E mërkurë, 11 Nëntor, 2026

Dhomat e Tregtisë të 5 shteteve ngrenë kambanat e alarmit për Shqipërinë, korrupsioni, burokracitë e aferat me tenderët po mbytin biznesin dhe largojnë investimet e huaja

Share

4 organizata të huaja dhe 1 shqiptare të tregtisë që operojnë në vendin tonë bënë apel ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore që të ndërmarrin plan konkret për përmirësimin e klimës së biznesit. Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Gjermane e Tregtisë, Dhoma Italiane e Tregtisë, Dhoma Franceze e Tregtisë dhe Konfindustria dolën me një deklaratë të përbashkët duke kërkuar 5 hapa konkretë nga qeveria shqiptare për të eliminuar pengesat burokratike, informalitetin, hapjen e prokurimeve publike, mbrojtjen e investimeve të huaja me Këshillin Ekonomik Kombëtar, etj. Në qëndrimin e përbashkët të 5 Dhomave të Tregtisë që veprojnë në vendin tonë, mjedisi i biznesit në Shqipëri konsiderohet joefektiv, i papërshtatshëm dhe me probleme. Kujtojmë që pak muaj më parë, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të mos miratojë Paketën e Amnistisë Fiskale dhe “pasaportat e arta”, pasi do ta dërgonte. 5 kërkesat e 5 Dhomave të Tregtisë në Shqipëri janë si më poshtë
Strategji Investimi për pengesat burokratike, sistem lejesh ndërtimi dhe incentivash
Miratimi i një Strategjie Investimi, udhëhequr nga nivelet më të larta të qeverisë, e cila të përfshijë reduktimin e ndjeshëm të pengesave burokratike, miratimin e një sistemi të bazuar në rregulla për lëshimin e lejeve dhe ngritjen e një sistemi nxitës incentivash të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Paketë anti-korrupsion për ryshfetet
Zbatimi i një pakete me qëllim luftën Kundër-Korrupsionit që forcon përputhshmërinë e masave kundër ryshfetit me standardet e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit (OECD) dhe që siguron transparencë në veprimtarinë e agjencive publike. Kjo do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri.
Të hapen prokurimet publike për mediat dhe shoqërinë civile
Rritja e efikasitetit dhe besueshmërisë të sistemit të Prokurimit Publik, duke miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar ‘përjashtimet e veçanta’ nga prokurimi i fondeve publike dhe duke ju dhënë gazetarëve dhe shoqërisë civile më shumë akses në dosjet dhe të dhënat mbi procesin e prokurimeve. Krijimi i një procesi efektiv Konsultimi Publik, duke ngritur mekanizma zbatimi në legjislacionin ekzistues dhe duke përfshirë në këtë proces edhe Vendimet e Këshillit të Ministrave. Procesi duhet të sigurojë transparencë dhe përfshirje të qytetarëve si edhe të grupeve të interesit.
Modernizim i sistemit të taksave, ligje të reja për tatimet dhe luftë ndaj informalitetit
Modernizimi i Sistemit të Taksave për t’u përputhur me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS), për të reduktuar paqëndrueshmërinë me anë të prezantimit të ligjeve të reja tatimore jo më shpesh se çdo 4 vjet dhe luftës kundër informalitetit në ekonomi. Kjo do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase.
Krijimi dhe funksioni i Këshilli Ekonomik Kombëtar për investimet e huaja
Na inkurajon aktivizimi i mundshëm i një Këshilli të ri Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe sugjerojmë që ai të vendosë në mënyrë të veçantë në fokus investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe aktiviteti i tij të përcaktohet në legjislacion, si një institucion zyrtar nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët të administrimit publik dhe sektorit privat. KEK-u mund të shërbejë si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh. Ne jemi të gatshëm të mbështesim qeverinë shqiptare në këto përpjekje dhe të ofrojmë ekspertizën dhe burimet tona për të siguruar zbatimin e tyre të suksesshëm.

Te tjera

Lajme te tjera