Në kampionatin e fundit, në peshën deri në 89 kg, garoi edhe Artur Kotarja i Teutës, i cili fitoi titullin kampion në këtë peshë. Natyrisht që ky është një moment reflektues për sportistin, i cili nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Kotarja synon të shkojë më tej, ai thotë se ky vit duhet ta dëshmojë në një garë ndërkombëtare, për të treguar fillimisht potencialin e tij e pse jo edhe për të pretenduar medalje në Kampionatin Europian të të Rinjve (U-20 dhe U-23) që do të zhvillohet në Tiranë në vjeshtë. Sportisti i datëlindjes 8.04.2002, e kishte për herë të parë që garonte në peshën 89 kg, e me 255 kg në dygarësh ai ndjen se ka ardhur momenti të bëjë hopin cilësor në karrierë.
– Ju fituat garën në peshën tuaj, a e kishit parashikuar fitoren?
Prisja që të tregoja vlerat e mia në kampionatin e të rinjve dhe mënyra si shkoi gara, rezultati dhe medalja si vend i parë, janë dëshmi e një progresi që më bën krenar por më shumë më inkurajon për vazhdimësinë. Realizova 120 kg në shkëputje dhe 135 kg në shtytje, një rezultat i mirë por që unë kam dëshirë ta thelloj këtë vit. Natyrisht, ishte Kofsha i Shtërmenit që fitoi si më i miri i kampionatit, por mua më gëzon fakti që fitova medalje në peshën time.
– Sa e vështirë ka qenë për të ardhur deri këtu?
Ju siguroj që nuk është e lehtë. Unë kam 6 vite që stërvitem. Trajner kam pasur të ndjerin Faik Nebijaj e tani kam trajner djalin e tij Auron Nebijaj.
– Cili është objektivi juaj për këtë vit? Kujtojmë që ka shumë aktivitete në kalendar ku mund të dëshmoheni si sportist cilësor…
Gjatë këtij viti kam objektiv të marr pjesë në garat ndërkombëtare, konkretisht në Europian ose Botëror, por qëllimi parësor është pjesëmarrja në Kampionatin Europian të të Rinjve. Shpresoj të përmirësohem deri atëherë dhe të tregoj që kam çfarë jap në këtë sport.
– Po në planin afatgjatë, cili është objektivi juaj?
Në planin afatgjatë objektivi im është ai që kërkon çdo sportist që synon sukses: domethënë të arrij tek medaljet ndërkombëtare, europiane e botërore. Karrierën po e bëj në Shqipëri dhe nuk e kam menduar të largohem nga këtu, të paktën jo tani. Ndërkohë, desha të shtoj që unë vërtet e fitova garën në peshën time, por më duhet të them që garova i dëmtuar, pasi rezultati im i zakonshëm në këtë periudhë është 125kg në shkëputje e 148 kg në shtytje.