E premte, 23 Tetor, 2026

Berisha: Roni Yeffet u bë brenda natës pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Afera nisi me një shfaqje të Miss Autoblindit në podcast-in e Ramës

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se qëndron në qendër të një skeme që, sipas tij, ka sjellë përfitime prej dhjetëra milionë eurosh nga buxheti dhe pasuritë publike për biznesmenin Roni Yeffet.

Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha e lidhi këtë skemë me kompaninë shtetërore KAYO dhe marrëveshjet në fushën e mbrojtjes, duke deklaruar se Yeffet është bërë përfitues i fondeve publike dhe pronave shtetërore. ‘Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro’, deklaroi Berisha, duke shtuar se bëhet fjalë edhe për ‘dhjetëra milionë euro pronë shtetërore’.

Sipas kryetarit të PD-së, historia e kësaj skeme ka nisur me një dalje publike të Arjeta Pucës në podcast-in e Edi Ramës, të cilën ai e cilësoi me ironi ‘Miss Autoblindi’. ‘Kësaj here fillon me një podcast, ku një zonjë, që do ta quajmë tani e tutje Miss Autoblindi ose Arjeta Puca, dëshmon në studion e podcast-it të Edi Ramës se ajo bën mrekullira, se ajo prodhon makineri ushtarake të klasit ndërkombëtar, midis tyre edhe autoblinda’, tha Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha akuzoi më tej qeverinë se pas kësaj ka miratuar ligje dhe vendime që, sipas tij, kanë ndërtuar një skemë në fushën e mbrojtjes, ndërsa hodhi akuza edhe për përdorimin e pronave publike dhe private. Ai e cilësoi situatën si një ‘piramidë mafioze’ dhe pretendoi se rrjeti i kompanive të përfshira nuk plotëson kriteret e kërkuara për aktivitetin në fushën e mbrojtjes. ‘Prandaj kompanitë e rrjetit janë që të gjitha pa asnjë kriter, me një kriter të vetëm, të vjedhim, të vjedhim, të vjedhim’, deklaroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita do t’ia dorëzojë provat SPAK-ut, por edhe institucioneve të NATO-s dhe vendeve anëtare të Aleancës. ‘Sigurisht që të gjitha provat tona do t’i dorëzojmë në institucionet, në SPAK, por do i dërgojmë edhe në institucionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe partnerëve tanë’, tha ai. Berisha kërkoi që çështja të mos mbetet vetëm te hetimi ndaj biznesmenit, duke paralajmëruar se opozita do të informojë edhe ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera