Ndizet situata në Veri. Dje është sulmuar ekip i KFOR-it në Zubin-Potok gjatë natës, ndërsa nuk u raportua për persona të lënduar. Pjesëtarët e KFOR-it të cilët raportohet se janë sulmuar janë nga Letonia. Sherri dhe tensionet që po krijon Beogradi do t’i kushtojnë shtrenjtë serbëvem pasi Bashkimi Evropian nuk do ta lejojë që Serbia të vazhdojë të luajë politikën “me dy karrige”. Mesazhi i qartë ka ardhur dje nga Berlini se kjo rrugë që po ndjek Vuçiç do i kushtojë integrimin në BE. Serbia konsiderohet tradicionalisht si aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e ka thënë qartë me gojën e tij se nuk mund ta humbasë mbështetjen e Rusisë për Kosovën, duke i vendosur asaj sanksione për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Vuçiç ka theksuar se duhet kuptuar situata politike, sepse Serbia gjithmonë ka pasur mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për çështjen e Kosovës dhe nuk dëshiron ta humbasë atë lloj mbështetje. Nga ana e Beogradit ka një revoltim ndaj qëndrimeve të Brukselit, pasi evropianët e kanë bërë të qartë edhe më fortë së fundmi se pa njohur Kosovën nuk ka Serbi. Serbët nuk tërhiqen dhe vazhdojnë të shkaktojë tension në Veri. Ditën e djeshme një përplasje e ashpër është shënuar në distancë mes diplomatit të njohur gjerman Ëolfgang Ischinger dhe kryeministres serbe Ana Brnabiç lidhur me përplasjet në zonën e nxehtë.
Sherri Ischinger-Brnabiç
Sherri midis Ischinger dhe kryeministres Brnabiç në lidhje me situatën në veri të Kosovës, filloi e gjitha për shkak të sulmeve të drejtpërdrejta të diplomatit gjerman se Serbia “po fillon dhunën në një vend fqinj”. Ai tha se është i shumë i shqetësuar me tensionet e vazhdueshme në veri dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë urgjentisht rol vendimtar. Ai ka pyetur në postim në Tëitter nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj, Kosovës, do ta bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE. E ndaj postimit të Ischingerit reagoi Bërnabiç. Ajo tha se serbët në Veri po qëndrojnë në barrikada për shkak që po kërkojnë që të implementohet Marrëveshja e Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe për shkak të arrestimit “sipas dëshirës dhe mbajtjes peng” të ish-policit serb, Dejan Pantiç. Por, Ischingeri i tha Bërnabiçit se “nuk zgjidhen çështjet duke nxitur dhunë”. “Ka kërkesa legjitime nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull është adresimi i shqetësimeve të tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe trazirave publike. Serbia e di saktësisht se si të veprojë si një fuqi e përgjegjshme! Krishtlindje do të thotë paqe”, ka shkruar ai. Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Çfarë po ndodh në Veri?
Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada që më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Edhe pse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për të hequr barrikadat, serbët kanë zbarkuar kamionët dhe makineritë e rënda në rrugë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Ndërkombëtarët gati për çdo ndërhyrje
Më herët KFOR-i kërkoi zgjidhje përmes dialogut. Së fundmi kryeministri Kurti në një konferencë për media tha se nuk mund të tolerohet gjendja e krijuar në Veri, teksa bëri të ditur se me komandantin e KFOR-it do të takohet pas Krishtlindjeve. Që prej 10 dhjetorit në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët. Si përfundim SHBA-BE dhe NATO janë vigjilent dhe të gatshëm për çdo ndërhyrje në Veri nëse situata përshkallëzohet.
