E diel, 16 Gusht, 2026

Tensionet në Veri, SHBA futet në lojë dhe “i pret krahët” Vuçiçit për skenarë destabilizues në Kosovë, Eskobar paralajmëron heqjen e barrikadave dhe zbulon planin evropian për Prishtinën

Share

Një luftë mund të shpërthejë shumë shpejt në Ballkan. E rrezikuar është Kosova. Megjithëse Rusia është në një pozicion shumë më të dobët aktualisht, kur përballet me rezistencën e ashpër të Ukrainës dhe i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska mund të nxisë dhe të përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë për të shkëputur vëmendjen perëndimore nga lufta në Ukrainë duke përdorur si “mashë” të saj Serbinë. Por nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërhyjnë fuqishëm për të parandaluar çdo skenar destabilizues në rajon. Ditën e djeshme SHBA i ka “prerë krahët” Vuçiçit për çdo skenar destabilizues në Kosovë.  I dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në vizitën e tij në Serbi paralajmëroi heqjen e barrikadave dhe një plan të madh evropian për Prishtinën.

Futet në lojë SHBA

“Nuk dua të paragjykoj rezultatin e negociatave, por dua të them një gjë. Ky është fillimi i zgjidhjes së problemeve afatgjata për këtë rajon. Ne i kërkuam Prishtinës të themelojë një ZSO, nga perspektiva e SHBA-ja është e detyrueshme. Ne duhet të gjejmë një mënyrë për ta bërë këtë ide realitet”, tha i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mbrëmjen e djeshme. Duke iu përgjigjur pyetjes për dërgimin eventual të ushtrisë serbe në Kosovë, Escobar tha: “E hedh poshtë kategorikisht idenë se duhet të militarizojmë problemin, duhet të dialogojmë. Qëndrimi im është që serbët të kthehen në institucione, na duhen atje dhe të hiqen barrikadat”. I pyetur se çfarë mesazhi ka sjellë në Beograd, ai thotë se nga çdo krizë duhet të kërkojmë optimizëm dhe zgjidhje që do t’i aplikojmë në të ardhmen. “Nuk kërkoj zgjidhje për politikanët që janë të përfshirë, por për të rinjtë që po largohen nga ky rajon”, shtoi Escobar. I pyetur nëse do të hiqen barrikadat, ai tha se “ka elementë për optimizëm”. “Barrikadat ekzistojnë, ka një arsye pse ekzistojnë dhe arsye pse do të hiqen. Shpresojmë për disa ditë”,  tha Escobar. Ndërsa i pyetur nëse ka pasur një premtim nga presidenti i Serbisë për këtë, ai tha se “nuk ka premtim, por ka zotim”.

Plani evropian për Kosovën

Sipas Eskobar, prioritet është gjetja e një zgjidhjeje për të gjithë rajonin, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën. “Ballkani Perëndimor është një pjesë e rëndësishme e komunitetit euroatlantik, por nuk është pjesë e strukturave zyrtare”, beson Escobar. I pyetur për të shpjeguar performancën e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kushtet aktuale në të cilat Serbia nuk e njeh Kosovën, ai përgjigjet: “Në vend që të diskutojmë për nxjerrjen e dokumenteve qeveritare, le të flasim për heqjen e nevojës për disa nga ato dokumente. Për shembull, të kemi një zonë të tregtisë së lirë për të gjithë rajonin. Për të hapur një kompani në Mal të Zi dhe më pas për të bërë biznes në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ka mundësi që kjo krizë të shfrytëzohet për të gjetur zgjidhje reale për qytetarët këtu. Ai e sheh të ardhmen e përbashkët të të dy popujve në BE, si dhe se e ardhmja e përbashkët ekonomike do t’i lejojë fëmijët e qytetarëve të qëndrojnë në vendet e tyre. Eskobar thekson se vendimet kryesore për të ardhmen e tyre duhet t’i marrin serbët nga Kosova, sepse “ata jetojnë atje dhe duhet të merren me këtë situatë”. “Ata ndjejnë izolim, ankth dhe një shkallë të caktuar të humbjes së ndikimit në dialog. Ata duhet të kenë rolin kryesor. Nëse flasim për ta, ata duhet të marrin pjesë në të”, tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit. “Ky rajon ka një të ardhme më të mirë së bashku sesa veçmas. Do të keni një të ardhme më të mirë në integrime sesa me ndarje. Falë mundësive që ofron tregu i përbashkët, ju do të bëheni rajoni me rritjen më të shpejtë në Evropë. Njerëzit nga Ballkani shkojnë në BE dhe Amerikë në kërkim të punës dhe duhet të qëndrojnë këtu. Integrimi dhe ekonomia janë zgjidhja e duhur”, u shpreh Escobar.

Te tjera

Lajme te tjera