Një furgon i policisë së burgjeve u nis paraditen e djeshme nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit rajonal të qytetit, 1.1 kilometra larg. Brenda tij, 8 persona, 2 të paraburgosur, njëri, i akuzuar për vepra të lehta penale, dhe tjetri, Altin Ndoci, i pandehur nga SPAK, me një historik të dhunshëm kriminal, nga vrasje, grabitje, e trafik droge, i dyshuar anëtar i organizatës famëkeqe kriminale të Elbasanit, Çopja. Grupi i shoqërimit, 6 persona, përfshirë shoferin. 5 efektivët i shoqëruan njëkohësisht të paraburgosurit drejt godinës së infektivit, brenda spitalit rajonal të Durrësit. Shoferi priti në furgon. Në katin e tretë dhe të fundit të këtij reparti ndodhet dhoma e posaçme e vizitave për të paraburgosur. Dritare dhe derë me zgarë hekuri, e ngjashme si me qelinë e paraburgimit. I pari përfundoi vizitën. 3 nga grupi i shoqërimit, përgjegjësi dhe 2 policë të burgjeve e shoqëruan me furgon drejt burgut të Durrësit. Në repartin infektiv, me Altin Ndocin, qëndruan 2 policë. 38-vjeçari me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, kishte shqetësime me veshkën. Pas vizitës dhe mjekimit të parë në dhomën e izoluar, me rekomandim të mjekut, u kërkua të priste edhe 2-3 orë për një rikontroll nga bluzat e bardha. Burimet thonë se që nga viti 2022 Altin Ndoci, i arrestuar 6 vite më parë për llogari të SPAK, është paraqitur në spital 6 herë për vizita shëndetësore.
Detajet
Këtë moment pritje shfrytëzoi Altin Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga. I kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera me zgarën e hekurit është hapur dhe efektivët tentuan t’i vënë prangat, 38-vjeçari nisi t’i godasë dhe i sulmoi, duke hedhur hapat e parë të planit të arratisjes. Njëri prej dy policëve qëlloi me armën e shërbimit brenda spitalit, por nuk e plagosi. Altin Ndoci arriti të ikë dhe të zbresë me shpejtësi përmes shkallëve 3 katet e godinës. 12 sekonda pas tij dalin efektivët e burgjeve. Njëri qëllon sërish me armë, jashtë godinës, këtë radhë në tokë, si për të trembur të paraburgosurin, ashtu edhe për të njoftuar që diçka nuk po shkonte. Por më kot. Altin Ndoci ishte larguar drejt traut të parkimit. Jashtë, e priste makina e arratisë. Element ky që përforcon teorinë e një plani të mirëorganizuar. Një Audi A7 me targë AA700RS, me të cilin besohet se morën rrugën drejt zonës së Spitallës. Pas arratisjes së bujshme, derisa përgjegjësit të zbulohen, i gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit u pezullua. Forcat operaracionale të burgjeve, nga Tirana, zbarkuan në paraburgimin e Durrësit, për të gjetur gjurmë të mundshme të planit të arratisë dhe nëse e ka ndarë me të tjerë e ka bashkëpunëtorë brenda burgut. Kur furgoni që riktheu në qeli të paraburgosurin e parë, u rikthye të marrë në spital Altin Ndocin, gjithçka kishte përfunduar.
Kush është i arratisuri Altin Ndoci?
