Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi të pamjaftueshme vendimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për të arrestuar deputetin e PS Alqi Bllako, biznesmenin Klodian Zoton dhe 7 persona të tjerë lidhur me aferën korruptive 430 milionë euro të inceneratorëve. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ish-kryedemokrati vlerësoi kontributin e partisë më të madhe opozitare në denoncimin dhe hetimin e aferës së inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Sipas Bashës, drejtësia duhet të godasë kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e tij pasi janë përgjegjësit kryesorë të zhdukjes së 430 milionë eurove për inceneratorët. “Arrestimet e sotme, janë si rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe profesionale të Partisë Demokratike në Komisionin Hetimor Parlamentar, por kjo nuk mjafton. Komisioni faktoi se urdhëruesit dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj afere janë ministra dhe kryeministri. Asnjë shqiptar nuk e beson se një aferë kaq e madhe korruptive është bërë pa dijeninë e Edi Ramës”, shkroi ish-lideri i opozitës Lulzim Basha.
Tabaku: SPAK të hetojë për grup të strukturuar kriminal
Ndërkohë, nënkryetarja e PD Jorida Tabaku kërkoi që SPAK të bashkojë të 3 çështjet e aferës së inceneratorëve në 1 të vetme. Sipas saj, prokurorët e çështjes duhet të vazhdojnë më tej në hetimet dhe ngritjen e akuzave ndaj drejtuesve të lartë të qeverisë socialiste dhe bashkëpunëtorëve të saj si grup i strukturuar kriminal. Tabaku këmbënguli që kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi të arrestohet pasi ka propozuar përcaktimin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit. “Arrestimet e sotme janë një hap i vogël përpara në dërgimin përpara përgjegjësisë të përgjegjësve për Aferën e 430 milionë eurove. Një ditë e mirë, por jo mjaftueshëm me ç’ka fsheh kjo aferë realisht. Arrestimi i Alqi Bllakos është një hap përpara por nuk mund të mbetemi këtu. Z. Bllako po arrestohet për aferën e tokës ku u ndërtua inceneratori Fierit por Armando Subashi, ka mbetur jashtë fletë arresteve ndonëse ai e ka propozuar këtë tokë. SPAK duhet të bashkojë të 3 çështjet në 1 të vetme. E ripërsëris, kjo është një çështje e lidhur kokë e këmbë me një grup të strukturuar kriminal”, komentoi deputetja e selisë blu në Facebook. Ish-kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për Aferën e Inceneratorëve vlerësoi se urdhërarrestet e lëshuar nga SPAK-u erdhën si rezultat i 11 denoncimeve dhe raportit të anëtarëve të PD në komision për çështjen e konsideruar si “Afera e Shekullit”. “Mbas një punë 4 mujore të Komisionit Hetimor dhe denoncimeve që nga viti 2016 të Partisë Demokratike, mbas 11 kallëzimeve penale të dorëzuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë në SPAK, 3 prej të cilave në Tetor të 2020 dhe 8 të tjera në Mars 2022, mbas një raporti prej mëse 120 faqesh të shoqëruar me mbi 112 fakte dhe grupfakte që tregojnë lidhjen shkak pasojë në aferën korruptive 430 milionë Euro të Inceneratorëve”, komentoi n/kryetarja e partisë më të madhe opozitare, Jorida Tabaku.