në Presidencë, teksa deklaroi se do të jetë shërbëtor i popullit shqiptarë, ndërsa shtoi se sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike. “Për mua sot është ditë e veçantë. Pa dyshim është dita më e rëndësishme e jetës time. Jam para jush dhe ju drejtohem me nderin e privilegjin më të madh, atë të presidentit të Republikës. Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj partnerëve të Shqipërisë dhe ndaj miqve të familjes sime, sot u betova për besnikërinë ndaj kushtetutës, për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë dhe për ti shërbyer përparimit të popullit shqiptar. Do jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit kombëtar. Do të jem mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i klasave politike”, deklaroi ai.

Presidenti i ri: Siguria Kombëtare, prioritet i imi

Me tej presidenti i ri, Bajram Begaj theksoi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e marrjes së detyrës në Presidencë tha se siguria kombëtare do të ketë vëmendje të madhe gjatë mandatit të tij presidencial. “Reforma në drejtësi po jep frytet e saj. Shpreh mirënjohjen time për ndihmën e pakursyer të partnerëve tanë. Miqtë tanë te Shqipëria dhe shqiptarët do të gjejnë gjithmonë partnerin e tyre të besuar. Mbajtja e konferencë së parë ndërqeveritare është një hap i madh, një arritje e merituar për të gjithë shqiptarët. Shqipëria, edhe pse e vogël dëshmon me krenarinë, se edhe kombet e vegjël prodhojnë siguri në arenën ndërkombëtare. Ky fakt dëshmohet nga roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit por edhe qëndrimi për luftën në Ukrainë. Siguria dhe paqja nuk dhurohen por ato sigurohen. Faktorët e rrezikut ka ndryshuar. Vëmendja e çështjes së sigurisë kombëtare do të ketë vëmendje të madhe gjatë mandatit tim. Të ndryshojmë strategjinë kombëtare. Është përgjegjësi për të gjithë ne”, nënvizoi Begaj.

Ja kush është Bajram Begaj, Presidenti i ri i Shqipërisë

Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Begaj ka hyrë në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë mjeku i parë në ushti i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë. Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Te tjera

Lajme te tjera