“Karrierën” e tij kriminale Altin Ndoci e ka nisur shumë i ri. I lindur shtatorin e vitit 1987 në Trashan të Lezhës, sot 38-vjeç, përpara së të futej në organizatat më të mëdha kriminale të vendit, Ndoci ka qenë i përfshirë në trafik droge ndërsa në vitet 2014-2015 ishte bërë tmerri i Tiranës, për të paktën 10 grabitje me dhunë. Si pjesë e krimit të organizuar akuzohet se ka marrë pjesë në disa vrasje të bujshme, ka qenë pjesë e planeve për disa të tjera, përfshirë luftën mes grupeve më të forta kriminale të Elbasanit, Endrit Alibejt dhe vëllezërve Çopja. Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për vrasje Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit. Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në 2 vrasje të ndryshme me 4 viktima, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj dhjetorin e vitit 2019 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës në vitin 2020, po në qytetin bregdetar. Por në prill të 2024-ës Gjykata e posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm. Vetë Klevis Alla që e kishte përfshirë në këto vrasje u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit Megjithëse mori pafajësi, Altin Ndoci nuk mund të lirohej nga burgu. Ndaj tij SPAK ngriti akuza të tjera të rënda për vrasje, pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, dy të penduar të tjerë të drejtësisë. Nga Dumani Altin Ndoci akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në 2019-ën në Peqin. Ndërsa nga Alibej, 38-vjeçari Ndoci akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës. Në këtë ngjarje mbeti i ekzekutuar edhe vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Endrit Alibej. Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit. Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, ishte planifikuar të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq. I riu nga Trashani i Lezhës, ose nuk shkoi në varrim nga frika e një atentati ndaj tij, ose ekzekutorët nuk arritën ta identifikonin dot. Vetë Ndoci, sipas transkriptimeve në bisedat në Skyecc ka bërë disa herë plane për ekzekutimin e Erion Alibejt, që do ta realizonte vetë me snajper, por edhe këto plane dështuan. Altin Ndoci është dërguar për gjykim nga SPAK një herë në vitin 2023 për vrasjen e dhjetorit 2019 ndaj Andi Zylyfit dhe më pas në tetor 2025 me organizatën kriminale të Çopjave. SPAK thotë se Altin Ndoci ishte pjesë e grupit të Talo Çelës, i cili drejtonte krahun e armatosur të organizatës së kryesuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Ai ishte rekrutuar nga Talo Çela si vrasës me pagesë. Pas arratisjes së shumëkërkuarit Talo Çela, Ndoci e ndihmoi atë që t’i fshihej prangosjes, duke i garantuar strehim dhe ushqim. I arratisuri cilësohet nga autoritet një personazh me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, dhe dallohet si vrasës gjakftohtë mes elitës së krimit të organizuar në vend.
Reagimet
Ngjarja e djeshme ka shkaktuar reagime të shumta. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke komentuar me ironi arratisjen e bujshme të Altin Ndocit, ka nënvizuar se në një narkoregjim, “provat zhduken natyrshëm dhe vrasësit fluturojnë”. “Në narkoregjimin e Edi Ramës u “arratis” pa nam e nishan edhe kantina e tij personale e verës, “Romanée Conti”, që as ecën, as vrapon. Prandaj sot nuk ka asgjë të pazakontë në arratisjen e një killeri të rrezikshëm, i cili jo vetëm ka këmbë, por gëzon edhe mbrojtje shtetërore”, shkruan Blushi në postimin e tij. Më tej ai ironizon duke thënë se tani është një “vijimësi logjike” gjithçka ndodh në Shqipëri, ku edhe vrasësit fluturojnë. “Në një narkoregjim, kjo quhet vijimësi logjike: kur zhduken provat që nuk lëvizin, është krejt e natyrshme që vrasësit të fluturojnë”, përfundon ai. Nga ana tjetër eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço uhodhi dyshime të forta se sipas tij Altin Ndoci mund të ketë pasur bashkëpunime me disa punonjës të paraburgimit në Durrës. Ndërsa analizoi të gjithë itinerarin e ndjekur nga i paraburgosuri, eksperti i Kriminalistikës tha se arratisja është e mirëmenduar. “Kemi një profil që hetohet nga SPAK me masë sigurie shtrënguese. Ka të dhënë edhe nga ana e policisë për rrezikshmërinë shumë të lartë që paraqiste ky persona. Duke pasur problem me veshkat bënte vizita. Spitali ka ndërruar dhomë kohët e fundit dhe e ka çuar tek pavioni i infektivit. Ky person me rrezikshmëri të lartë nuk shoqërohet me policë të thjeshtë, duhet të shoqërohet nga forca operacionale të drejtorisë së burgjeve që janë në Tiranë. Në kushte urgjence është ajo që duhet të njoftosh drejtorinë e policisë dhe po nuk të dha garanci me forca mjete ti nuk e nxjerr dot. Tani çfarë ka ndodhur? Pesë veta shkojnë, shoferi rri në makinë, në momenti që i paraburgosuri në tualet dy policë e shoqërojnë dy policë rrinë në dhomë sepse është ajo që duhet të jetë e sigurt dhoma. Më pas ai ka qëlluar një nga policët dhe ka dalë jashtë ku është pritur dhe nga një makinë. Policia ka zero informacion në lidhje me këtë lëvizje të këtij personi as ajo e Tiranës as ajo e Durrësit. Janë disa spitale pranë burgjeve ku të dënuarit marrin edhe mjekim. SHKB e paraburgimit Durrës ka dështuar totalisht sepse duket një plan i mirëmenduar. Një korrier e ka pasur që ka bërë gjithë këtë koordinim kaq të saktë. Ai e dinte dhe ku e priste makina. Në lidhje me policin që thuhet se ka qenë edhe pjesë e hetimit të SPAK. Këtij polici nuk i lejohet të qëllojë në ajër. Pasi ligji parashikon që duhet të thuhet ndal, ndal se po qëlloj dhe më pas qëllo. A duhet ta qëllonte apo të vriste, nuk po them këtë”, tha ai.
