Komisioni i Rithemelimit të PD sulmoi ashpër ambasadoren e SHBA në vendin tonë Yuri Kim, e cila njohu Enkelejd Alibeajn si liderin e komanduar të PD gjatë takimit të djeshëm mes tyre. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, “Foltorja” goditi diplomaten amerikane duke e akuzuar se injoroi parimin themelor të demokracisë, votën, referuar rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku PD zyrtare u rendit në vendin e fundit, Kuvendin e 11 dhjetorit që shkarkoi Lulzim Bashën dhe n/kryetarët e tjerë të PD dhe vendimin e fundit të Gjykatës së Tiranës në 25 mars që njohu ndryshimet statutore të këtij kuvendi. Për sa i përket njohjes së Alibeajt si drejtues i përkohshëm i selisë blu, Komisioni i Rithemelimit e quan deklaratën e Kim qesharake dhe absurde.
“Ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj ‘Ëe, the People’ (Ne, Populli). Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike. Yuri Kim shkelmoi mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit. Ajo gjithashtu injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars ”, shprehet fillimisht “Foltorja”.
“Foltorja”: Kim i shërben Ramës, nuk përfaqëson vlerat e SHBA
Më tej, Komisioni i Rithemelimit të PD thelloi më tej akuzat politike ndaj ambasadores amerikane në vendin tonë duke e konsideruar si shërbëtore të kryeministrit Edi Rama pasi po mbajnë peng opozitën shqiptare. Në fund, “Foltorja” deklaron se vlerat e SHBA nuk janë ato që përfaqëson ambasadorja Yuri Kim (arroganca, diktati dhe diversioni), por vota e lirë. “Yuri Kim vërtetoi se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët. Për fat të mirë, shqiptarët e kanë kuptuar se vlerat e vërteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia”, mbyllet qëndrimi i “Foltores” për takimin e sotëm mes Yuri Kim dhe Enkelejd Alibeajt.
Paloka: Yuri Kim nuk mund të dalë mbi gjykatat shqiptare
I ashpër ndaj qëndrimit të ambasadores së SHBA lidhur me PD u tregua dhe deputeti e anëtari i “Foltores”, Edi Paloka. Ai e quajti mëse të turpshme njohjen e Alibeajt si kryetar të përkohshëm të PD. Paloka shtoi se Kim nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave shqiptare duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës në 25 mars. Ish-kreu i Këshillit Kombëtar të PD mbajti qëndrimin se ambasadorja amerikane po përçan opozitën dhe përkrah qeverinë e korruptuar të Edi Ramës. “Ky është më tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike, por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja uroi Ramën për ‘fitoren historike’ pa mbaruar akoma procesi zgjedhor më 25 prill ; doli hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon ( siç e cilëson vetë DASH) dhe prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës shqiptare. Ti, zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, por nuk mund të vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptarë”, komentoi Paloka.