E hënë, 20 Janar, 2025

Bardhyl Kollçaku: Sulmi rus ndaj Ukrainës i paralajmëruar, Putin po sillet si Hitleri dhe duhet të dënohet për krime kundër njerëzimit, NATO garanci për vendet e aleancës, PS ka qenë dhe mbetet gjithmonë gati për betejat elektorale

Share

Ish-shefi i shtabit të Forcave të Armatosura dhe deputeti socialist, Bardhyl Kollçaku theksoi se kjo është faza e dytë e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe se duke parë rezistencën e tyre nuk po kursen asgjë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Kollçaku u shpreh, se sipas tij, ditët në vijim do të jenë edhe më të vështira, duke sjell dëme katastrofale. Duke u ndalur tek zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, deputeti u shpreh besimplotë se në këto zgjedhje do triumfojë Partia Socialiste.

-Zoti Kollçaku, gjithë vëmendja botërore është përqendruar tek konflikti Rusi-Ukrainë. Si u ndjetë kur morët vesh që presidenti rus, Vladimir Putin vendosi të sulmonte Ukrainën dhe kush është komenti juaj i përgjithshëm për këtë luftë?

Goditja e Ukrainës dhe fillimi i një lufte në zemër të Europës nuk ishin të befasishme. Ato ishin të paralajmëruara. Si profesionist ushtarak, duke gjykuar dhe vlerësuar të ashtuquajturat stërvitje ushtarake të Putinit, rajonet e dislokimit dhe zhvillimit të stërvitjeve, sasinë, llojin dhe strukturën e forcave pjesëmarrëse dhe kohëzgjatjen e tyre, po bëheshin fare të qartë treguesit e një agresioni imediat ushtarak. Zhvillimet ushtarake dhe aktiviteti politik e diplomatik publik i Rusisë nuk po linte më vend për dyshime. Në këto kushte nuk e përjetova si befasi fillimin e kësaj lufte. Vlerësimi im për këtë luftë është që është një marrëzi e radhës për të rikonfiguruar rendin e sigurisë, kryesisht atë europian, por edhe global, me metodat e shekullit të 19 dhe 20. Kjo është lufta më e pashembullt, më e padrejtë dhe më e rrezikshmja që pas Luftës së Dytë Botërore.

-Sipas jush çfarë e detyroi presidentin Putin t’i shpallte luftë Ukrainës dhe çfarë synon ai të arrijë?

Kjo është pyetja më e vështirë dhe përgjigjja më e komplikuar. Të gjesh arsyet e vërteta dhe reale, të cilat unë nuk besoj se ekzistojnë në të vërtetë, që të justifikojnë motivet e Putinit për këtë luftë dhe pushtim, duhet të bëjmë retrospektiva thellë në histori. Rusia historikisht, edhe në kohën e carëve, ka qenë në konflikte me Europën, kryesisht atë perëndimore. Kjo do të thotë që ajo i konsideronte natyralisht rrezik dhe kërcënim perëndimin e Europës. Ajo e ka pasur në parimin e politikës dhe interesave të saj ekspansionin. Me krijimin e Bashkimit Sovjetik, ajo u bë realisht një superfuqi dhe gjithë vijën ndarëse të saj me perëndimin e kishte të siguruar nëpërmjet një brezi tampon, të përbërë nga ish-vendet komuniste të Traktatit të Varshavës. Sot këto vende janë të gjitha të rreshtuara në krahun e kundërt. Në këto kushte Rusia e shikon veten të zbuluar dhe ekspozuar në një front shumë më të gjerë dhe të gjatë me Europën. Duke i shtuar këtu edhe prezencën e fortë dhe të fuqishme amerikane, përmes Aleancës së NATO-s, e bëri Rusinë dhe Putinin të punojë me dekada të tëra për të rimarrë rolin e lojtarit global për statusin e sigurisë botërore. Pasi Putini vlerësoj se ekonomia ruse e ka rimarrë veten mjaftueshëm për t’i dhënë fuqi vendit të rikthehet si aktor i parë në arenën e interesave botërore, atëherë ai shpalli kërkesat e tij: Ukraina jo në NATO, tërheqje e instalimeve dhe kapaciteteve ushtarake të Aleancës nga ish-vendet sovjetike dhe të Europës Lindore dhe NATO të ndërpresë në përgjithësi procesin e anëtarësimit të vendeve të tjera. Kuptohet që objektivi i afërt i Putinit është pushtimi i Ukrainës dhe në mënyrë të përmbledhur atij i duhet me çdo kusht Ukraina e para për arsye ekonomike, e dyta, dhe kjo sipas tij, sepse në të vërtet është absurde, për arsye sigurie, dhe e fundit, që përbën edhe objektivin e largët dhe synimin real të Presidentit Rus, të rikthehet si lojtari kyç në rishikimin dhe rikonfigurimin e një rendi të ri të sigurisë europiane dhe botërore.

