E diel, 16 Gusht, 2026

KATAR 2022/ Argjentina i merr ‘kurorën’ Francës dhe siguron trofeun e tretë pas 36 vitesh, amerikano-latinët mundin ‘Gjelat’ në finalen e Botërorit me penallti! Messi hyn në histori

Share

FT/ Argjentinë 3 – 3 Francë (Messi 23′ (p), 109′, Di Maria 36′ / Mbappe 80′(p), 82′, 118′) (4-2 pas penalltive)

Argjentina është kampionia e re e Botës. Skuadra e Lionel Scalonit fitoi pas penalltive me Francën në finalen e “Lusail Stadium” për Katar 2022. Pas 120 minutave lojë sfida u mbyll mes emocionesh 3-3, ndërsa nga penalltitë Argjentina u tregua më e saktë (4-2). Kështu Argjentina merr trofeun e tretë të Botërorit, teksa dy të parët i ka siguruar në vitet 1978 dhe 1986. Pas 36 vitesh pritje Lionel Messi me shokë i dhurojnë kombit të tyre trofeun më të rëndësishëm, duke bërë që kapiteni i skuadrës dhe gjithë lojtarët të shënojnë emrin me gërma të arta në histori. Në karrierën e Messit trofeu i Kupës së Botës ishte i vetmi që mungonte, duke bërë që “Pleshti” të realizojë ëndrrën e tij dhe të një kombi të tërë.

Ndeshjen e dominoi Argjentina, por Francën e mbajtën në lojë golat e Kilian Mbapesë. Që në fillim argjentinasit u treguan agresivë dhe më të motivuar, duke dominuar plotësisht, ndërsa Franca apatike thuajse nuk ishte fare e qartë se çfarë bënte në fushë. Në minutën e 22-të Di Maria hyri në zonë dhe u ndal nga Dembele me faull nga pas, duke fituar penallti. Nga pika e 11-metërshit Lionel Mesi ekzekutoi saktë dhe çon në avantazh skuadrën e tij. Vetëm pak minuta më vonë, në të 36-ën, Argjentina zbriti me një kundërsulm perfekt, duke shkuar në zonën kundërshtare, aty ku Di Maria shënoi edhe golin e dytë me një qetësi dhe saktësi për t’u admiruar. Franca totalisht në “gjumë” detyron trajnerin Deshamps të ndërhynte në formacion pa u mbyllur pjesa e parë. ai largoi Zhirud dhe Dembele. Loja e Francës gjallërohet, por jo në atë nivel që të bëjë diferencën.

Pjesa e dytë

Pjesa e parë mbyllet 2-0 për argjentinasit që e dominuan ndeshjen në çdo aspekt. Në 20 minutat e pjesës së dytë Argjentina vijoi të sulmojë e të kontrollojë ndeshjen, por mungonte finalizimi. Pas minutës së 70-të rrjedha e ndeshjes ndryshoi krejtësisht. Një gabim i Otamendit i dha mundësinë Kolo Muanit të marrë topin dhe të niset i vetëm në zonë, teksa mbrojtësi veteran i bëri faull nga mbrapa, duke shkaktuar penallti, të cilën e ktheu në gol Kilian Mbape, i cili deri në atë minutë ishte në hije totalisht. Kaq mjaftoi që të zgjohej edhe numri 10 i Francës, i cili vetëm dy minuta më vonë, shënoi një gol fantastik me një kthesë të bukur brenda zonës, duke rikthyer baraspeshën, 2-2. Minutat e fundit ishin të mbushura me raste për të dy skuadrat, por koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2 dhe skuadrat iu drejtuan kohës shtesë.

Shtesa 30 minuta

U luajt një 30-minutësh dramatik, me raste nga të dy ekipet dhe loja mori ngjyrime ankthi. Me 4 zëvendësime në dispozicion, Lionel Skaloni bëri sërish diferencën nga pankina, duke freskuar ekipin, teksa pikërisht Lautaro Martinez shpërdoroi dy raste në minutat 105-të dhe 106-të. Por në të 108-ën, sulmuesi i Interit korrigjoi shënjestrën, duke goditur fort portën e Lloris dhe topi i kthyer shkon në këmbët e Mesit, që e ka të lehtë ta dërgojë në rrjetë, duke rikthyer avantazhin e Argjentinës. Por entuziazmi i amerikanojugorëve do të zgjaste fare pak. Në minutën e 118-ën ka sërish penallti për Francën, pasi topi u prek në zonë me dorë. Sërish Mbape rikthen baraspeshën, duke dërguar sfidën te penalltitë, të cilat do të vendosnin edhe kampionin e botës. Nga pika e bardhë e penalltisë të parët gjuajtën francezët, pikërisht me Mbape, i cili nuk gaboi dhe shënoi. Pas tij erdhi radha e Mesit që shënoi gjithashtu. Por diferencën e bëri portieri Martinez, që i dha rrjedhën e duhur fitores së Kupës së Botës. Koman gjuan në krahë dhe portieri argjentinas e pret. Më pas shënon Dibala, duke i dhënë avantazhe psikologjike Argjentinës. Për francezët gaboi në penalltinë e tretë Çuameni që gjuan jashtë, kurse Paredes shënoi dhe këtu mori rrjedhë të plotë Kupa e Botës. Në penalltinë e katërt për francezët shënoi e dha shpresë Kolo Muani, por Montiel për Argjentinën gjuajti fort dhe saktë duke i dhënë fund emocioneve dhe ankthit të palëve. Goli i tij çoi në “qiellin e shtatë” argjentinasit, që bëhen kampionë të Botës për herë të tretë në historinë e tyre. Franca nuk arriti ta përsërisë suksesin e katër viteve më parë në Rusi. Në ceremoninë e shpërndarjes së medaljeve dhe dhënies së trofeve, ishte i pranishëm kreu i FIFA-s Infantino, Emiri i Katarit, presidenti francez Manuel Makron e shumë figura të tjera. Pas dhënies së medaljeve për lojtarët francezë, në fund u dhanë medaljet e arta për argjentinasit dhe kapiteni Lonel Mesi ngriti lart trofeun e Kupës së Botës, duke hyrë kështu në histori si një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit.

Te tjera

Lajme te tjera