-Por duket se presidenti Vladimir Putin i ka bërë llogaritë gabim, pasi në 5 ditë luftime dhe sipas asaj që raportojnë mediat ndërkombëtare, referuar Kievit zyrtar, ushtria ruse ka goxha humbje në logjistikë ushtarake dhe jetë njerëzish. Kjo pamje na kujton luftën e Kosovës dhe Luftën e Dytë Botërore, ku shpirti atdhedashës shqiptare nxituan dhe morën armët, duke luftuar për liri. Kështu që më lejoni t’iu pyes, se a kemi një paralele mes nesh dhe ukrainasve, ku mos harrojmë që njëri prej atyre që ka veshur kostumin e ushtarit është edhe presidenti i Ukrainës dhe madje edhe kryebashkiaku i Kievit, boksieri i njohur Kliçkov?

Ukraina është sulmuar dhe pushtuar pabesisht dhe brutalisht. Një luftë dhe pushtim i tipit hitlerian. Një popull që nuk lufton për lirinë e tij e ka shumë të dyshimtë mbijetesën dhe ekzistencën. Ukraina si popull, po tregon një forcë, karakter dhe qëndrueshmëri tejet admiruese. Presidenti i vendit po manifeston cilësitë më të larta të njeriut, liderit dhe komandantit. Ai është bërë forca kryesore e kohezionit dhe unitetit të vendit për të përballuar situatën me çdo sakrificë. Paralele me Kosovën? Popujt që shtypen dhe nuk e pranojnë shtypjen dhe pushtimin, por janë të betuar të luftojnë deri në fund për lirinë e tyre, kanë të njëjtën materie organike. Referuar sulmit ndaj Ukrainës, e cila duhet thënë që është një vend sovran dhe i pavarur, Putini po ngjan më shumë me Hitlerin, Millosheviçin dhe Carët, për shkak se ushtria dhe veglat e tij, po vrasin edhe qytetarë të pafajshëm.

-A rrezikon që Vladimir Putin të hetohet dhe gjykohet për krime kundër njerëzimit?

Bota është dëshmitare e gjithë detajeve të zhvillimit të luftës në Ukrainë, por jam i bindur se shumë të vërteta të tmerrshme dhe të rënda do të evidentohen në vijim. Unë mendoj, por edhe besoj plotësisht, se ky është një rast i pashmangshëm dhe i patolerueshëm për Gjykatën e Hagës.

-Ndërkohë, SHBA, NATO, BE, Kanadaja dhe Japoni, kanë vendosur sanksionet më të mëdha të mundshme ndaj Rusisë. A mendoni se këto sanksione do ta gjunjëzojnë Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin?

Sanksionet në tërësi dhe përgjithësisht kanë më tepër efekt dhe veprim kryesisht gradual, duke filluar në një afat të shkurtër me tendencë rritjen e vazhdueshme në plan afatmesëm e afatgjatë. Megjithatë, gjykuar nga shumëllojshmëria e sanksioneve të vendosura, pjesërisht ato kanë dhënë dhe do të japin më tej edhe efekte të menjëhershme. Këto sanksione, të kombinuara me barrën dhe peshën ekonomike të shpenzimeve marramendëse të luftës, të nevojave për mbajtjen e Krimesë së pushtuar, ku gjendja ekonomike e një popullsie rreth 2 milionë banorë, pas pushtimit vazhdon të përkeqësohet ndjeshëm, padyshim që do ta acarojnë dhe vështirësojnë në skaje situatën e Putinit dhe Rusisë. Midis shumë arsyeve të tjera, dakordësia e bisedimeve, është padyshim edhe për shkak të trembjes dhe efekteve të sanksioneve.

-Sa gjasa ka që bota të shkojë drejt Luftës së Tretë Botërore?

Në të vërtetë presidenti rus po del shumë jashtë parashikimeve. Urdhri i tij për gatishmërinë e sistemeve bërthamore është sinjal ogurzi. Kjo është shumë më shumë se serioze. Frika e një dështimi, sikurse po duken treguesit e deritanishëm, mund ta shtyjë në një përshkallëzim katastrofik. Kjo do të ishte tragjike. Megjithatë, unë jam më shumë i prirur ta marrë si një komponent të psikologjik dhe moral të luftës që ai po zhvillon. Nga ana tjetër, dua të besoj që revolta edhe në Rusi ndaj kësaj lufte absurde të rritet eksponencialisht. Ky është një faktor jetik. Kupola dhe lidershipi ushtarak i Putinit gjithashtu i njehë dhe vlerëson mirë pasojat dhe efektet e një lufte totale. Fillimi i bisedimeve, sido që mund të përfundojë edhe pa ndonjë rezultat real, përsëri është një indikator indirekt për një lloj kompromisi të detyrueshëm dhe jo përshkallëzim i mëtejshëm.

-Po rreziku për të shkuar drejt përdorimit të armëve bërthamore ekziston?

Nëse do flisnim për një Luftë të Tretë Botërore, atëhere përgjigja më e mundshme do të ishte po. Edhe e anasjella: nëse përdoret goditja bërthamore, atëherë do të kemi me siguri një luftë të tretë globale.

-Po ashtu, ka zëra se edhe Ballkani mund të përfshihet në një konflikt për shkak se në disa vende ka ndikim Rusia. Keni një koment?

Ballkani gjithmonë ka qenë dhe sot edhe më shumë është bërë një target i Rusisë. Vatrat e konflikteve në Ballkan e kanë zjarrin akoma të pashuar. Sigurisht që Rusia ka kohë që është shumë e angazhuar për t’i ndezur këto zjarre. E para është situata në Bosnje. Shumë e delikate, fluide dhe e paparashikuar. Serbia dihet që është një bazë pro-ruse. Pritet që Beogradin ta vizitojë së shpejti sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Njeriu më i fuqishëm dhe besnik i Putinit. Kjo lëvizje është kuptimplotë. Megjithatë, prezenca e NATO-s nëpërmjet KFOR në Kosovë dhe baza amerikane e instaluar aty e shmangin mundësinë e një konflikti Serbi-Kosovë. Pika më e dobët ngelet, midis të tjerave, Bosnjë-Hercegovina.

-Gjeneral, ju keni qenë Shefi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kështu që më lejoni t’ju pyes se a ka kapacitet ushtarak Shqipëria për të përballuar një konflikt të mundshëm ushtarak?

Deklarata jemi anëtar i NATO-s nuk është një slogan. Kur flasim për konflikte apo/dhe agresione ushtarake duhet t’i referohemi një realiteti praktik ekzistues ose mjaftueshëm i parashikuar dhe vlerësuar i saktë me premise reale për agresion ushtarak në një të ardhme të afërt apo moment të caktuar. Duhet të konsiderojmë një agresor real të mundshëm për të bërë vlerësimin e përballimit të konfliktit. Shqipëria ka një forcë ushtarake të mirëorganizuar dhe trajnuar. Forcat tona të Armatosura janë të pajisura me armatim dhe teknikë ushtarake bashkëkohore dhe kanë programe të qarta zhvillimi të mëtejshëm. Sigurisht që janë në një proces modernizimi të plotë dhe kjo kërkon kohë, për efekt të kostove. Ajo që unë e them me siguri dhe bindje është që forca ushtarake e vendit është plotësisht e aftë, e dedikuar dhe motivuar, që t’i përgjigjet me efektivitet nevojave të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Zhvillimet e fundit në Krahun Lindor të Aleancës natyrisht që shtrojnë para nesh nevojën për rishikim të Dokumenteve kryesore Strategjike; Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë Ushtarake në dritën e kërcënimeve dhe rreziqeve të shtuara për të adresuar drejt e në kohë nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Kam parasysh këtu rritjen e fuqisë së zjarrit (raketa tokë-ajër, raketave kundërtanke, dronëve, si dhe mjeteve të mekanizuara/blinduara për ruajtje, siguri dhe manovër në fushën e luftimit! Kjo duhet të bëhet me kujdes, duke dëgjuar specialistët dhe balancuar drejt kërcënimet e rreziqet me burimet e mbrojtjes në dispozicion dhe angazhimet që do na kërkohen nga Aleanca.

-Nga ana tjetër, le të përqendrohemi pak tek aktualiteti në vend. Më 6 mars në disa bashki do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale. A është PS gati për këto zgjedhje?

Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet gjithmonë gati për betejat elektorale. Pas fitores së tretë radhazi (e pazakontë dhe historike) ne nuk kaluam në eufori; në hapësirën prej rreth 10 muajsh, kemi zhvilluar Kongresin e PS, Asamblenë Kombëtare, analizën e zgjedhjeve të 25 Prillit, zgjedhjet e reja në parti, si dhe një sërë organizimesh të brendshme dhe rishikim të Statutit që priten të materializohen në Kongresin e radhës. Thënë shkurt, partia socialiste është pranë njerëzve, ka një vizion 10 vjeçar ‘Shqipëria 2030”, një program të qartë qeverisës për 4 vitet e ardhshme qe fokusohet në shërimin e plagëve të tërmetit dhe Covid 19; ringritjen ekonomike, çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe sfera të tjera të jetës, një Shqipëri më të fortë me strukturat e sigurisë brenda vendit, por dhe me një zë të fortë në arenën ndërkombëtare; Në thelb ky program synon ofrimin e shërbimeve më të mira, përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.

-Përse qytetarë duhet t’i besojnë votën Partisë Socialiste?

Për sa me sipër, por edhe në respekt të asaj që është bërë deri tani nga reformat e ndërmarra nga Edi Rama dhe qeverisja Socialiste; Vota për Partine Socialiste nuk është e keqja me vogël; Ajo është vota për progresin, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për një Shqipëri më të begatë! Unë 6 marsin e konsideroj një konfirmim për ecjen përpara dhe konsolidim të sukseseve të arritura! Dhe qytetarët shqiptarë dinë të bëjnë dallimin dhe zgjedhjen e duhur! Partia Socialiste do t’i fitojë të 6 bashkitë, duke marrë shumë më tepër vota se të dy kampet bashkë “gratat” dhe “non gratat”! Ju faleminderit!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera